LETËR NËNËS SIME (Botuar pas censurës së diktaturës) / Poezi nga Vullnet Mato

LETËR NËNËS SIME
(Botuar pas censurës së diktaturës)

Këtë letër për ty,
e shtrenjta Nëna ime,
e mbështolla me zarfin e ngrohtë
të një psherëtime
dhe po e nis nga thellësitë e pyjeve Lindorë,
ku më dhanë të drejtën për të punuar,
pasi mbeta rrugëve të qytetit Jugor,
ku të kam lënë, si ëndërr të paharruar.

Po e nis gjethe pas gjethesh,
erë pas erërash,
mjegull pas mjegullash,
rrugë pas rrugësh,
brigje pas brigjesh,
largësi pas largësish.
Po e nis të lagur me rrëketë e çiltra të lotëve,
të qullur me pikat e gjakut të zemrës brishtore,
të zbutur me bulëzat e djersitjes pa gjumë,
të njomur me sekrecionet e artikulimit
të frazës kryesore:
“Oh, për ty nënë,
më ka marrë malli shumë, shumë !”…

Ta dërgoj bashkë me kujtimet e largëta,
tok me drithërimet e fëmijërisë,
tok me një gotë të mbushur me lot për ty,
dhe me urrejtje për ata që më ndanë nga ty
e nga trualli ku së pari më dhe sisë.
Po e nis për aty,
te rëra e deteve,
te gurët e zalleve,
te lulet e pranverës,
te buzëqeshjet e njerëzve,
te puthjet e vëllezërve,
te dhimbjet e të mjerëve.

E dashura nëna ime,
ta dish mirë, se nga malli për ty
shumë herë kam vdekur,
dhe kur kam kujtuar dashurinë tënde,
shumë herë jam ngjallur përsëri…

Pres me padurim të kthehem,
më ka marrë etja
për pak tinguj nga zëri yt,
për pak dallgë nga Joni,
për pak ujë nga Bistrica,
për pak rërë nga Limjoni.
Në valët e kripura të zhvishem,
në gjoksin tënd të ëmbël të kridhem.
Plagët e zemrës t’i shëroj,
të gris një pëlhurë të zezë
që dekada me radhë
na ndau nga njëri-tjetri me urrejtje
dhe t’ju përqafoj të gjithëve marrëzisht,
kështu siç jam i përmalluar për vdekje…

 

Vullnet Mato

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s