Poezi nga Durim Çaça
remiks, 3
të shkruash përdit’ nga pak pa shpres’, pa dëshpërim
pa dhembje sic shkruan deti shkrolën e vet
me gjuh’ të argjendtë shkume të shndritme
për ecjen në diell, mes mureve të verdh’ të verës
për ëmbëlsin’ e trishtimit të fëmijërisë
për gojën e trëndafilt’ të gruas së re
që digjet si plagë nëpër trupin
e qenies tënde,
për korijen e vidheve e paqen e shenjtë
të hardhisë vezëllitëse
karrigen, perden e dritares, pirunin, vëthin
e nënës, për gjërat e përditshme që marrin fuqi
të pamat’ tronditëse, vetmin’ e fërfërimës së panjës
ku këndon një mëllenjë
të shkruash përdit’ nga pak pa shpres’, pa dëshpërim
pa dhembje, sic shkruan deti shkrolën e vet
me gjuh’ të argjendtë shkume të ndritshme
për qetësin’ e madhërishme të vidheve,
ah, vreshtin e purpurt muzgjesh
e të ndiesh ndjenjën e mpreht’ të lehtësimit
e të së amëshueshmes…
leximtar
labirintet lirike të kaosit të Sanguinetit
si gëzimi universal e kritik i don Kishotit
e dhembja e thellësisë së kuptimit të Niçes
portat e poezis’ që i ruajn’ demonët e Harold Blum-it
pejzat e holla të fjalës thurur me dentrite
të tejdukshme të imazhit
suedez të Transtromer-it
e lexuesi n’bibliotekë i Steiner Opstadit
që është qenia e fundit
paj, humane
vdekja si mëm’ e bukurisë që përmbush
gjithë dëshirat, ëndrrat, hovet
e ndritshëm të Klod Magris-it
e njerëzit gazmorë e të lumtur
të lindur kryefill prej lotëve të gëzimit
të hyut egjiptian Atum
si tamburet ngazëllyese të gjesteve
të tua, e dashur, në ditën e gjinjve të tu
si dreri që ik brinjës së pyjeve në verë
e shkumësi i jetës i Ungaretit që shkon
mbi dërrasën e zezë të vdekjes
për nën anën e pasme të kohës
nga pas shpinës së saj të errët
era e kreshtës e fjala e Iv Bonfua-së
që rreshken në betejë
e njeriu me kitarën e kaltër
tej në aurorat e vjeshtës së Stivens-it
nëpër harenë e gjuhës me palmën
në skaj të mendjes…