Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

KUR TË PREMTOJA

Kur premtoja ëndrra, si asnjë tjetre,
Që do mbillja për ty shteg në shteg.
Ndodhte që ti merrje një shkrepse,
Dhe më kërcënoje:-Do t’i djegë!

Kur të premtoja një ishull të largët,
E në vila do ta ktheja gjithë mallin.
Ti në fytyrën time i harboje flakët,
Dhe më kërcënoje:-Do tu vë zjarrin!

Kur të premtoja trille, trille të kota,
Se do të gdhendja emrin në poezi.
Që të jetoje dhe pas meje, ndoshta,
Prapë më kërcënoje:-Do t’i bëj hi!

Po kur papritur të premtova veten,
Që do digjesha tek ty, pak nga pak.
Çfarë ndodhi që ma dhe shkrepsen,
Dhe mu lute:-Më kthe në flakë!?

 

SIKUR…!

Ndërsa ti po ikën, mos mendo më tutje,
S’ka nevojë për gjyqe, apo dëshmitarë.
Nuk i fshihem një sherri a dhe një lufte,
Po ne s’kemi shumë gjëra për të ndarë.

Shtëpinë e ndajmë në dy pjesë, si kuti,
E në skaje të kundërta, hapim një derë.
Ndoshta është më mirë, si të duash ti,
Që si ndërtim pa leje, ta hedhim në erë.

Po të ketë ëndrra që tani s’ndahen më,
I vrasim dhe i varrosim në gërmadha.
Nga ëndrrat e tua, mos lerë këtu asgjë,
Nëse nuk i merr,ç’ka kuptim ndarja!?

Dhe ëndrrat e mia, do t’i vë në shpinë,
Druhem se mes tyre, mbetesh si dikur.
Ëndrrat si ëndrrat, se lexojnë dredhinë,
Po një klithmë, do e ndjesh nën lëkurë.

Aty të kam fshehur, burrin që të deshi,
Më lehtë se nga ty, e shkulja nga vetja.
Ti je duke ikur nga një gjysmë skeleti,
Gjysma të vjen pas, në malle të vjetra.

 

SHKRUHET NDRYSHE PËR DASHURINË

Provoj të shkruaj për ty, si të tjerët,
Me vargje si pëshpërima në shtrat.
Se poetët që kanë shkruar më herët,
Natyrisht s’i njohën sa duhet gratë.

E shpirtin nga vetja, ta ndaj së pari,
Si fustan të grisur, flakur nga supet.
Të them si të tjerët, ndezur nga zjarri,
Ç’më duhet shpirti!? Shpirti s’puthet!

Provoj të shkruaj vargje të lakuriqta,
Dhe mes tyre të të nxjerr ty, tej dere.
Se poetët që ikën nuk i thanë të gjitha,
Shumë hire të grave i lanë si mistere.

Pastaj shoh ty, të kthyer në pikëllim,
Që nëpër trille burri, t’u mor fytyra.
Pështyj në surrat çdo varg, çdo rimë,
Unë gjysma jote, por jo më e mira!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s