Udhëtim nën një tis mistik / Tregim nga Vera Istrefaj

Udhëtim nën një tis mistik

 

Tregim nga Vera Istrefaj

Rrjedhës  së Drinit të Zi  e kam nisur shumë herë imagjinatën time nga shumë drejtime

Disa herë tek shëtisja nën blirët e qytetit që gjallon mbi vendin ku takohet Drini i Bardhë e Drini i Zi, disa herë duke kundruar bjeshkët e Limthit apo bjeshkët përbri Korabit

Udhëtim të harlisur ka bërë imagjinata ime,  shoqëruar me njohuritë gjeografike apo tregimet folkloristike.

Pamundësia për të shquar horizontet  e ka trysnuar trurin tim në çdo kohë, duke lënë  gjithmonë  të gjallë një dëshirë për të ditur, një dëshirë për  të parë nga afër.

Tek zbret poshtë monopatit të thepisur makina , përpiqem të sistemoj gjërat që kanë lidhje me qëllimin parësor të udhëtimit. Mendja nuk rri e qetë… Drejt  Tejdrines. Asaj zone për të cilën kisha dëgjuar që në fëmijëri, asaj zone që lidhej ngushtësisht me përrallat dhe legjendat që më tregonte,  ndjesë pastë, gjyshja ime.

Ato tregime që më bënin të dridhesha nga frika e nga dëshira për të dëgjuar njëherësh…Ato tregime që ma ngrinin zemrën peshë nga të papriturat, por që kur mbaronin sikur më linin mendjen e shpirtin bosh….

Fëmijëria ime e hershme sot është bashkë me mua në këtë udhëtim në dukje krejt të zakonshëm. Në ecje tatëpjetë ndiej peshën e udhëtimit të zanave tek zbresin nga bjeshkët e Limthit drejt Drinit të Zi nëpërmjet shkallëve prej ari.

Aty bëheshin bashkë zana e mite të tjera të kuvendonin e merrnin vendime të cilat përcilleshin me erën drejt Iliridës, Dardanisë deri në Adriatik

Drini i zi qenka i dallgëzuar tamam si në përshkrime

I frikshëm e i madhërishëm njëherësh ky Dri

Njerëz të paktë që gjenden atyre anëve mbajnë mbi shpatulla peshën e rëndë të jetës plot mundime.

Nje tis mistik e mbështjell gjithë zonën. Ende dëgjon rrëfenja dhe histori për gërmime në lidhje me objekte të florinjta.

Nëntoka e kësaj zone fsheh shumë, pavarësisht së çfarë , por me plot vlera

Kolegia ime vendase më tregon se i shoqi kishte gjetur nje lugë të florinjtë tek punonte tokën me parmendë.

E ke ruajtur? – ishte pyetja ime direkte

Jo! -tha ajo

-E shita kur dërgova djalin në universitet.

Unë buzëqesha, por një dhimbje më kaploi shpirtin. Në atë lugë floriri, patjetër që ka folur historia, por varfëria e ka konvertuar në disa gramë flori të shitur me gjysmë çmimi.

Finalizojmë punën për të cilën ishim aty, por brengë e kureshtje më kanë pushtuar në kthim. Ai vend ka diçka magjike, ka një mistikë që ndihet përjetësisht.

Ka një magjepsje që më ka pushtuar që kur isha fëmijë.

Gati-gati në fund të udhëtimit në atë zonë, kthej kokën për herë të fundit të shoh atë fshat të vogël ku jetojnë dajallarët e gjyshit tim. Krisma e pushkëve të atyre trimave jehon kanioneve, gjithmonë koherentë në luftë ndaj të gjithë armiqve, deri në kohën e ofensivave serbe apo kundër regjimit diktatorial.

Hapat e parë në trotuar më kujtojnë përqendrimin në obligimet e përditshmërisë. Ky udhëtim hapi dritaren e kujtesës dhe kureshtjes time sot, duke ajrosur  ndjeshmëri nga fëmijëria dhe meditimet e të sotmes

30 janar 2019

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s