Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj
***
Krahët e ëndrrave mos m’i pre,
më ler të fluturoj përtej të padukshmes
qiellit të pafund.
Më ler t’i prek yjet,
të kthehem në kometë,
të shuhem mbushur dritë,
***
Pasioni fiket si zjarri,
llava e vullkanit ftohet,
veç hiri mbetet.
Në pastë ngelur ende ndonjë shkëndijë,
fryji, të rindizet sërisht e sërisht…
***
Rendja nëpër imagjinatë
shtrirë në krahë albatrosi
na sjell gjithmonë e më pranë .
Era e kohës iluzion,
kapërcen nëpër pyje mistike
përkund kurora qiellore
dhe sjell dashuri hyjnore.
***
Po të të humbas ty,
dhimbja s’ ka kufij
ajri kthehet në eter
mendimet treten larg
e rrëzohen honeve të vetmisë,
ndaj shkurtoji largësitë,
bëhu cicërimë zogu
rreze e parë e agimit
e ktheu me fëshfërimën e erës.