Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi

 

NË KRAHË PULËBARDHE

Mbushur me fletë malli albumi kujtesës
Në pranverën e moshës kur çel petale,
Me ngjyra ylberi që sytë i ndez rubin,
Me diell ëndrrash që shkrep mbi male.

Shikoj si loz nëpër blana bore
Vrapon me erën si kënga e një zane,
Në krah’ pulëbardhe kthehet valë deti
Bëhet astronome, ndizet dritë hëne.

Me një glob ëndrrash vrapon ngarkuar
Mbjellur nëpër fletë mbetur të palidhura,
Të lagura nën shi, rrugëve të tretura
Vaje pa zë gardelinash të mbyllura.

Ëndrra sylulesh mbetur nëpër duna
Të puthura tinëzisht kanunesh të nxira,
Mbetën dallëndyshe me krah’ të lidhura,
Hije statujash në mermer të ngrira.

 

NË TREN
(Trill poetik)

Nuk e duroj të ftohtin
Më kafshon shpirtin.
Prisja bashkë me pritje
Ngricën ulur në sedilje.
Shiu që nis të bjerë
Lag klithjen e erës,
Më shikon dhe vibron
Mbi bardhësinë e dëborë,
Verbon xhamat e trenit.
Përbri meje një grua e bëshme
Gërhet symbyllazi.
Nga dritarja e vagonit
Më vjen zëri yt i butë
Si tinguj harpe,
Vështrimi yt në sy shqiponje.
Ishte po ai vështrim
Porsi në foton e vjetër:
I pastër si loti,
I brishtë si buzëqeshja,
I ndjeshëm si bebja e syrit,
I thellë si shpirti,
I lartë si qielli,
I ngrohtë si dielli.
Erdhi të ngrohë ditët e mia
Nga acari drithërues i janarit.

 

THELLËSI SHEKUJSH

Me gishta numëroj shekujt
E s’numërohen dot,
Me lisa malesh numëroj
E pyjet më mbarohen.
Shumë të vjetër
Mbi këtë tokë e nën këtë qiell
Që nga shembja e Babilonit
Kur Zoti goditi me një mrekulli
Ngatërroi gjuhën,
Njerëzit morën udhët,
Ai ndau sofrat.
Né, këtu na uli këmbëkryq
Në këtë vend diellor ngrohur me rreze,
Larë me valë deti.
Këtu, ne ngulëm shkopin,
Ngritëm gardhin.
Të zbathura këmbët i kishim.
Vramë dinosaurët e bëmë opingat,
Shkulëm brinjët e bëmë harqet,
Prometeu zjarrin na solli të ngroheshim,
Në këmbë pëllumbash lidhëm mesazhet,
Rrënjët e ullinjëve, kabllorë telefonash.
Mjekrra e bardhë zgjatej e zgjatet këtu
Si rreshtat e thinjura të valëve të detit,
Si bishti i Kometës Hallej.
Dhe këtu,
Mbi këtë tokë e nën këtë qiell
Ajo rritet e zgjatet
E rrënjët thellon.

 

ULLIRI

Pemë e bekuar fisnike
Mbjell nga dorë hyjnore,
Mjekërrthinjuri, i ëmbli tokës
Ku lidhen e rrëfehen legjendat e kohës!

Buzë një cope deti lartohesh,
Poshtë një cope qielli mbulohesh.

Kurorë e jeshiluar paqeje,
Flokëgjelbër veron e dimëron
Mbi një shkëmb,
Mbi një breg,
Mbi një shpat.
Lind e rilind me sythe e bisqe të reja,
Degët sysmeralde zbukuruar.

Rrënjët,
Thurur gërshet me gurin e shkëmbin
Në tymnaja kohërash shtrihen,
Zgjatim i rrudhave të trupit
Në gjenezën e tokës.

Nën hijen tënde veshur me aromë deti,
Poshtë gjetheve vetullhënëza
Përkundet djepi dhe malli
I ëndrrave fluturake.

Aty foli ilirisht Teuta
Veshur me lulekumbulle
Kur lidhi kurorë me mbretin Agron.
Aty zbriti muzgu i rapsodive
Nëpër telin e lahutave.
Aty, nën hijen tënde
Në vaje u përkulën malet
Kur oshëtima e Gjergjit
Mbylli sytë në gjumë.

Ulliri i tokës sime,
Bekim perëndije!

Buzë një cope deti lartohesh,
Poshtë një cope qielli mbulohesh.

@seti pezaku vladi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s