Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

BREZI I HUMBUR

Vjen një kohë dhe çdo brez
ndihet i humbur
domethënë: përballë detit
anije të mplakura
me reumatizmën e ndryshkut në skaf,
përballë malit – çati të vjetra
në pritje të ortekut.
Madje kur u shfaqen dashuritë e ikura
të pudrosura me antirrudhë
qajnë si udhëtari i lodhur
në një udhëkryq
ku veç kryqit
s’ka mbetur asnjë udhë.

 

QYTEZA

Rrezëllin qyteza: vilë rrushi e shndritshme nga vesa
në çastin kur dielli i mëngjesit
zgjedhon foljen ‘Erdha’.
Dredhojnë udhët si degët e hardhive
si degët e hardhive mendimet bëjnë dredha.
Rrezëllin qyteza: vilë rrushi e shndritshme nga vesa
në çastin kur me trille festive
mbi to këndon psallme bletëza…

 

Shekspiri dhe ky shekull aventurier

Na paska dalë një Ofeli tjetër
gjithashtu lahet nën shelg
Po në vend të saj mbytet shelgu.
Veç Hamletit të saj
nuk do Hamlet tjetër.

Na paska dalë një Desdemonë tjetër
shikon si shtegtojnë lejlekët:
I duken në rresht – shami të bardha
nderë në qiell
me kapse sqepash të verdhë.
Desdemona – monogame si lejlekët.

Re e zezë Otello
pret grykën e vet
gjak rrufeje derdh.

Paska dalë dhe Zhuljetë e dytë
Po ndryshe nga të parat
kërkon Romeo të tjerë:
kështu ndodh me mjegullat
kur harbojnë shkëmbinjve mbi humnerë.

Pikëlluar tund kokën Shekspiri:
ç’ shekull aventurier!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s