BORË PAMBUKU PËR VITIN E RI ( balada e mësuesit ) / Poezi nga Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka

 

BORË PAMBUKU PËR VITIN E RI

balada e mësuesit

Në dimrin e largët… ’76*
Mësues rishtar në fshatin malor,
Për Vitin e Ri nxënësve u thashë:
Hipni mbi banka dhe vini ca “borë…”

U ngjitën si “keca” të gjithë në dritare
Të ngjisnin pambuk me pështymë,
Kur qielli kurnac borë s’premtonte,
Ata le ta binin në tokë me frymë…

Si mund ta linim festën të thatë
Në mal ku bora kish djepin e nënës,
E vetmja dhuratë që vinte në fshat
Varur nga qielli me shportën e hënës.

Çukit e çukit dy pako pambuk,
blerë në farmacinë e qytetit,
E vetmja dhuratë që munda t’u sillja
Unë, mësuesi i shtetit…

Shtroi e bardha në qelqe gjithë gaz,
Kur befas pllakosi heshtja mortore,
“Mësues, mësues, pambuku mbaroi!”
Dritarja e tretë pa fjollëza dëbore…

Me qelqet e syve krisur nga lotët,
Gati sa s’qanin të vegjlit e mi,
“Duart t’u thafshin, pse s’bleve më shumë?!
Me ar tua “blije” Vitin e Ri…”

Ta shkulim, mësues, – tha njeri prej tyre
Të bjerë më rrallë, e vumë me nxitim,
Jo, kecat e mi, mendova me vete,
Borë e fëmijëve nuk bie me kursim…

Nuk dija ç’t’u thosha, u thashë ashtu kot;
T’i lutemi babagjyshit ta sjellë këtë natë,
Ata ikën kokulur fshatit përpjetë…
Ik e shih qiellin pa rė, me inat…

Miliona lutje zgjuar dhe në gjumë
Do e kenë çarë atë natë qiellin më dysh,
Se ra një borë që s’mbahej mend kurrë,
sot e kësaj dite më bie para sysh…

Gati e shembën shkollën përdhese,
pambuku nga brenda, bora nga jashtë,
…..
O mësuesi i shtetit, o pikël prej vese
në dimrin e largët, …. ‘ 76…

*’76 – është fjala për vitin 1976

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s