“Loja e rruazave prej qelqi” Roman (në dy vëllime) – HERMAN HESE *Laureat i Çmimit Nobel / Përktheu në shqip: Aristidh Ristani

“Loja e rruazave prej qelqi” Roman (në dy vëllime) – HERMAN HESE *Laureat i Çmimit Nobel

Fragment nga kapitulli  “Poezitë e nxënësit dhe të studentit”

ANKIM 

S’qëndrojmë dot në një vend. Jemi vetëm rrëke,
rrjedhim e marrim çdo formë që kudo ndeshim,
ditë e natë, ndër shpella e ndër tempuj mbi dhe,
përherë të etur duam të rrimë paksa e të presim.

Formë pas forme mbushim e s’ndalemi një herë,
por asnjëra s’na bëhet shtëpi, lumturi a mjerim.
Si shtegtarë dhe mysafirë mbetemi ne paprerë,
pa arë e plug, as mbjellim, as korrim në amshim.

Se çfarë ka ndër mend Krijuesi, këtë ne s’e dimë,
pareshtur luan me ne duke mbajtur prore në duar
atë argjilë memece, që as qesh e as qan një grimë,
e mbrun mirë e mirë e s’e pjek në furrë të pashuar.

Eh, në u kthefshim në gur një ditë! Sikur të rrimë!
Mall të pasosur për këtë lloj metamorfoze ne kemi,
veçse ajo na lë përherë një të frikshme drithërimë,
që na kaplon e s’na shqitet kurrë në rrugën ku jemi.

KOMPROMIS 

Të gjithë njerëzit e palëkundur e naivë
dyshimet tona kurrë s’mund t’i durojnë.
E sheshtë është bota, prerazi ata thonë,
për legjenda e humnera s’duan t’ia dinë.

Po të kishte vërtet një tjetër dimension,
përveç dy të lashtëve të njohur aq mirë,
si mund të ishe i sigurt atje ku ti banon,
si do të rroje në këtë botë njëmend i lirë?

Për hir të paqes, a s’do të ishte më lehtë
po të hiqnim dorë nga dimensioni i tretë?

Po të jenë të palëkundurit vërtet të drejtë,
dhe ka rrezik kur humnerës sytë ia hedh,
do të ishte fare i kotë një dimension i tretë.

POR FSHEHTAS JEMI TË ETUR…

Tërë qetësi, plot me lajlelule e gjithë bukuri,
krejt si jetë zanash ngjan prore kjo jeta jonë.
Duke u sjellë përherë rreth hiçit vallëzojmë,
të sotmen e këtushme gjithmonë ia bëjmë fli.

O ju të bukura ëndrra, të ëndshme argëtime,
magji aq të ëmbla, fort të përsosura harmoni,
poshtë faqes suaj zien hareshëm e me hijeshi
një pasion errësire, pasion me gjak e mjerime.

Në zbrazëtirë sillet, por pa siklete e pa halle,
e lirë kjo jeta jonë dhe në zbavitje gjithmonë,
por fshehtas vërtet të etur ne jemi të rrojmë,
ne ngjizim, lindim, heqim dhe ikim për fare.

SHKRONJAT 

Herë pas here penën në dorë e marrim
dhe shkruajmë mbi një fletëz të bardhë
shenja që flasin, shenja që kushdo i njeh;
lojë është kjo dhe rregullat e veta ajo ka.

Po të vinte ndonjë breshtak ose marsian
dhe kësaj flete tërë brazda shenjëplota
një sy zhbirues tërë kërshëri t’i hidhte,
një botë krejt e panjohur do t’i shpalosej,
një radhë e tërë plot me figura magjike.

A-ja si njeri, B-ja si kafshë do t’i dukej,
thua se po lëviznin sy, gjuhë e gjymtyrë,
herë tërë maturi dhe herë tërë pasion,
gjurmë sorrash mbi dëborën e bardhë,
vrapim, prehje, vuajtje e fluturim me to.

Një botë mundësish krijuese do shihte
përmes simbolesh të ngrira e të zeza
duke rrëshqitur nëpër lajlelule rimore,
një botë dashurish të zjarrta e sëmbuese.

Do habitej, do qeshte, do qante, do dridhej,
Se, pas ndërlikës rimore të këtij shkrimi,
e zvogëluar fare do t’i dukej e gjithë bota
me tërë atë furinë e saj krejt të verbër.

Si xhuxhe e magjepsur e zënë në grackë
në ato shenjat hijerënda që midis tyre
aq shumë ngjajnë e i bëjnë binjake etjen
e jetës dhe vdekjen, epshin dhe vuajtjen,
dhe mes tyre ngjajnë aq sa dot s’i dallon.

Më së fundi ai breshtak do të këlthiste
me ankth dhe mandej një zjarr do ndizte,
ballin do përplaste e litani do këndonte,
mes flakësh fletën me shkronja do hidhte.

Ndoshta më pas, i përgjumur, do ndiente
se si kjo botë e rreme, lustër neveritëse,
do davaritej si të mos kishte qenë kurrë,
ai do psherëtinte buzagaz dhe i shëruar.

DUKE LEXUAR NJË FILOZOF TË LASHTË

Ajo që gjer më dje ishte plot fisnikëri e hir,
fryt shekullor mendimesh të përzgjedhura,
befas zbehet e vyshket e mbetet pa kuptim,
njësoj si në një partiturë tërë ato t’hedhura

ku çdo diez e çelës prej notave është hequr,
ashtu sikurse ekuilibrin humbet ndërtesa:
epohet e rrënohet, dhe tek ajo që ka mbetur
duket sikur harmonisë i është vënë fshesa.

Po ashtu dhe ajo fytyra e një plaku të urtë,
të dashur e të nderuar, keqas zhubravitet,
gati për t’u venitur krejt e mençurisë dritë
në një lojë mjerane rrudhëzash përpëlitet.

Edhe thellë në shpirtin tonë një gazmend,
sa ta ndiejmë, në një ngërdheshje kthehet,
thua se prej kohësh ne e dimë përnjëmend
se çdo gjë do venitet, do kalbet e do tretet.

Dhe mbi atë luginë të pështirë plot kufoma
prapë shpirti i sfilitur, veçse i paprekshëm,
ngre i kapluar nga malli fenerin flakërues
kundër mortjes, e vetë bëhet i pavdekshëm.

(Hermann Hesse: “Loja e rruazave prej qelqi”, 
titulli i origjinalit: “Das Glasperlenspiel”, 
roman në dy vëllime, kapitulli: “Poezitë 
e nxënësit dhe të studentit”.)

 

Përktheu në shqip: Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s