Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi
 
 
DURIMI
 
Në krye të ditës
Nisa udhëtimin
Në drithërima ëndrrash fikndezur,
Në kurrize resh vjeshtore
Në pyje e fusha vesëhedhur.
 
Ngjitem e rrokullisem
Përpjetash e tatëpjetash
Me zymbyla fushe përqafuar,
Në gjunjë të grisura udhëkryqesh pushova,
Në ndonjë titull gazete e reviste të shkruar.
 
Durimi
Më shkundi retë nga krahët,
Shall i purpurt perëndimesh
Supesh mu lakua,
Më shkrepi rrugët,
Shkriu mermerin e dimrave,
Më freskoi verat,
Shkundi mollët e vjeshtës.
 
 
 
MOTIVE VERE
 
Agimi çel guackën e lindjes,
Yjet një nga një i mori gjumi i vjetër,
Dielli zbret malet e rend nëpër fusha
Puthet me grunoret si çdo mëngjes tjetër.
 
Elikat korrëse me vesë këngët nisin
Mbi pamjet e arta që fushave vezullojnë,
Kallëzat në breshëri kokrrash kthehen
Autokombanjat me ar i mbulojnë.
 
Rrezet zenit si saç të djegin
Pikat e djersës grunoreve pikojnë,
Hyjnë kapilarëve të tokës së eshkët
Hambarët me grurë të mbushen vazhdojnë.
 
Motive gruri me këngë e djersë
Përdore kapur me lagunat pranë aty,
Si shkuma të bardha mbi to rrahin krahët
Patat qafëgjata në ballo dy nga dy.
 
Motive fushe me frymëmarrje të lirë
Si era e pyllit, si vala e detit,
Krahë zgalemi kudo, anembanë,
Të gjitha përkthyer në kurorë mbreti.
 
Motive vere me vargje poetësh
Shkulur nga gruri e toka blerim,
Nga shkëmbi mbi det e këngët e valës
Nga krahët e shqipes qiellit fluturim.
 
 
 
PËRTËRITJA
 
U rrëzua mali, s’kish më gjeth e tinguj
Furtunat thyen pemët,shpezët u larguan,
U përlotën mjegullat, nga sipër vajtonin
Dhe një çerdhe zogu varur në degë reje.
 
Jeta e vret ankthin,dhimbja del nga dhimbja,
Bari dhe lulja përsëri mbi shkëmb,
Tek çerdhja e vetmuar kthehet lauresha
Mori pamjen mali, vesh me ngjyra jete.
 
 
 
KONTRAST
 
S’jam mjegull,as re që lehtas era më shtyn,
Jam mëngjes i derdhur me etje ngrohtësinë,
Zëri gjumëzgjuar i shpirtit që don zhvillim
Pash më pash hedhur të mbjellë dashurinë.
 
S’jam jehonë fytyrëlyer me muzgje,
As dimër i ngarkuar vënë gardh e prita,
As myshk e likene kënetash malarike,
As mantel i zi shaluar me shpinë nga dita.
 
Livadheve mora erëmimin e lules,
Në fole bilbilash frymëzova vargëzimin,
Rimën e gatova me tingujt e këmborëve
I dhashë poezisë pa cicëron përkthimin.
 
 
 
BALADA E KURORËS SË BLERTË
(LURA)
 
Shumë pranvera pa pranvera përcolle
Me shtëllunga reshë flakuar,
Me oshëtima prerëse e therëse
Mizorisht mishin ta grinë,
Të sakatuan e lotuan.
Asgjë s’të mbeti nga ajo lavdi
Veç gurëve të malit,
Shkëmbinjve pa pyje e sorkadhe,
Reve të zeza
Që mallkonin e shkarkonin livadheve.
 
Dallgë – dallgë lisat binin,
Gurrat të zemëruara shterruan,
Shqipet të pikëlluara
Mbi dhimbjen e maleve vesh në zi
Fluturuan.
 
E vranë Lurën, perlën jeshiluar!
Majamalet shamibardha vajtojnë,
Shtatë sytë copa qielli lotojnë!
 
Në lakuriqsi mbetën malet,
Shpatet e kodrinat.
Loton durimi nga bukuri e vrarë,
Ylberet u shuan,
As për qyqen s’mbeti lis për të qarë.
 
Nën drithërima u shua ajo perri
Ku hëna pushonte,
Në freski ndrisnin shtatë yjet rubin
Dhe vetë dielli folenë aty e kishte.
U shua ai fllad pyjor e ujëvarë,
Ajo kupolë e blertë me sy nga qielli
Gjerdan xixëllues në ballin alpin.
 
E vranë Lurën, perlën jeshiluar!
Majamalet shamibardha vajtojnë,
Shtatë sytë copa qielli lotojnë!
 
E mbuloi nata mbretëreshën,e vran’,
Asgjë nga lavdia s’i mbeti
Veç një grumbulli trungjesh të kalbur
Buzë përrenjve harruar
Dhe një loti që qan.
 
 
MISTERI
 
Kam gëlltitur një krua lotësh
Kam gëlltitur një mal me dhimbje
Nën drithërima e përpëlitje
E kapa bregun.
 
U ngjita buzë ëndrrës me bukuri hënore
Të hapja kodin e qiellit,
Të hyja në parajsën e Beatriçes
Ëndrrën të prekja…
 
Misteri i kruspulluar
Më hoqi shkallën e ngjitjes
Dhe rashë
Nën britmën e plagosur.
 
Kockë e brengës det
E pagëlltitur dot
Në grykë më ka mbet.
 
 
 
VETMI
 
Bregu i vetmuar, si fusha pas korrjeve,
Tavolinat zbrazur, rrahur me erë vjeshte,
Fazanët në resorte poshtë lotit të gjethes.
Dhimbje ti vetmi, dimër maja kreshte.
 
ME HEMINGUEIN
 
Në kuvertë, unë, “Plaku dhe Deti”,
Sirena kaltërsie në detin tallaz,
Me flladin vinte agu, kristal nëpër valë,
plaku e kapi peshkun, mbetur në maraz.
 
KU
 
Reja hapi perden, doli hënë e ngrënë,
S’dihet se ku sonte dielli vend ka zënë!
Ndoshta në dimra lufte ku loti shi bie,
Të falë rreze drite paqe dashurie.
 
 
 
E DASHURA E DIELLIT
 
Jam e sinqertë me ty, dielli im
Edhe kur rrezja jote syrin ma picërron,
I zjarrtë je dhe kështu
I ngrohtë më duhesh
Të më pushtosh etshëm
Që herët në agim.
 
Jam e sinqertë me ty, dielli im
Më i shtrenjti yll i gjithësisë
Le të lejmë një pikëtakimi të dy,
Veç më ruaj, mos më djeg
Kur të puthem me ty!
 
Ngrohtësia jote më rrëshqet nëpër trup,
Rreth saj pjergull bëhem
Rëra e mornicave më futet nën lëkurë
Edhe atëherë kur nis e më largon,
Pastaj zë e kthehesh në zambak të kuq
Mbi përgjumjen e virgjër të detit
Ulesh e pushon.
 
Ngrohtësinë tënde ma ler peng
Deri nesër në agim
Dhe në mos ardhsh,
Retë e zeza rrugën të kenë zënë,
Shaluar në kurriz të erës
Bregut qiellit do të ngjitem,
Në copa t’i shqyej retë qorre të djersitura.
Përsëri ne të dy
Ngrohtësi e pjergull do të bëhemi.
 
@seti pezaku vladi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s