PIKËTAKIMI I DASHURIVE
Rreth antologjisë “ Buzët” (62 autore)
SHB “MUZGU” – Mark Simoni
Antologjia e autoreve shqiptare “ Buzët” mbledh në vete poetet e letërsisë moderne shqiptare të cilat e thejnë tabunë e hezitimit për t’i shprehur lirshëm ndjenjat femërore e në përgjithësi ato njerëzore. Të dashurosh, të ndjesh, dmth të jetosh e jo vetëm të ekzistosh.
Ideja e botuesit Mark Simoni i cili me kreativitetin e tij i motivoi edhe poetet për lajmtotiv të kësaj antologjie të jenë buzët. Buzët janë fillimtakimi i një dashurie, i një shprehjeje me fjalë goje, shprehje e lirshme e ndjenjave njerëzore.
Secila nga autoret me një mjeshtëri të mprehtë artistike shpreh përmes vargjesh çfarë thonë buzët, ato që shpesh janë edhe mister, ato që edhe në heshtje dinë të flasin për ata që dinë t’i lexojnë.
Poezitë në këto antologji sipas metrikës, janë me vargje të larmishme: Vargje të rimuara, vargje të lira dhe të gjitha me lajtmotivin e njëjtë: Buzët që flasin, qeshen, pëshpërisin, të rrëmbejnë dhe që dashurojnë, po edhe qortojnë. Të gjitha poezitë kryesisht e kanë një hapërim vulosës – dashurinë.
“ Mendim rraskapitës
Më mbete mbi buzët
Ta them mos ta them”…
( Eli Kanina)
Shkëputa disa nga vargjet e Eli Kaninës e cila përmes vargjesh me një art të mprehtë shpreh mëdyshjen e saj… Ta thotë apo të mos e thotë. Misteri i buzëve është magjik në vargjet e Elit.
Vlen të përmendet se autoret shprehin edhe ardhjen e tyre duke filluar nga buzët, pastaj vijnë ardhjet, ikjet e buzëve, fjalët e buzëve, heshtjet e buzëve, zjarret e buzëve.
Poezitë gjithashtu ngërthejnë në vete përplot figura letrare për t’i fuqizuar buzët dhe domethënien e rëndësinë e tyre. Shkëputa ca vargje nga autorja Eva Kacanja e cila aromës së dashurisë i falë epitete:
“ Me aromën tënde
Sherebel,
Lis,
Jasemin,
Në ujëra të shenjta përtërihem”…
Secila nga poetet shfaq mjeshtërisht vargun rreth kësaj teme në antologjinë “ Buzët”.
Meritë e veçantë për këtë antologji ka Mark Simoni me SHB” Muzgu” e që vlen të theksohet se kjo nuk është e vetmja antologji të cilën Marku e botoi. Ai motivoi edhe poetë nga të gjitha trojet shqiptare me tema të larmishme që të shkruajnë dhe ai t’i përmbledhë në shumë antologji të cilat sot qarkullojnë nëpër duar të lexuesve e që i takon një falënderim i veçantë për punën e tij.
Flora Peci