Shtëpia Botuese  “EMAL” publikon vëllimin poetik  “SYTË QËNDISUR ME VETËTIMA”  të autorit  TOMOR BUZI  me redaktim dhe parathënie  nga shkrimtari Vullnet Mato 

Shtëpia Botuese  “EMAL” publikon vëllimin poetik  “SYTË QËNDISUR ME VETËTIMA”  të autorit  TOMOR BUZI  me redaktim dhe parathënie  nga shkrimtari Vullnet Mato 

NGA SHPATA E TRIMAVE, TE POEZITË E RIMAVE

Duke marrë në dorë librin me poezi të poetit të ri të talentuar, Tomi Buzi, pasardhës i një fis luftëtarësh të dëgjuar të patriotizmit tonë kombëtar, befas m’u kujtuan vargjet e këngës folklorike, nga kryengritja e shqiptarëve të Jugut, për t’u shkëputur nga perandoria osmane: 

“Tafil Buzi, mustaqeziu,
në dorë shpata ç’i ngriu.”
dhe në çast më lindi mendimi të shtoj vargjet e mëposhtme:
“Tomi Buzi, stërnip i riu,
poezia në buzë ç’i mbiu.” 

Ky poet i talentuar dhe origjinal në krijimet e veta, që vjen nga fronti i punëve të thjeshta, dëshmon më së miri, se talenti lind bashkë me njeriun. Ajo që më bindi te ky autor, se kemi të bëjmë me një poet lirik origjinal, idetë e të cilit përcillen drejt krijimit të emocioneve tejet të ngrohta, është ndërtimi i vargut në mënyrë krejt të natyrshme. Ai ka në poezitë e tij një rrjedhshmëri lirike, që vërshon drejt idesë, se dashuria është ushqimi kryesor dhe balsami i vetëm, që zbut e shëron dhimbjet shpirtërore të njeriut.
Dhe ja si përqendrohet mendimi i autorit, te fuqia jetëdhënëse dhe transformuese shpirtërore e kësaj ndjenje, të mbartur nga një femër që e frymëzon me pamjen e saj engjëllore: 


Më vjen si kalë i bardhë, me krela,
Me flokët nga era harlisur përpjetë,
Herë si engjëll mbi lule të verdha, 
Herë si demon, nga një tjetër jetë. 

Unë përpëlitem nga ti, ndër ëndrra, 
Sikur frymën më merr prania jote, 
Emrin të kujtoj e më çahet zemra, 
Nga britmat e çjerra, të kësaj bote. 


Autori le të kuptohet, se misteri i forcës së dashurisë, qëndron pikërisht, te graviteti i shpirtit, për të përballuar përplasjen zjarrit të dashurisë, pa u shmangur prej tij, sepse dashuria është vitalitet, prosperitet, kuptimi suprem i ekzistencës njerëzore. 


Me kuaj të bardhë do vij nëpër natë,
Si kalores rrëfenjash në hapësirë.
Do të pres i strukur në natën e gjatë,
Nën qiellin e errët, deri në të gdhirë!…

Do marr pëllumba të bardhë mbi supe
E në ëndrra do të endem nëpër qiell,
Do t’i shtyj demonët, të ikin tutje…
Që mbi sytë e tu, të shoh vetëm diell…


Kufijtë e fantazisë në vargjet e tij, arrijnë hapësira të gjera të përfytyrimit, duke filluar nga ëndrrat, te drithërimat e këngëve të përmallshme dhe deri tek djajtë, apo engjëjt, me të cilët ai aludon për një dashuri të kohës së shkuar: 


Në cilën ëndërr, vallë kam rënë, 
E dot s’po zgjohem të të shoh në sy? 
Çdo varg që shkruaj, më bëhet këngë, 
E kënga kthehet në mall për ty! 

S’e di çfarë je, engjëll apo djall?! 
Kur të vështroj, më shkojnë drithërima. 
Mos je e shkuara, mbushur me mall, 
Qëndisur në shpirt, me vetëtima?!… 


Metaforat e dashurisë, që përdoren, si emërtim i nisjeve të ideve shtjelluese, për ndërtimin e poezive të këtij autori, janë në dukje të thjeshta, si filizat e një peme, si dielli i fshehur pas një reje, si gonxhja që çel në syrin e dritës. Por ato mbartin kuptim mjaft të thellë, brenda nëntekstit poetik, ku vezullojë gjithë pasionin e ndezur njerëzor për ndjenjën e dashurisë.


Ti je dashuri, që rritesh brenda meje,
Si filizat e një peme që çelin ngadalë.
Ti je, si dielli i fshehur pas një reje,
Je metafora e një poezie të rrallë… 

Ti je, si rrezja e një ylli në agim,
Je gonxhja e lules, që i çel syrin dritës.
Ti je engjëll i bukur i shpirtit tim,
Je për mua, diell i ngrohtë i mesditës.

Duke e ndërtuar përmbajtjen e librit të tij, brenda trinomit, Dashuri – Punë – Ekzistencë, autori Tomor Buzi, thur edhe konturet e nevojshme të kompozicionit, për të ngritur ngrehinën e bukur të dashurisë njerëzore, në të cilën endet heroi i tij lirik. 


Po të nis një lule, nga përtejdeti,
Bashkë me të një përqafim!
E bëra buqetë me vargje kurbeti,
Mbështjellë me shpirtin tim.

Sa shumë e prita këtë ditë,
Të thosha fjalët që s’ti kam thënë!
Të mblidhja sot gjithë dashuritë,
Ti shkruaja varg, mbi ballin tënd!


Ndërmjet shumë temave, që përshkruajnë botën e brendshme të heronjve të tij, për të pikturuar në poezi me pak penelat, karakterin e njeriut të mirë, tërheqin vëmendjen këto vargje:


S’të duhen fjalët, që thua ngaherë, 
S’të duhen ngërdheshjet, për të qenë njeri, 
Vetëm buzëqeshje me miq, një gotë verë 
Pak aromë djerse, nga puna, në shtëpi… 


Temën e emigracionit, dhimbjen e kësaj fatkeqësie kombëtare dhe shkaktarët e zbrazjes së vendit, autori i trajton në disa poezi të thurura me realizëm e nivel artistik, duke përdorur thirrjen tronditëse: 


Po ikin të gjithë… po ikin larg!… 
Si zogj shtegtar, që dimrit largohen. 
Dikush fshin një lot, e dikush kokën pas… 
Të tjerë për trojet përgjërohen!… 

Kthehuni!…ku shkoni kështu?… 
E lamë këtë vend të mjerë, të shkretë!
Ata që e përdhosin përditë, janë këtu, 
Trashur si derrat, me para e pushtet! 


Mund të rendisnim edhe mjaft vlerësime të tjera, të ilustruara me vargjet brilante të këtij poeti, por për t’ia lënë më tej lexuesit, të thotë fjalën e vet, më duhet të shtoj se libri i parë i poetit Tomor Buzi, të shfaqur së fundmi para lexuesve, është një vepër letrare e shkruar me pasionin e zjarrtë të zemrës dhe perceptimin poetik të një mendjeje, jo vetëm të talentuar, por edhe të mençur.

 

Vullnet Mato – shkrimtar, “Personalitet i Shquar”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s