Erë gjaku / Tregim nga Angjelina Marku

Erë gjaku

 

Tregim nga Angjelina Marku

Rrezet e diellit binin direkt në fytyrën e lodhur. I zbehur ngriti qepallat e sytë i ndeshen në qiellin lakuriq. Për një çast mendoi se ishte në botën e çudirave. Shikoi hapësirën e kaltër pushtuar nga dallëndyshet të cilat fluturonin të lira dhe dëgjonte cicërimat e zogjëve që këndonin për qejfin e tyre. Harroi se ishte në luftë. Shtrirë në dheun pa shtrojë e mbulojë po e shijonte natyrën e mrekullueshme të atij mëngjesi derisa u dëgjuan ca krisma armësh që tingëllonin larg dhe tek atëherë e kuptoi se trupi i shtrirë mbi barin e njomë ishte bërë akull. Pa i larguar sytë nga lartë lëvizi dorën e mpirë. U mblodh ngadalë të ngrihej por gjymtyrët kërkonin edhe pak pushim dhe meqë kishte bërë roje gjatë gjithë natës u lëshua përsëri përdhe. Në vendin ku e mbështeti kokën për të dytën herë iu bë se ndjeu erë gjaku. Filloi të nuhaste në ajër. E ngriti gjysmën e trupit dhe shikonte rreth vetes. Nuk pa asgjë të keqe përpos barit që kishte gufuar nga të gjitha anët. Me ndjenjën se një erë jo e mirë i mbushi hundët u ngrit në këmbë dhe i hapi krahët të përqafonte tokën e tij të pushtuar. Me duart lartë, sikur donte të fluturonte, e pyeti shokun se çfarë date ishte sot.

Shoku e largoi manzhetën nga kyçi i majtë i dorës, e shikoi orën dhe i përmendi datën.

-Oh, sot është ditëlindja ime! – përshpëriti Agroni nën krismat e rrafalëve të cilët shtoheshin gjithnjë e më tepër.

Për çudi i shkoi mendja ‘‘çfarë sikur të vritem?’’ pastaj e rrëmbeu automatikun nga toka dhe iku tek shoku që kishte vënë armikun në shënjestër. I heshtur gur i erdhi prapë i njëjti mendim. Atëherë ktheu kokën nga ai e tha:

-Çfarë do të mbetej peng nëse sot vritesh?

Genti e shikoi me habi e tha:

-Mos fol marrëzira, mos më thuaj asgjë.

Atij nuk i pëlqenin fjalët e trishta ngase kishte frikë se ai parandjente diçka të ligë.

-Sepse dua ta shijoj lirinë. – foli Agroni me zë të ngritur aq sa e dëgjuan edhe të  tjerët.

-Sa budalla që je. – i tha Genti kurse komandanti as që dëgjonte fjalët e djaloshit. Ai vetëm urdhëroi ushtarët të sulmojnë gjersa vetë qëndronte pas shkëmbit.

Para fytyrës së trimit u shfaq atdheu i djegur. Kënga e zogjëve u shndërrua në vaj e britma njerëzish ndërsa dallëndyshet në fishekë që tashmë fluturonin mbi kokat e tyre. Me automatik në dorë zbrazte breshëri plumbash në drejtim të armikut deri kur sytë e tij shtangën në vend e pastaj shikuan plagët që buronin gjak. Me gishtërinj i preku mishërat e djegur nga baruti dhe këmbët e lëshuan. Nuk lëvizte dot. Ngjitur për dheun e ndjente zemrën që ende i rrahte brenda krahërorit të vrarë, e ndjente edhe frymëmarrjen që i ndalej herë pas here. Ishte në kulmin e shuarjes kur papritmas një dorë e fuqishme i tërhiqte trupin kllap. Ishte Genti që e solli gjallë në zonën e Ushtrisë Çlirimtare.

I mbuluar në lëngun e kuq me sy drejtuar nga qielli mbushur me re të bardha mezi e shtyente vdekjen. Në ato çaste e kuptoi erën e gjakut, porse tani ndjente edhe një erë tjetër: erën e lirisë.

-Sa fllad i bukur! – pëshpëriti.

-Mos fol, – i tha Genti –  dhe mos i mbyll sytë, të përgjërohem!

-Si? Unë po loz me të! Është liria! Po e shijoj në pranverën time të shtatëmbëdhjetë! E ti thua….

E kollitura e cila doli nga gjoksi shporuar i këputi fjalët. Gjaku i mbuloi buzët e sytë i mbetën hapur sikur po u thoshte engjujve ‘‘më pritni se erdha, kurse ti o qiell ma bëj rrugën më të lehtë, të lutem!’’

Në atë çast trupi i Agronit u shkreh. Gentit iu bë sikur retë e zeza të qiellit u përplasën për zemrën e tij. Duke shtërnguar për gjoksin e tij qante për shokun por sa vlente kjo. Ai duhej të luftonte për shpirtin e vet. Duke mos patur kohë më për asgjë, me ndihmën e shokëve e mori shpejt trupin lëshuar përdhe dhe e vendosi ngadalë në kamion për ta varrosur më vonë në varrezat e dëshmorëve e e plot mërzi u zhduk në front …

******

Dhembja i mbante gjallë kujtimin për të. Edhe pse kishin kaluar njëzet vite ai kurrë nuk e harroi ditëlindjen e Agronit. Shikoi përtej dritares qiellin e nxirë dhe kodrën me lisa shekullor që i kishin shtrirë degët mbi trupat e atyre që pushonin paqësisht në dheun tashmë të lirë. E veshi një sako të lehtë e pa i treguar askujt u nis drejt varrezave ku prehej trupi i djalit të ri. Në dorë mbante buqetën me trëndafila. Pikëllimi ishte kurth që i kishte kapur peng zemrën e pashëruar. Ishte dhembje që i tkurrte të gjitha dhembjet sepse e ndjente trishtimin si ditën e rënies. Sikur të ishte i qetë ecte në drejtim të varrit mes varreve, tek varri i atij që po të ishte gjallë sot do ta festonte ditelindjen e tridhjetë e shtatë.

U afrua ngadalë tek Agroni dhe lëshoi lulet e bardha në pllakën mermer. Sytë mbështjellur në lot ishin gati të shpërthenin. I pikëlluar shikoi fotografinë e djalit shkrirë në gurë që dukej me miliona herë më i bukur se engjulli i vizatuar përkrah tij. I puthi fytyrën gravuar në mermerin akull, e tha:

-Urime ditëlindjen i shtrenjti i tokës nënë! Sa na ka marrë malli për ty, i dashur! Sa do të doja të pija kafe me ty trimi im, i miri i Kosovës, i miri i asaj që e le përgjithmone duke vajtuar. A e mban mend kur me the ‘‘nuk dua të vdes vetëm për një arsye: ta gëzoj lirinë’’? Por mu atë ditë ti u vrave, mu atë ditë kur i mbushe të shtatëmbëdhjetat. Mos më thuaj se nuk të kujtohet se nuk të besoj, mos më thuaj se dheu të ka shkatërruar kujtesën se nuk e pranoj. Jo, nuk e pranoj, – po fliste me të sikur të ishte gjallë, – e di ti sa herë në ditë e pyes veten: a po e gëzoj lirinë unë që nuk u vrava? Po i dashur, por copa-copa. Të plotën e mbajnë për veten e tyre ata që dikur fshiheshin pas shkëmbinjëve. Kosova ende kundërmon trishtim, i shtrenjti ynë. Tokës sonë ende i vjen era gjak, gjak që dhemb më shumë se në luftë. E kupton ti? Më shumë se në luftë. Kjo liri mua më vret shpresat shumë më shumë se kur luftonim me armikun, sepse sot nuk dimë kundër kujt të luftojmë. Si thua ti? Të luftojmë kundër vetes? Ta marrë djalli këtë punë! – bërtiti nëpër shiun që nuk kishte të ndalur.

Vetëtimat shkrepëtinin sikur qielli do të puthej me dheun. Shikoi në horizont, nuk pa asgjë përveç lisave që mbanin krahun e njëri-tjetrit për të mos u shkëputur. Shikoi brenda varrezës e i dukej se edhe të vdekurit i kishte fashitur stuhia. Lulet gjithandej ishin palosur, ndoshta nga frika, kurse mbi varrin e shokut vlonte mjegulla e krijuar nga shiu.

Lagur deri në asht dhe i mundur deri në palcë nga jeta pas çlirimit u largua me trupin e krrusur thuajse mbi shpatullat e tij rrinin ulur këmbëkryq të gjithë shpirtat e varrezës.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s