Poezi nga Sinan Vaka
MESNATA
Të fundmit na mbrujti me baltë krijuesi i universit .
E dinte egoizmin ende pa na krijuar,
që kërkojmë më tepër nga ç’ kemi .
Dhe vetëm kur shikojmë humbjen në prag depresi
Kujtohemi si dredharakë
dhe qartësohemi kush jemi.
Më ndodh shpesh që mesnata mi mbyll shtigjet
dhe dëbora zbret mendimeve në heshtje .
I pajetë tek fle, i pandjeshëm si një jetë që liget
Vetem ti e ylltë më mban gjallë me iluzionin përqeshje.
Ah ! Ëndrra të mesnates së vonë
Unë i vetëdijshëm se do të largohem një ditë…,
por Zot , përse midis shtrojesh ndjej ftohtë
Kur kujtoj dashuritë ?!..
KUAJT
Duan pak nga jeta. Pak tërshërë pas lodhjes
dhe do ta përçmonin tërësisht mitin e Trojës,
duke shfryrë flengrat e mëdha prej joshjes
me shtërvane avujsh dhe shkumë prej gojës.
Mallkuar qofsh Uliks që u hoqe rropullitë,
Zemrën kafshërore, bajgërinë, çdo zorrë,
për tmerre epokale, për vdekje të mëdha
dhe u vendose nënbarkut , tanke dhe kryqëzore.
Nga jeta duan pak . Tagji dhe blertësinë e fushës,
pastaj në kaleidoskopin e kthjellët të syve,
do ti ndjeni dëshirat e mëdha të djersës, të punës,
për lëmenj gruri deri larg ndër yje.