Anton Marku (Kosova)

Anton Marku (Kosova)
 
Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore e të mesme i mbaroi në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Fakultetin juridik e përfundoi në Universitetin e Prishtinës ndërsa në Vjenë studimet master në shkencat politike.
Ka 10 vite që jeton dhe punon në Austri.
Me shkrime letrare ka filluar të merret qëkur ishte nxënës. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar nëntë libra me poezi, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune:
 
1. ‘‘Cikloni i dashurisë’’ (2000)
2. ‘‘Gjurmë mbi hije’’ (2002)
3. ‘‘Dielli i mesnatës’’ (2004)
4. ‘‘Vizioni blu’’ (2010)
5. ‘‘Në duet me vetveten’’ (2012)
6. ‘‘Ishjut e jetës’’ (2018)
7. “Du meine Stimme’’ (‘’Ti, zëri im’’, 2018)
8. ‘‘The islands of life’’ (‘‘Ishujt e jetës’’,2018)
9. ‘‘Në secilën hije pak dritë’’ (2019)
 
Ai po ashtu është prezantuar edhe në disa antologji në Austri dhe Gjermani, si në: ,,Man fragt mich, ob ich bin (2009); ,,Stadtschattierungen’’ (2015); ,,Words and Worlds‘‘(2016); ,,Liebe’’ dhe ,,Wir, bewegende Steine’’ (2017); ,,Ausgewählte Werke XXI’’, ,,Anima‘‘dhe ,,Ein Tag meines Lebens’’ (2018); revistat ,,Zwischenwelt’’ 2014), ,,Aktuell’’ (2017), ,,Literarisches Österreich’’ (2017) dhe ,,Literamus 45’’ (2018), si dhe në disa antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim.
 
Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë,i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Words and Worlds‘‘, i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, Klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”, Bruksel.
 
GJENEZA
 
Ditën që u zu dielli
për të parën herë
jeta u fërkua me vdekjen
 
vrimave të zeza
heshtja i shtriu duart
ta prek fundin
 
vorbujve
e përdrodhi era
si një avull ujërash
të përvëluar
 
koha e përplasi
në tokën e askujt
 
para syve i kaluan
flluska drite
drithnaja
 
larg
ca dyer të hapura
 
fjala
nga lart rrëshqiti
 
para gjunjëve të qiellit ra
 
jetës gji i dha.
 
 
MOLLË E EVËS
 
Mollë e mëkatit
u shkëput e ra
në dorën e saj
 
ajo
nuk deshi ta kafshojë
por Adami i tha
 
duart u mbetën
varur degëve
 
jeta u përdrodh
nëpër dhëmbë
 
këmbët i mblodhi
dhe u nis botërave
 
koha filloi
të gërryejë vetveten
orët t’i numërojë.
 
 
GJUNJËZUAR
 
E djeshmja
nuk po lejohet
të varroset
 
nga e sotmja
në të nesërmen
shfletoj
kohëra
si në një libër besimi
 
hijen time
hedh mbi supe
dhe i druhem
 
e nisem
largësive
fijet e zërit tim
t’i lidh nyje.
 
 
 
PORTRET
 
Kur gjithçka nisi
nuk kishte kufij
as mure,
kishte vetëm fillime
 
para nesh
u hap
një portë e re
 
ne hymë brenda
dhe u humbëm
eshtrave të atdheut
 
fati pa
letrat tona
 
diçka e padukshme
na barti dimrave
 
pa na pyetur:
– sa do të zgjasë
përjetësia.
 
 
DUARTHATË
 
Më shumë po dhembin mëkatet
se sa plagët
nga gurët në gjoks
 
shpirti i mirë
në trupin e keq
vuan
 
nga fantazmat
do të ikë
 
mjegullave fshihet
fytyrë e skuqur
 
duarthatë
e kalon urën
përskaj fajit.
 
 
RRËNJË
 
Në librat e shenjtë
gjendet apo fshihet
e vërteta?
 
Çka erdhi
e çka jo
nga qielli?
 
Cila dorë i shkroi
ato që nuk u thanë?
 
Si i gjeti rrugët fjala
nga goja në gojë
deri tek ne?
 
 
Në këtë,
apo atë botën tjetër
do digjen
të fjeturit?
 
 
 
FJALA
 
Vdes
njëqind herë në ditë
e prapë ringjallet
 
përgjithmonë
përjetësisht
pafundësisht.
 
 
QIRIU I BARDHË
 
E mira dhe e keqja
takohen shpesh
 
në secilën hije pak dritë
në secilën dritë pak hije
 
para mijëra viteve
yjet nisën të puthin
buzët e shpirtrave të etshëm
 
që nga atëherë
engjëjt u dënuan
të mos mund të ëndërrojnë më
 
vetëm njerëzve
fati u troket mbi shpatulla
çdo ditë.
 
 
KRYQI
 
Në këtë botë vdekatarësh
jo të gjithë janë heronj
as shenjtorë
 
lum ata
që gjenden
aty ku duhet
 
mos qofsha
në lëkurën e atyre
që zvarriten
pellgjeve.
 
 
 
SHKUARJA
 
E di
se nuk të mund dot
andaj
nuk ta kam frikën
 
kurdo që të duash
më merr
 
por më parë
më le të jetoj
 
pjesën time të rrugës
ta bëj
 
duke ecur
kurrizit të jetës
në këmbët e mia.
 
 
I PENDUARI
 
Tërë jetën bredha kotësirave
derisa të takova
në librat e shenjtë
në lutjet e të premteve
në predikimet e të dielave
 
në gjuhën time më fole
në më të mirën gjuhë
 
sa afër të paskam pasur
e nuk e paskam ditur
 
më fal
për vitet e mykura
që jetova pa ty
 
vetëm
mes njerëzve si unë.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s