“UDHËTIMI I FUNDIT”- NJË VEPËR QË TË TRAUMATIZON ME RRËFIMIN E TË PAZAKONTËS DHE TË MREKULLON ME SHARMIN ROMANESK / Nga: Dr.sc. Bardhyl Maliqi

“UDHËTIMI I FUNDIT”- NJË VEPËR QË TË TRAUMATIZON ME RRËFIMIN E TË PAZAKONTËS DHE TË MREKULLON ME SHARMIN ROMANESK

“Udhëtimi i fundit” i romancierit Konstandin Voglit, në krijimtarinë e tij është vepra që të traumatizon me rrëfimin e të pazakontës nga njera anë dhe të mrekullon me sharmin romanesk nga ana tjetër. Skena rrëqethëse kemi edhe në librat e tij me tregime si “Ura e prishur” apo “Kur vidheshin yjet”, te romanet “Çudia e Ujqërve” dhe “Treni i Jugut”. Por ky roman që kemi në duar konkurron në këtë drejtim me novelën “Masakra”, por shkon edhe më tej, pasi ta sjell të keqen te pragu i derës. Protagonistin e saj mund ta kesh gjiton apo farefis. “Udhëtimi i fundit” është një libër që lexohet me një frymë, që zhbiron në thellësitë e shpirtit njerëzor, që të kujton jetë të tjera të njohura e të panjohura të qytetit tënd apo vendshtegëtimeve të tua.

Nëpër të gjitha qytetet tona dhe jo vetëm tonat, në qendrat urbane  si Saranda, ku ka një “Shtëpi fëmijësh” siç e ka faktikisht  ky qytet, ky roman lexohet me një përjetim emocional të fortë, pasi ti si qytetar në të përditshmen tënde i ke njohur realisht personazhet e tij, ndërsa tek të tjerët, tek lexuesit e provincave p.sh. vepra duket si një fantazmagori ankthoze, ku realiteti nxihet dhe ku ka një dozë teprie të trillit krijues. Do të rrekem t’iu bind se nuk është kështu. Lënda e kësaj vepre i krijon këto bindje.

Pasi kjo vepër e Konstandin Voglit nga njera anë ka përqasje të forta me Biblën e Kuranin, me teorinë e rimëshirëmit e ritrupëzimit, të Karmës etj. nga ana tjetër ka pika takimi me disa romane të famshme të letërsisë botërore. P.sh. Nëse romani “Shpirtra të vdekur” i Nikolloaj Gogolit konsiderohet me të drejtë si kryevepër e simbolizmit, e satirës dhe groteskut, që gjatë leximit të shkakton një lloj brenge për fatet njerëzore, por dhe të mahnit me gjetjet groteske apo“Shpirti”i Dr. Brian Weiss është një libër i jashtëzakonshëm për rimishërimin dhe jetët e shkuara mishëruar në të njëjtin trup, atë të Katerinës, pacientes së psikoterapistit të falshëm, një histori plot mistere e të panjohura të aqshumëpërfolura të teorisë së rishpirtërimit që të brengos, por edhe të fal shpresë për të nesërmen. Romani i Konstandinit nuk të shqitiet nga kujtesa.

Autori i këtij libri ka jo vetëm një fantazi të zhvilluar, por fondament bazë me qasje të vërtetë ndaj shkencës. Po ta dëgjosh të flasë për fetë e Perëndimit ose të Lindjes; për orgjinën e racave njerëzore, për përbërjen e trupave qiellorë apo për dobinë e bimëve si barna dhe  shërues natyrorë, si p.sh. për rigonin apo hudhrën, shafranin apo aloeverën bindesh se ai mund të ishte bërë jo vetëm artist dhe romancier, por edhe klerik, shkencëtar apo politolog, por jeta vetëm pak mundësi i dha. Ai u privua për shumë vjet prej luftës së klasave nga shkollimi artistik, të cilin e ndoqi më pas. Por Kostandini ka ditur që me intuitë dhe fantazi produktive t’i qaset kërkimit të sotëm shkencor i cili në thelbin e tij pohon se nuk ka vdekje të ndërgjegjes, vetëm vdekje të trupit,  se mekanika kuantike lejon ndërgjegjjen që të jetojë edhe pas vdekjes.

E lexojmë me ankth edhe romanin, e kutojmë fare mirë atë meszh të madh të humanizmit, që ka thurrur brendinë e kësaj vepre, që të bën për vete dhe ta robëron mendjen. Unë dhe shokët e mi, si shumë bashkëqytetarë, që vërtet e kemi njohur personazhin kryesor fatkeq të kësaj vepra, Blertin, ashtu si kemi njohur edhe  dhjetra Xhulianash e Isanash, Lizetash e Arbenësh.  Kjo ndjesi të detyron t’i bësh gjyqin vetes Po unë? Po ne? Ç’bëmë ne për këta njerëz? Vërtet nuk kishim mundësi financiare për t’i ndihmuar veç e veç, por së bashku mund të bënim diçka, por mundësi që ta bënim publike çështjen e tyre dhe sivëllezërve dhe simotrave të tyre kishim. Edhe mundësinë për të trokitur më me forcë në dyert e pushtetit vendor apo qëndror e kishim. Dhe nuk e bëmë. Ky ishte shkaku që atë ditë, që pamë nekrologjinë për vdekjen e tij nga të ftohtit, ngelëm si të paralizuar.

Por në këtë vepër ka edhe përpjekje për ta mishëruar dhe sendërtuar humanizmin brenda dhe jashtë territorit të detyrës dhe oborrit të një ngrehine sociale si Shtëpia e Fëmijës Sarandë. Një nga drejtuesit e institucionit, njeri me përvoja të tjera të mëparshme udhëheqësie siç është rasti i Vangjel Pullës, është gdhendur besueshëm, pasi nuk jepen vetëm pozitivitetet e tij, por edhe mangësitë. Kjo mbase e bën me realiste veprën. Disa ndër edukatoret, p.sh: Shpresa, Angjellua dhe Shqipja, luajnë edhe rolin e nënave të munguara për këta fëmijë. Por edhe brenda kësaj godine që ka për mision strehimin, ushqyerjen, shkollimin dhe edukimin e tyre ka edhe tipa që nuk meritojnë t’u përmendësh as emrin, pa le t’i quash edukatorë. Banaliteti tyre, fjalori vulgar dhe fyes, rrahja dhe denigrimi janë pjesë e së përditshmes në jetën e këtyre fëmijëve. Edhe në ditët tona, bile edhe në kohën kur shkruhej kjo vepër në shtëpi të tjera fëmijësh ndodhnin skena dhune, të denoncuara në medja dhe jo një, por me dhjetra raste.

Konstandin Vogli

Autori tërheq vëmendjen mbi rolin e familjes, mbi përgjegjësinë e vet të rinjve, veçanërisht në moshën e adoleshencës, mbi rolin e organeve të pushtetit dhe politikëbërjes, mbi marrdheniet seksuale të parakohshme apo ndërhyrjen e “biografisë” në fatet njerëzore, por më tepër edhe në papërgjegjshmërinë e këtyre nënave të reja, që vetëm këtë emër nderi nuk e meritojnë. Edhe qentë e macet kujdesen për këlyshët e vet, ato as këtë ndjesi amësie nuk e kanë. Është e çuditshme, por e vërtetë. Autori, në brendësinë e veprës jep disa raste, që nuk mund të quhen të vetmuara dhe sporadike, pasi nuk është vetëm një apo dy. Kjo do të thotë se misioni i familjeve të tyre të orgjinës nuk është përmbushur. Familja e ka për detyrë të edukojë tek vajzat ndjesinë e amësisë dhe tek djemtë bindjen e prindërimit dhe sensin e përgjegjësisë.

Të gjitha ankimet e këtyre shpirtrave që jetojnë pasjetën e vet, një gjetje romaneske e bukur e veprës, i jep dorë autorit të flasë në emër të tyre duke denoncuar shoqërinë e sotme pikërisht në thelbin e saj, në politikat e saj sociale, kaq të munguara dhe problematike. Nëse protagonisti i kësaj vepre do të kishte një strehë banimi, a do të vdiste nga i ftohti dhe kequshqyerja? Po Xhuljana nëse nuk do të ishte e pangrënë, a do të ngjitej në pemë për të marrë farëzat e boçeve të pishave a do të rrëzohej me pasojë vdekjen në moshën 12 vjeçare? T’u privosh fëmijëve ushqimin, nuk është vetëm një teknikë absurde edukimi, por një teknikë me pasoja fatale, një sjellje e vërtetë kriminale.

Personazhi, ku Kostandini si autor qëndron më gjatë është Isana, një viktimë jo vetëm e sistemit komunist, por edhe të atij  pseudodemokratik, jo vetëm e keqtrajtuar dhe përndjekur nga fati në atdheun e vet, por edhe në emigrimin e paligjshëm në Itali. Një dashuri e vonuar dhe me pasoja për të me djaloshin italian Xhuzepe, mungesa e dokumentave, përndjekja policore, kthimi në vendlindje, infektimi prej sidës, lindja e fëmijës dhe përvetësimi i saj prej personash të tjerë, janë ngjarje me tragjicitet, me pasoja vdekjen e Isanës, e cila megjithëse shumë e sëmurë përpiqet për ta gjetur dhe për ta njohur pjellën e vet. Kjo do të thotë se ajo nuk pati fat se përndryshe do të behej pasqyra e një nëne ideale, që ka mësuar nga përvoja e vet e hidhur se çfarë do të thotë të bëhesh nënë.

Autori i librit, zoti Kostandin Vogli, ka arritur të sendërtojë vlera edhe në drejtim të kompozicionit të veprës. Është një roman me dy linja veprimi. Nga njara linjë është Blerti si personazh kryesor i veprë, por fjala e tij kryqëzohet herë pas here me linjat e dyta, ku kemi rrëfimet e ankimet e protagonistëve të tjerë të veprës. Kostandi i kryqëzon e harmonizon bukur edhe përshkrimet e rrëfimet, pasi ai si shkrimtar përdor dhe e shkrin rrëfimin me përvojat e tij të gjata si piktor, si autor librash për të rritur dhe për fëmijë, ku ka vënë përvojat e tij jetësore dhe artistike në lëvizje duke na dhënë përshkrime jetësore që të rrëqethin trupin dhe shpirtin, ka gdhendur karaktere të besueshme dhe jetësore të të dyja kampeve, shpesh përballë me njeri-tjetrin, ka evidencuar probleme social-politike dhe ekonomke nëpërmjet rropatjeve të personazheve të tij fatkeqë, që na rrëfehen si shpirtra në pasvdekje, por si në një jetë të dytë. Ky roman ankthesh dhe ankimesh të rrit përgjegjësinë qytetare, cilido qofsh ti i nderuar lexues. Autori përmes planeve shpesh psikologjike, ka arritur tek evidencimi i disa shtresëzimeve dhe problematikave, të cilat ta imponojnë këtë përgjegjshmëri. Dhe këto nuk arrihen lehtë. Ndaj kjo vepër shënon vlera të veçanta në art dhe bashkohësi.

 

Nga: Dr.sc. Bardhyl Maliqi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s