Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi
 
 
PARFUMI I JETËS
 
Kam marrë të gjitha petalet e trendafilit.
Numëroja netët e ankthta
Të mungesës tënde
Mbështjell
Prej mëndafshi të ngrënë fërgëllimash.
 
Një petal për çdo zhgënjim
Një petal për çdo heshtje
Një petal për çdo mungesë
Një petal për çdo mungesë përgjigjeje.
 
Mbështjell me ngjyrat e shpirtit
Prisja e ngunuar
Nën dritën e zbetë të hënës.
Vajtimi i erës që shiu e lagte
Më mpiksej
Në përvazin e frymëmarrjes.
 
Vështirësia e gjatë e konservimit
Përballoi ruajtjen e aromës
Trëndafilit special që më dhe ti,
Parfumin e jetës.
 
 
 
KTHIM NGA PARISI
 
Po kthehem sonte nga Parisi.
 
Pashë koloret e harkut të ylberit.
U ndjeva balonë lidhur
Në krahët e shqipes n’flufurim.
 
Pashë
Pavdekësinë e panteonit të Hygoit.
Hapa perdet e artit të ujëvarave.
Më jehoi
Trokitja e çizmeve protokoll të Napoleonit
Kur hynte me kalorës në Lizé.
 
Me vete mora yjet e Kullës Eiffel,
Oshëtimën e fitoreve të Harkut të Triumfit,
Freskinë e brigjeve të Senës.
Vargje smeralde ia vura kujtesës.
 
Në tufë lulesh lidha
Tri krismat trëndafil të Avniut
Në emër të Popullit!
 
Po kthehem sonte
Me Elisabetën e “Katedrales Parisit”.
 
 
 
LULELOTI
 
Rrjedhin luleloti sytë e tu gazelë.
E dij brengën tënde që thellë të mundon,
Ka dhe dhimbje t’ëmbla jeta, mikja ime
Pranvera dashurie me brigje të kujton.
 
Shoqe klase ishim, tekanjozja mike
Djali që të donte pas teje le të vinte,
Paçka se ti si hëna pas reve e ndiqje
Syri i tij fajkua në syrin tënd flinte.
 
Drithërove një natë në ëndërr kur e pe
Me trëndafil në dorë drejt teje afrohej,
Kur ti hape krahët ta përqafoje deshe
Hark ylberi bëhet, kodrave largohehej.
 
Kur hap kanatet agu, udhëve të gjeti,
Kanarinë plagosur si era u solle
Pikë-pikë ankthi mblidhej e kthehet n’vaj,
Ndaj me luleloti udhët na i mbolle.
 
 
 
RRETHIMI
 
Sa herë na rrëshqet buzëve kjo fjalë
Njëherësh një rrudhë ballit na shton,
Fjala nuk zezon e tëra në gatim
Ka dhe nektar lulesh që rrjedh e pikon.
 
I hidhur
Rrethimi tinëzar i armikut,
I kopesë së ujqërve me sytë që therin,
I zjarreve, përmbytjeve,
Dramave që dhembin,
I korbave gjakësorë që terre jetës mbjellin.
 
I ëmbël
Rrethimi i rrënjëve të tokës nënë
I qiellit të këngëve, ujëvarave të blerta,
I tufës me rreze në sytë e dashuruar
I djersës kristal derdhur nëpër delta.
 
Era më solli harresën që harrova
Paradën e servilëve ndezur ngazëllim,
Me zarfe korrupsioni pushtetin rrethojnë
Së largu një kambanë sjell tinguj vajtim.
 
 
 
TRILLI I NATËS
 
Të shquaj për së largu
Në netët e dërsitura të verës.
Me një grusht xixëllima yjesh në dorë
Mbledh brigjeve të qiellit
Trëndafilat e psherëtimave të diellit
Që magjepsin të gjitha Çirçet.
 
Dielli s’mund të fshihet
Në skutat e vetmisë së tij,
Thyhen përgjysmë ditët
Kur dielli fërgëllon në heshtje,
Shpejt shfaqet hëna mbi sup të një reje
Ngujuar nga pikëllimi i peshës së pritjes.
 
Trilli i natës
Më nxit tinëzisht,
Me duar t’ia zë sytë diellit
Të mos zgjojë ëndrra e pafjetur.
 
 
 
KOHA KU ECIM
 
Koha ku ecim, me acare dimri veshur
S’dimë cilës perëndi gardhin i shkelëm,
Me dhimbje në shpirt e mallin ngjeshur
Rrugëve muhaxhir’ të trembur ngelëm.
 
Lubia e etur na zbon nga burimi
Gris ëndrrat e bardha vaditur me gjak,
Si dallgë lumi refugjojmë nga zemërimi
Dashuria na kthen, korupsioni na flak.
 
Ky helm i shtrirë në skuta e deje
Nëpër shkallë ngjyrash rritet e larton,
Frëngjijve vështron kontigjente preje
Kur drita nuk ndizet, rrugëve të mërgon.
 
Ç’dallgë e solli tek ne këtë stuhi
Me shpirtin korb e puplat parime,
Me lotin e skamjes ngre fronin pasuri
Themeleve të saj nxin fjala krime.
 
Kjo specie e mbjellur barin fushës djeg
Këngët e Valbonës i kthen në vajtime,
Freskinë e pyllit e bën flakë e zheg
Kohës i mbyll sytë e rritet në vrapime.
 
@seti pezaku vladi
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s