Poezi nga Lida Lazaj

Poezi nga Lida Lazaj
 
 
NË KËTË ÇAST
 
Ç’është muzika?
Është ky tingulli ritmik i kokëdhimbjes
që pazellin e oksipitalit e shpërbën në njëqind copë
e me to ndërton një kafaz pëllumbash.
mandej bëhet shkop
e dirigjon kakofoninë e tingujve të këmbëve të gjata të shiut,
që luan në këtë çast
mbi një ansambël tamburesh,
prej lëkurësh njeriu.
 
Ose ofshamat e zemrës
kafshuar nga një yll deti.
ose tingulli, që shoqëron dorën e eterike të dashurisë
teksa qep plagët me gjilpërë e fill të artë.
 
Po piktura?
Piktura: pamja abstrakte e fytyrës sime,
kur buzët si një çift dallëndyshesh
fluturojne mbi oqeane të tallazitur e male të borëruar
e bëjne fole midis qepallave të tua të përgjumura
dhe kreshtës së flokut të ashpër e të pathinjur të tim ati.
 
Ose pamja abstrakte
që shfaq tablloja që rreket të fusë në kornizë
fragmetet e fytyrës tënde,
që fluturojnë drejt meje të përmalluara.
 
Po zemra, c’pamje ka zemra në këto caste?
Ah, zemra….
jo zemra s’shte e sëmurë,
ndonse rënkon dhe struket mes brinjëve,
si një gjeth i vyshkur vjeshte me ngjyra të përndezura,
që era se ka marrë qëllimisht
për të mos i vënë flakën universit.
e ndonjëherë vigjëlon si fari mes dallgëve,
për të pritur një fjalë prej teje,
që me gjasa ka për të ndodhur
kur shi peshqish të rigojë prej qielli.
 
Po dashuria?
Eh, dashuria…
është dora e avullt që qëndis dhimbje
në cohën e jetës
me fije ari.
 
 
SHPIRT KULLUAR
 
Asgjë tjetër s`kujtoj nga ajo kohë
Kur mesditën time e përkundi një përrallë
Veç lëvizjes së buzëve të përralltares
Dhe lotit që pikoi.
 
Përralla qe e lashtë sa bota
Dhe loti, lot njeriu qe.
 
Kur loti avulloi
Aty ku pikoi u përvijuan tipare fytyrash
Njerëzish të dashur
Një gjembth trëndafili shpoi zemrën
Gjaku vërshoi damarëve
Si klorofila në trup të pemëve.
 
Qe lojë dritash
Qe lojë ngjyrash
Qe lojë tingujsh
Qe lojë shpirti
 
 
Shpirti është ujë
E ujrat rrjedhin
E kurrë s’kthehen te burimi.
 
As ti mos u kthe, shpirt i kulluar
Kurseje veten dhe mua
Nga mundi i papërballueshëm
I përbetimit.
 
Shpirt i kulluar
Premtimet e betimet janë zakone njerëzish
Shpirti është lumë,
Lumenjtë rrjedhin.
 
 
 
KËSHILLË VETES
 
Palosi me kujdes flatrat e ëndrës
Vendosi në raftin e veshjeve të gjumit
Dhe mbath këpucët me taban të sheshtë
Që ecin rrafsh me shpinën e tokës
Dhe butë për të mos zgjuar dreqërit.
 
Kur jashtë të dalësh
Puthiti mirë dyer, grila e dritare.
 
Mos i beso ligjëratës së gjatë të frutashitësit,
Por krimbit, që ushqet me tulin e frutit
Ai dëshmon për torfën e kopshtit
Dhe ndershmërinë e kopshtarit.
 
Kujdes me bukën
Kujdes me verën
Kujdes me ujin
Kujdes me miqtë
Kujdes kujt puthje i dërgon
Më të devotmshmit për dashuri
Janë qeni i komshiut
Dhe macja e shtëpisë.
 
Kujdes vetja ime me dritën
Sidomos me dritën
Se pasi ka verbuar veten
Vishet me fjalë
Që shkëlqejnë nga përdorimi i tepërt
Të hyn nga ndonjë e plasaritur e fasadës
Dhe të verbon.
 
Kujdes e dashur me cilësinë
Me cilësinë e dritës sidomos.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s