Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi
 
 
SHQIPËRIA
 
Majat e maleve si krahë avionësh
Hapen qiellit,
Kope të bardha përrenjsh zbresin
Nëpër rrudha shpatesh.
 
Mes kreshtash valëzojnë copa qielli
Të zbritur,
Mjegulla të bardha hedhin supesh
Luginat.
 
Në prehër të fushave një sy gjumë
Marrin malet,
Gjerdanë vjeshtash zbukurojnë
Qafa kodrash.
 
Kështjellat hijerënda përkundin
Thesare legjendash,
Pllajave të blerta shtegtojnë
Zile e këmborë.
 
Buzët e fushave njomen me
Kaltërsi detesh,
Hëna copëtohet në mijëra hënëza
Mbi rrele valësh.
 
E ç’të ketë më shumë parajsa!
 
Eja piktor
Beteja të pret,
Bëhu mbret!
 
 
 
SHKOPI
 
Sa shpejt ikin ditët
Si krismat e një pushke!
Ikin vitet
Si oshëtima stadiumi në fitore.
Ikën jeta
Si gjethe pemësh nëpër vjeshta.
Ne, pa e kuptuar,
Marramenthi
Vrapojmë të gëzuar.
Gëzimi
Derdhet në korsitë e jetës.
Djersa pikon
Bima çel e korret,
Përsëri ne
Në marramendje jetojmë
Në të sotmen e djeshme,
Në të nesërmen e sotme,
Në fund,
Një shkop në dorë,
I vetmi që do na përcjellë
Rrugës së fundme.
Një jetë
Konvertuar
Me një shkop në dorë.
 
 
 
DRITË EDHE YJE
 
Flen Martini ëndrrave si vala mbi det,
Lëndinave mbledh lule, n’kopshte e shtigje.
Zgjohu pëllumbi im, zilja e parë të thërret
Në rrugën e gjatë me trëndafila e brigje!
 
Do lozësh me “Hirkon” fletëve të arta,
Me ylbere ngjyrash, me yje e balona,
Fletë-fletë do ngjitesh majave të larta
Nëpër male librash me ikse, ipsilona.
 
Sa shumë ato lule dorën zbukurojnë,
Çantën hedhur supesh, gëzimi të rrethon,
Paçka se sytë e trembur pika vese lëshojnë
Kur prindërit të puthin dhe ti i përqafon!
 
Të kapur përdore shkronjat po të presin
Vallen me ketrusha hedhin plot hare,
Rrugën ku do ecësh me yje do ta ndezin
Dritë edhe yje të urojmë dhe ne!
 
 
BETEJA E TORVIOLLIT
 
Prijësit arbëror në mendje i mbete,
Torvioll me thekrishte e mure prej balte,
Unazë historie e legjendë jete
Zjarrin që ndeze s’kish sulltan ta ndalte.
 
Si re e zezë zbriti e kodrinat mbuloi
Ali pasha me tridhjetë taborre ushtri,
Besën i dha Sulltanit, fitoren i premtoi
S’do kishte më këngë shpatash në Arbëri
 
Prushi yt i ndezur pashain herët zgjoi
Ëndërr të frikshme kish parë atë natë,
Sikur betejën lumë gjaku e mbuloi
Ushtria kish lënë kokën nën shpatë.
 
Mes dy zjarresh pashai viktimë mbeti,
Besa e dhënë gjëmím bubullime i vinte,
Arbërinë të veshur me shkëmb e gjeti
Si rrëke akullnaje shpresa po i shkrinte.
 
Dy malet përballë ajrin po i zinin
Prej andej mallkimi i zi po i vinte,
Dy male që fushës brez mesi i rrinin
Ankthi i betejës fytyrën po ia nxinte.
 
– Akin! – thirri turku mbi kalë i drithëruar
U derdh kalorsia e fushës vraponte,
Hingëllinin kuajt me tymin mbuluar
Luteshin ushtarët, Allahu t’i shpëtonte.
 
Me dritë yjesh arbrit me vesën u zgjuan
Shqipja sygjelbër krahët fushës ngriti,
Mijëra zjarre u ndezën e shkrumuan
Bashkë me fitoren dielli fushës ndriti.
 
Rrëshqiti errësira në mjegullnaja zajesh
Perëndimi e ndoqi me gjëmime deti,
Nga mbrapa dëgjonte ulërima vajesh
Kala që s’merrej, Torviolli i mbeti.
 
Shënim: Akin – sulm(turqisht)
 
 
 
PELERINË E GRISUR
 
Në bregun e sirenave me valët flokëbardha
Profetët e gjelbërimit derdhnin psherëtima,
Nën hije kreshtash me kurora të larta
Veronin ëndrrat vesh me cicërima.
 
Ky rrethim i virgjër me qiell pishnajash
Pelerinë që vishte bregdetin magjik,
Mbi kodra Durrësi si luan i shtrirë
Përtypte iliadat e detit epik.
 
Një ré ngarkuar me rrebesh furtune
Rrëmbeu foletë e hijeve të dashurisë,
I flaku në këmbët e rërës shkumuar,
Shqeu pelerinën e blertë të bukurisë.
 
Pisha truphedhura dashuruar me diellin
Ikët nervoze, dëshpërimin na latë,
Dhimbjen dhe brengën me vete e morët,
As bregut lamtumirë, as valës nuk i thatë!
 
@seti pezaku vladi
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s