Libri “Bleibende spuren” (Gjurmë të përhershme) dëshmi për një kohë dhe një gjeneratë / Nga: Safet Hyseni

 

Libri “Bleibende spuren” (Gjurmë të përhershme) dëshmi për një kohë dhe një gjeneratë
 
 
Nga: Safet Hyseni
 
Këtë vit Shtëpia Botuese “Rotpunktverlag” në Zürich nxori në treg librin “Bleibende spuren” me autoren Basrie Murati-Shakiri. Autorja është shqiptare nga Kosova e cila tani punon dhe jeton në Zvicër.
Sot kur kemi botime të librave me shumicë lexuesi i mirëfilltë kërkon cilësinë, të vërtetën, sinqeritetin, kërkon të jetë vetë një personash, kërkon të gjejë shpirtin e kohës, vërtetësinë, sinqeritetin madje dhe të zhytet në ngjarje. Libra të tillë që të bëjnë për veti janë të pakt, edhe pse ka shumë për të shkruar, treguar e thënë. Një libër i tillë që të bënë kureshtar dhe të detyron që ta lexosh e rilexosh është “Bleibende spuren” me autoren e lartpërmendur. Libri është i përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë është Kosova, jeta në Kosovë, veprimtaria e rinisë, e asaj rinie që çdo mëngjes mezi priste të bëjë diçka për Lirin e vendit të vetë, për Kosovën. Libri priret nga dëshira rinore, në një mënyrë që di të shkruaj një shtatëmbëdhjetë vjeçare, ku pas çdo aktiviteti ditor në shkollë e demonstrata në orët e lira merr lapsin dhe radhit ngjarje, detyra e obligime për të nesërmen për Lirinë e Kosovës, për “Kosovën Republikë”. Mu si Ana Frank ajo Basria shënon çdo ngjarje në “Ditar”, ditari i saj që sot është nëpër bibliotekat e librarit e Zvicrës, Gjermanisë e Austrisë, në një gjuhë që e flasin miliona njerëz dhe ku ka lexues e studiues të çmuar, rrëfen ngjarje të vërteta ashtu si i ka përjetuar një nxënëse. Përmes fletëve të ditarit ne mësojmë se si dita-ditës rritet dashuria për Lirinë, se si merr frymë “Kosova Republikë”, se si kjo frymë depërton në çdo familje, si arrin të zbardhen rrugët drejtë një qëllimi duke ndjek atdhetarët e devotshëm.
 
Forca e vullnetit rinor më e fort se hekuri e baroti i okupatorit
 
Vetë autorja e librit (ditarit) që nga viti 1988 ishte e angazhuar në të gjitha ndodhitë, ngjarjet, demonstratat, veprimtarit që ndodhnin në shkollë dhe jashtë saj. Vullneti dhe dëshira e madhe për lirinë e Kosovës e kishte mund çdo frikë dhe çdo sakrificë ishte në mendjen e çdo të riu për të lënë gjurmë sa më të ndritshme në kujtesën e të tjerëve dhe në arkivin e ngjarjeve historike. Basria për atë kohë duke lexuar ditarin thotë: “Ne vepronim atëherë kur ishte pothuaj e pamundur ta luftosh një pushtues siç ishte Serbia. Raporti i forcave ishte si të thuash një me dhjetë, por vullneti, dëshira për të qenë të lirë ishte më e fort se çdo hekur i armikut tanë shekullor. Ishin kohë të trazuara, kohë ku loti i dhimbjes për të rënët na udhëhiqte në protesta, demonstrata dhe lloj-lloj organizimesh kundër aparatit të dhunës e terrorit serb”. Aktivistët liridashës atdhetar, në mesin e tyre edhe vetë autorja e librit, u ekspozuan ndaj persekutimeve, të kërcënuar me burgime, tortura e vrasje. Si pasoj e aktiviteteve çlirimtare si shumë të tjerë, edhe gjimnazistja Basrie u aktivizua me vullnet e dashuri në grupe për të vepruar ilegalisht. Grupet ilegale kanë rregulla që duhet të iu bindesh. Aq sa vigjilent që është ilegali aq më i ashpër bëhej okupatori, sa më shumë që shtohej grupi ilegal po aq armiku rekruton bashkëpunëtor. Kështu që ende pa mbaruar gjimnazin autorja detyrohet që të largohet nga Kosova, të përshëndetet me shokët e shoqet, me familjen, me Kosovën duke shtrënguar mallin dhe rrit dashurinë. Ajo largohet me një dëshirë që sa më shpejt të kthehet në Kosovën e lirë. Largohet me një strajcë në krah ku aty ka fshehur ditarin pak bukë dhe një qepë, mjetë mbrojtjeje për sytë nga lotsjellësit e forcave kriminele serbe. Armatimi i vetëm i kësaj rinie e cila më në fund do ngadhënjej ndaj barbarisë së shekullit është vullneti për ta parë Kosovën të lirë. Lapsi i një të riu dëshmon siç është edhe autorja, ka lënë dëshmi dhe fakte të pamohueshme duke i dhënë lexuesit shpirtin e kohës. Ditari i saj ka ngjarje. E këto ngjarje rrjedhin si përroska duke bërë një zhurmë si melodi që të josh dhe formojnë lumin e ky lum quhet “Bleibende spuren”, që sot shitet nëpër librarit Evropiane.
 
 
Kopertina e librit
 
Atdhetari kudo lenë gjurmë
 
Pjesa e dytë e librit “Bleibende spuren” është shumë tërheqëse pasi sjell një mërgimtare të re të ngarkuar me shqetësime, mall e dhimbje për të afërmit, shokët e vendlindjen e saj atje ku çizmja serbe shkel, vret e djeg me më të madhen egërsi. Në pamundësi që personazhi vetë autorja të ndjek nga afër ngjarjet që ndodhin atje, ajo përballet me probleme të një natyre tjetër dhe që duhet dalëngadalë jo vetëm që t’i mësoj, por t’i vesh si tesha të përditshmërisë rregullat, zakonet dhe jetën zvicerane. Për tu kyqur në një shoqëri pa komplekse politike, gjinore e klasore asaj i duhet që të filloj një luftë tjetër, së pari me veten e saj dhe më pas me rrethin dhe më në fund edhe më gjerë. Në shoqëri me vetminë, po nuk dite si ta mundsh ajo të lenë pasoja, dhe nëse del e mundur asnjëherë nuk do mundesh të integrohesh në vendin ku do vazhdosh jetën. Kjo pjesë e librit përmban hapa integrues si dhe perspektiva të reja, për suksese që dita-ditës nuk mungojnë, por ka dhe dështime e shumë zhgënjime që i vijnë si lajme nga vendi i saj. Në shumë faqe sërish ka mall të pashuar madje dhe dhimbje, si dhe ligështi shpirtërore duke e mbërthyer në një torturë psikike në saje të pamundësisë për të ndihmuar të afërmit, shokët e shoqet veprimtare në vendlindje. Po në këtë pjesë ka një luftë të pakompromisë në mes të dy botëve, mes dy kulturave, mes dy mentaliteteve. Në disa faqe duket se autorja nuk ka forcë të shkëputet nga Kosova, nuk është këtu fjala për mallin, dëshirën për tu informuar apo për të ndihmuar, por për mënyrën se si e sheh të ardhmen. Edhe pse tani e larguar nga vendlindja ajo arrin që të dëshmojë për barbarin serbe në mënyrën më të argumentuar. Dëshmia më e madhe është, se forca e lirisë fiton çdo forcë tjetër, lapsi i saj të bind për vrullin rinor që dita ditës merr përmasa të mëdha në organizime të ndryshme. Libri brenda kapakëve nga faqja në faqe ka një jetë të ngjashme me miliona jetë të tjera anë e kënd Botës së robëruar, ka guximin që një rini duar thatë përballet me një kuçedër të armatosur. Kjo kuçedër siç u dëshmua kishte bërë plane për zhdukje fizike të pasardhësve iliro-pellazg. Rrjedha e shkrimit ka shpresë për ndryshim të kohës, për të mbjellë dashuri mes njerëzve, ka sakrificë, ka lot e dhimbje.
“Bleibende spuren”, është libër ku ka lënë gjurmë me pika gjaku që qëndisin një kohë të pakohë. Besoj se botimi i këtij libri ka një qëllim fisnik për t’i lëne një dëshmi kohës. Pastaj është dhe një guxim që një pjesë të jetës ta fusësh mes kopertinave dhe ta nxjerrësh në treg të lexuesve. Në libër ka jetë, por jeta e të rinjve shqiptar përveç dashurisë është e mbushur me vuajtje, dhimbje e pikëllim se ishin të detyruar të jetojnë një jetë tjetër nga moshatarët e vetë fqinj, jetë të cilën nuk e kishim përzgjedhur vet. Aty ka dhe frymëzim se si duhet të veprohet kur të rrezikohet apo të merret liria, si duhet të armatosim veten tonë me dije e dituri, me kulturë e qytetërim, gjithmonë duke mbrojt e kultivuar vlerat tona. Qëllimi është që të ecim përkrah botës së qytetëruar në barazi gjinore dhe ruajtje të identitetit të çdonjërit për të dëshmuar vlerat e identitetit tonë kombëtar. Brenda kopertinave të librit ka ngjarje shumë të vlefshme, gjithsesi edhe të lavdishme për një popull që kërkon lirinë e vet. Është një porosi për gjeneratat e reja se “Liria” e fituar me gjakun e rinisë nuk duhet lënduar, asaj i duhet punë që të rris shtatin mëvetësia e shtetit tonë. Libri ka dhe përballjen me integrimin në jetën zvicerane, që është një faktor përcaktues i fatit dhe jetës profesionale të çdo individi. Autorja thotë se: “Për të arrit atje ku synojmë me fjalë duhet bërë vepra dhe e para është t’i themi lamtumirë jetës patriarkale”.
Në pjesën e dytë të librit është zhvilluar një luftë që nuk kuptohet nga të tjerët që nuk janë përballur në një moshë të re me rregulla që diktojnë demokraci të lartë, por po të thellohesh të bënë përshtypje se pa interesim, vullnet, përpikëri, përkushtim, guxim e energji nuk mund të integrohesh në jetën zvicerane. Basria thotë se: “Mërgimi është një plagë e rëndë për shqiptarët. Një vuajtje dhe sakrificë për individin. Fillimisht je pa këmbë dhe pa gjuhë. Pa punë dhe pa familje. Unë gjeta forcë diku në thellësi të shpirtit tim dhe bëra shumë që njëherë të shkëpusë vargonjtë e patriarkalizmit, të emancipoj veten me vlera qytetëruese. Këto vlera do ishte mirë që t’i bartim tek gjenerata e re që rritet atje në vend, që të çlirohen nga dogmatikët dhe të ndërtojnë së pari sistemin e edukimit të qëndrueshëm, sistemin e një shkollimi cilësor. Fatin e njeriut e përcakton diapazoni i diturive që merr në institucione. Neve na duhen institucione patriotike vetëm ashtu do ta sfidojmë çdo pengesë që na del përpara. Institucioni i shenjtë familja duhet të zhvillohet me norma qytetëruese dhe debate të argumentuara e me fakte që shoqërinë ta mbaj në këmbë të shëndosha. Njeriu është qenie që çdo ditë kërkon diçka të re, në saje të këtyre kërkimeve ne çdo ditë hasim në zbulime të reja që ndikojnë në jetën tonë si individ, familje, komb… apo gjithënjerëzore”. Libri “Bleibende spuren” ka një kohë përplot zjarr, ka një gjeneratë që po kalitet për liri, ka një frymë që e solli lirin dhe është në kërkim të një fryme që të ushqej lirin.
 
 
 
Basrie Murati-Shakiri
 
Basrie Murati-Shakiri është lindur në Llapashticë të Poshtme të Besianës, ku dhe ka kryer shkollën fillore. Gjimnazin e ka vazhduar në Besianë të cilin nuk ka arrit ta përfundoj për arsye se ka qenë e përndjekur nga regjimi i okupatorit serb. Pas tre muaj jete ilegale ajo detyrohet që në qershor të vitit 1989 të emigrojë në Zvicër. Me gjithë vështirësitë, ajo ka arrit që të integrohet në një sistem me vlera të larta qytetërues dhe të orientohet në jetën profesionale. Basria arrin shumë shpejt që të bëhet një përkthyese e mirë dhe angazhohet nëpër institucione sociale, shëndetësore, gjyqësore dhe eduktivo-arsimore. Sot ajo është një përkthyese e akredituar në gjyqësi, ndërsa punon dhe si asistente mjekësore në Kirurgjinë Ortopedike në Inselspital, në Bernë. Çdo i ri ka shumë dëshira, por një ëndërr e ndjek me qëllim të caktuar, kjo ëndërr më detyroj që të jap biografinë e shkurtër të autores së librit “Bleibende spuren”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s