Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi
 
 
MOS MË KËRKO
 
Mos më kërko më si Orfeu…
I thithur nga gjaku,
Ngjyrosur nga Zoti!
U ktheva në folezën e qytetit tim
Shtrirë si luan në bregun e sirenave,
Rrethuar me pyll të dendur pishnajash
Ku deti kundërmon në fytyrë
Qiellin e kripur,
Të thurë gërshetin e ëndrrave
Lënë përgjysëm,
Ngjyrosur me argjendin e hënës,
Larë me lotin e diellit
Agimeve verore
Kur çelin të gjitha dashuritë
Mbuluar me krah’ engjëjsh.
Profetët e gjelbërimit derdhin aromat
Përzier me freski valësh dhe jodi,
Duke shtërnguar sigurinë e stinës
Më thonë të bie në gjunjë para detit
Në formën e një lutje,
Në formën e një puthje
Si Afërdita
Pasi përktheu gjuhën e dashurisë.
Nuk dij që kur të kam dashur!
Ndoshta,
Që dymijë vjet më parë…
Kur fryma dridhej etjes së lashtë
Pa ndryshuar inercinë.
Ishte hyjnore,
Nuk varej nga unë.
Tani,
Më duhet t’i ngul dhëmbët gjuhës
Deri në përgjakje
Për të mbytur klithmat e dhimbjes
Që çajnë qiellin.
Ishte bekim perëndie,
Ekzistencë
Në ambiguitetin e reales,
Violinë që ngriti duna tingujsh mbi ré
Që ushqejnë engjëjt.
Mos e kërko më Mona Lizën
Kur të zgjidhësh zinxhirët e zhgënjimit!
 
 
 
PASTEL
 
Hijet mbyllën ngadalë dyert e natës.
Vetëtima thyhet në kurriz të qiellit,
Plasarit porcelanin e vetmisë
Në tehun e heshtjes që flet
Me kthinat e zemrës
Që rri varur në veshët e natës.
Sirena e shiut
Kumboi me padurimin e pritjes
Për të shijuar me majë gjuhe
Grimin e pranverës.
Një bulkth
Më ngjirej vazhdimisht nëpër zë.
Bashkoj ëndrrën
me cicërimën e bulkthit.
Agu që po vjen
Troket në portën e malit,
Shtriq krahët e valëve mbi det,
Më ndez shporta dëshirash
Trazuar
Me mallin e zërit tënd
Që nis ditën e re.
 
 
 
SIDO QË TA KTHESH
 
E grisa renë e vetmisë.
Të pastër e ruaj
Porcelanin e buzëqeshjes
Me çadrën e dëshirave hapur.
Mëngjeseve të rëndomta
Çaj shtëllungat e qelqta të mjegullës
E përtypem në gojën e kohës.
Marramendthi
Eci gishtërinjve të ditës
Për tu shartuar sy më sy me diellin
Ku rrezet orkestrojnë uverturën.
Ti je i vonuar
Për të ardhur tek unë!
Megjithatë,
Sido që ta kthesh,
Më thërmohej në fytyrë mungesa jote(!).
Netët mbulohen
Kokë e këmbë prej ne të dyve
Që përgjojmë
Harbimin e gjelbërt të prillit
Kthyer kurriz më kurriz
Me njëri-tjetrin,
Të paarritshëm.
Sido që ta kthesh,
Ti je i vonuar
Për të ardhur tek unë!
 
 
 
ËNDRRA NË DREMITJE
 
Zgjuar rri.
E marr shtruar natën.
Vetmia ime pikon vargje.
Përreth vetes ndërtoj një mur.
Më mungojnë të gjitha frikërat.
Qetësinë nuk e turbullon
Zhurma e hardhisë së egër
Që vjell zemërimin si tufan vjeshte,
As fluturimi i një zogu të natës,
As zhurma e shiut
Që bie si një thesar nga lart
Në harbimin e gjelbër të prillit.
Nuk më ndezin
Zjarrin e ëmbël të shpresës
As kujtimet,
As pendimi.
Pas këtij muri
Derdh fantazinë time:
Vizatoj tiparet e një ylli
Me shkëlqim rrezellues.
Skicova përsëri,
Si një natë më parë
Fytyrën e tij.
Dhe muri përsëri mu shemb,
Si një natë më parë.
Tronditja më përzihet
Me ndjenjën e marramendjes së beftë.
Dremitja ime,
Nga xhami i dritares
Futi tinëzisht
Agun e qelqtë të ditës së re.
Gjumi,
Më kishte zënë
Mbështjell në krahët e diellit.
 
 
 
DHIMBJA E SORKADHES
 
Pështilleshe e çpështilleshe nëpër natë
Pyllit pa qiell
Sorkadhja e ngratë!
Silueta të gjymtuara
I dilnin përballë
E ndiqnin përbri
I ecnin përmbi.
Dhimbja përçartëse e padukshme
Si një kafshim hijesh
I kthehej në mijëra thika
Sa shpirtin e diellit në fotone drite
E thërmonin në copëza nate.
 
Eh, ajo natë pa hënë…!
Ç’ tjerrje e thurje të shëmtuar
I kishte servirur…!
Gazi i ngeci si një thua në grykë.
Era mblidhte kokrriza lotësh
Shpërndarë në faqet e pyllit.
E priste këtë dhimbje,
E kish mësuar përmendësh
Nga të vjella krrakëllima nate…
Toka dhe pylli të kruspulluar
Një metër katror dashurie i dukeshin.
 
@seti pezaku vladi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s