Poezi nga Xheladin A. Çitaku

Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

VËRTITJE PA CAK

*
Në asfaltin e arnuar dëshirat fishkëllejnë
në udhëkryqet e kohëve lajthitur shikimi
ambiciet e zbrazëta uritshëm rrëkllejnë
racione ëndrrash ku ushqehet tundimi.

*
Shpresa të molisura në shesh parakalojnë
kërrusur kurrizesh e hapat heqin zvarrë
ngazëllimet boshe shpesh herë i shfrenojnë
që shpërthejnë rrufeshëm me afsh e zjarrë.

*
Në kryqëzime rrugësh mendjet harbohen
vërtiten pa cak ndër kahje të zhgënjimit
imazhe ngjyrash në vegime ngatërrohen
nakatosin përdreq copëzat e ëndërrimit.

*
Në kryqëzime ndjenjash shpirti trazohet
nëpër lojra intrigash dinjiteti katandiset
në kohëra karnevalesh fytyra mbulohet
dhe mashtrimi i radhës në maska stoliset.

*
Llogje hipokrizie do ringjallin kamuflimin
në arnat e asfaltit reflektohen të vijëzuara
në udhëkryq pa semafor huqin orientimin
marshojnë tutje nëpër shtigje të rrëgjuara…

 

ÇAST

*
Pranverën e shpresës flladi përshkon
freskon shtigjet, nga vapa zhuritur
thellësi e shikimit kornizat i thërmon
veç çastin e stolisur, sytë duke soditur.

*
Siluetë e hijëzuar nga rrezet e diellit
buzëqeshje hojesh dhuron bujarisht
freski ledhatuese nga vesimi i qiellit
e ngrohtësi ndjesie shpirtit të brishtë.

*
Ngulitje vështrimi, hotizontin qarkon
shigjetë e mjaltosur, shigjeton me ëndje,
si rrezëllimi i hënës errësirën që largon
feksin në agim vegimet e një ëndërre.

*
Përkëdhelja e lehtë, puhizohet këndshëm
në tablo ngjyrash kthjelltësia pikturohet
i falë qetësinë shqetësimit të trandshëm
braktisë zymtësinë dhe fytyra ndriçohet.

*
Tipare t`buzëqeshura në jetën e molisur
nga shpirtërat përzënë shijen e hidhur
flatruar ngazëllimi si futur e qëndisur
si nota melodie n`tela zemre të dridhur.

*
Në linja harmonish shëmbëllimi vijzohet
binjakëri idilesh në gërshetë ndërthuren
n`gravura shpirtëzimi nektari përjetësohet
si gdhendje jete, në përjetime që s`shuhen…

 

IDHUJ TË SKADUAR

*
Shpura mjeranësh me kostume marrëzie
defilojnë në jetë si ushujëzat gjakpirëse 
shpresat i vrasin me këmesa çmendurie
në shfrenime pa fre me fytyra pështirëse.

*
Shpura injorantësh shpirtin bërë fërtele
dorë matrapazësh me dinjitet të zhlyer
që e shkojnë në hell dhe një kope me dele
se fytyrën në të zezë, koha u ka lyer.

*
Trimoshë të pompuar, ndezur pasionesh
si piromanë legjendash që djegin vampirë
ambicien ushqyer me verbëri iluzionesh
nga padronë stepash, që i dehin në delir.

*
Shaluar përbuzjen dhe lëshuar në revan
korifej t`errësirës që kohërat mbijetuan
himne zezonash shëndërruan në sllogan
psallin përditshëm për idhujt që skaduan.

*
Kasollja e vogël nuk është për viganët
veç për zvarranikë që fshihen në kashtë
nën lëkura shenjtërishë gjallojnë tiranët
që ndër duar u ka ngelur dopio e gjashtë.

 

TELAJË ËNDRRASH

*
Një drithërimë ndijohet në thellësi
sikur moti që vetëtimë shkrepëtinë 
shpirtin përshkon tejpërtej si energji
ndjenjat ledhaton dritëhëna që ndrinë.

*
Kthjelltësi shikimi e buzëqeshje si dielli
kaq këndshëm shfaqet n`horizont agimi
nga shkëlqimi i rrezeve ndriçohet qielli
e lëngëzohet gjethi nga pluskime vesimi.

*
Grerëzat e ambicies thumbojnë emocionin
që shalon, drejt yjesh, tundimin në flatrim
marramendje e lehtë shpërfytyron vizionin
që përhumbet i dehur e tretur në ëndrrim.

*
Grerëzohet mendja nga shqetësim i bukur
udhët i ngatërron nëpër shtigjet e vështrimit
kur syri mbërthehet ngulitshëm në një flutur
dhe vijëzon shpresat me ngjyra të ndriçimit.

*
Portin e qetësisë dallgëzimet ç`e trazojnë
ngazëllimin e ankoruar me veloret e kohës
në stërkalat kërcimtare ënërra pikturojnë
si vegime magjepsëse, që i shfaqen botës…

 

FSHISAT S`JANË LISA

*
Bërbëlitjet zënë vend në llafe e llafosje
fjalë përgojimesh të zhlyera në baltosje
miopë e hipokritë marazin e shfryjmë
ambiciesh t`shfrenuara fytyrën e ndyjmë.

*
Gjykojmë çdogjë, të gjithë mençurakë
një gjëje të vetme, s`i vëmë dot kapak
veç tjerrim e dredhim, si perin e leshtë
s`e mbulojmë dot mashtrimin e sheshtë.

*
Mbushim dynjanë përplotë me përrallisje
herë me të ngjara, më shumë me kurdisje
herë shpikim ide, e herë bëjmë analiza
për ta bindur botën se fshisat janë lisa.

*
Stolisim vetveten me grada dhe tituj
injorancën bëjmë tërkuzë dhe kapituj
i servojmë botës për thellësi mendimi
me fjalë të dëgjuara, mimika imitimi.

*
Veshim dhe ngjeshim kollare, kostum
shtytim squllosjen të rrjedh posi lumë
por mendja e squlltë s`ka lumë që e zë
se bëhet firomë, dhe as gjurmë nuk lë.

*
Llupësisht, në gjithëdije u lëshuam azat
por bretku i kënetës nuk bëhet dot at
veçse buzë moçalit bënë sikur këndon
me zërin e vrazhdët që njeri s`e dëgjon…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s