Beteja e fundit e Zenel Gjolekës
Sprovë
…vijim….
5-Në fillim të vitit 1852 drejt Shkodrës u nisën prijësat popullorë të krahinave jugore shqiptare në ndihmë të malësorëve që udhëhiqeshin nga Kapidani i Mirditës Bib Doda, i cili kishte nisur rezistencën popullore ndaj sulmit malazes në rrethinat e Shkodrës. Këta ish udhë-heqës të kryengritjes së 1847, të arestuar dhe internuar në Konjë e Stamboll dhe të amnistuar nga Sulltan Abdylmexhiti I në vitin 1849 dhe 1852 ishin Zenel Gjoleka e Hodo Aliu, Gjikë Thanasi e Jani Ligori, Halim Toto e të tjerë që u prinin formacioneve shqiptare. Sulltani kishte pranuar që këta prijës rebelë, në këtë konflikt me Malin e Zi, t’u prinin forcave shqiptare. Këtë miratim e dha, duke fshehur mllefin që kishte ndaj tyre për refuzimin e ftesës së tij për një angazhim ushtarak të prijësave dhe kryengritësve shqiptarë (të internuar prej ), në rradhët e forcave turke në luftën me Rusinë, refuzim i bërë me me preteksin se “u duheshin forcat për të mbrojtur tokat e tyre”. Sulltanit nuk i premtonte koha që të sillte forcat turke nga kufiri luftarak me rusinë, prandaj pranoi që teritoret shqiptare të veriut të mbroheshin nga vetë shqiptarët, të udhëhequr nga prijësat e tyre. Dhe këta u nisën shqipëtarisht…Shqipëtarët e ulëshuan/ Se ish lufta në kufi/Nga të gjithë anët shkuan/Me Gjolek’ në Mal të Zi.
Lufta filloi në zonën e Kërnicës duke u shtrirë në krahunë e Taraboshit…Taraboshi brigje brigje/ Mal i sertë pa fare shtigje…dhe duke marë përpjestime të mëdha… Taraboshi brigje-brigje/ Mali i sertë pa fare shtigje/ Iu qep Hodua një kurrizi/ Nxori pallën e lamurisi/ Karadakn’ ç’e lanetisi/ Hodua me gjithë Gjolekë/ Me trima toskë e gegë/ Ju ngjitnë malit përpjetë/ Ik o Niko[1], se të zunë/ Brenda në Rekë t’u futnë/ Reka me kulla të larta/ Nga Çetina
dukej flaka[2]…
Duke u përballur me sulmin e furishëm të shqiptarëve…Hodo trimi nur o nur/Fora me këllëç destur/Në qafë te karaulli/ Topçinjtë të gjall i zuri…, malazezët ndryshuan taktikën e luftës, nga një sulm e mbrojtje frontale në një luftë pritash.
Në një pritë të tillë ngritur në Kërstiqe ra edhe Zenel Gjoleka me shokë… Dërgon Vlladikë qafiri/ Ju kapedanë sa ini/ Shkallën e Kërstiqit ziri/ Vjen Gjoleka po t’i bini…Populli e di që trimat vetëm një herë gabojnë, kur bien, ndaj vajton gabimin e Gjolekës… O Gjolekë trëndafili/ Nuk ma priste fiqiri/ Të të gënjente qafiri….
Beteja ishte e ashpër. Malazezët shfrytëzuan pozicionin dominues. Përleshja mori formën e një masakre mbi shqiptarët …Në çark kur Gjoleka hyri/ Çu ndezë batare tymi/ U tund vendi nga rënkimi/ Vuri hingëllimin çili….
Lufta u ndez në të gjitha frontet…Gjithë kapedanë tanë/ Luftojnë me Karadaknë/ Mbahu, mbahu Halim Nuri/ Se vjen Hodo trim desturi/ Me dymijë djem prej guri/ Me dymijë malësorë/ Gjithë me kordhë në dorë/ Gjoleka me Karadaknë u ther/ Sa rroi palla s’iu terr/ I erdhi vdekja me nder./ Bashkë me Gjik Thanasnë/ Në Karadak na u vranë/ Në sinor ngulën bajraknë[3]…
Zenel Gjoleka plagoset rrëndë ndaj i lutet shokut të tij Shuaip Qordukës ti presë kokën dhe tja largojë nga vendi i luftimit, mundësisht t’ja çojë në fshat, që malazezët mos tja marin për ta ekspozuar si trofe… Shuaip të kam si djalë/Jam lavosurë në ballë/Mos më le në ta të gjallë/ Hiqma kokënë me pallë. Por Shuaipi nuk ka ndërmënd të largohet nga fusha e betejës ndaj i përgjigjet…Ç’thua o Zenel aga/ Këtu mbet’ dhe imija’/ Bashkë të na bëjnë varrë[4]/ Se pa tij s’kthenem i gjallë[5]…Të vrarët nga forcat shqiptare ishin të shumtë, por ishin vetëm të vrarë. Robër nuk pati nga forcat e labërisë. Shumë prej tyre u vranë duke u përpjekur të mbronin shokët apo kapedanët dhe pas rënies, në sy u dallohej meraku i familjeve aty larg, në labëri apo bregdet… Gjikë Thanasi o lule/Kur u përgjunje e re/U kujtove edhe the/Më mbet nëna kallogre/Motra manastireve/Dhe gruaja vajzë e re…
Lajmi i rënies së kapedanëve në luftën me malazeztë erdhi me gjëmime në Labëri.
S’mbeti sy pa derdhur lotë e s’mbeti vajtore pa ligjëruar. Qysh në ditët e para, mosbesues për vdekjen e Gjolekës, vajtoret e kërkonin të vinte prapë… O zot dëgjova një fjalë/ Na kërkon mbreti nizamë/ Ngrehu edhe këtë radhë/ Të nxjerç të shkretën pallë/ Të përpiqesh me pashanë/ Ashtu si keshe zananë/ Të shkretatë këto vende/ Për ty e për pallën tënde…
Këngët e vajet për luftën dhe rënien e Zenel Gjolekës janë të shumta[6], por si për pak heronj nga Toskëria, për ‘të ka edhe këngë të tipit “majekrahi” të kënduar në Kosovë[7] Kjo dëshmon se emri dhe fama e tij, kishte një përhapje mbarëkombëtare. Kjo këngë e prezantuar nga Ahmet Qeriqi e paraqet Zenel Gjoleka si “kapedan i Toskërisë, i Gegërisë dhe i gjithë Shqipërisë”. “Këtë këngë heroike, me elemente epike për nga përmbajtja, e kanë kënduar rapsodët e mirënjohur të Kosovës, si Riza Bllaca, Sali e Feriz Krasniqi, Bajrush Doda, e këndon aktualisht Augustin Ukaj dhe shumë rapsodë të tjerë të njohur të Kosovës e më gjerë”[8]. Po japim më poshtë këtë këngë, sipas A.Qeriqi kënduar nga Bajrush Doda, për efektë studimore:
Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka pe flet nji fjalë,
Hej e hej, mor, Gjon Leka po e flet një fjalë.
Po na i ban, mor, po i ban, po i ban varret me vaje,
Hej e hej mor, po na i ban varret me vaje.
(Po na i len mor, po i len, po i len nanat pa djalë,
Hej e hej, mor, po na i len nanat pa djalë. (Augustin Ukaj, variant)
Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka po i hyp’ dorisë
Hej e hej, mor, Gjon Leka po i hyp dorisë.
Gjan’ e gjat’, mor, gjan e gjat, gjan’ e gjat’ po shkon qarshisë,
Hej e hej mor, gjan e gjat’ ja lshon qarshisë.
Shkon tuj ble mor, shkon tuj ble, shkon tuj ble barut shahisë,
Hej e hej mor, shkon tuj ble barut shahisë.
Gjon Leka, mor Gjon Leka, Gjon Lekën pe tretë gajretin
Hej e hej mor, Gjon Lekën pe tretë gajretin.
Asht idhnu’ mor asht idhnu’, asht idhnue krejt mileti.
Hej e hej, mor, asht idhnue krejt mileti.
Se po merr, mor, se po merr, se po merr haraç me veti
Hej e hej, mor, se po merr haraç me veti.
-Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka ku ma le atin?
-Hej e hej, mor, Gjon Leka ku ma le atin?
-Ma ka ma marrë, mor, ma marrë, ma ka vjedhë ai Leka i Gati.
-Hej e hej mor ma ka marrë ai Leka i Gati!
-Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka ku e le dorinë?
-Hej e hej, mor, Gjon Leka ku e le dorinë.
-Ma ka marrë, mor, ma ka marrë, ma ka vjedhë, Knjazi i Cetinës,
-Hej e hej, mor, ma ka vjedhë Knjazi i Cetinës.
Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka i pari i parisë,
Hej e hej, mor, Gjon Leka i pari i parisë.
Komandant, mor, komandant, komandant i Toskënisë,
Hej e hej, mor, komandanti i Toskënisë.
Komandant mor komandant, komandant i Gegenisë,
Hej e hej, mor, komandant i Gegenisë.
(Hej e hej, mor, komandant i gjithë Shqipnisë. )
Pikërisht te ky burim informohemi se për Gjolekën egziston edhe një këngë greqisht[9] e titulluar “Gjon Leka Luani i Shqipërisë”( To Gjonleka Asllan tis Alvanites) të cilën nuk e disponojmë..
…vijon…
[1] Knjaz Nikolla
[2] Shih te M.Kokalari vepra e cituar fq 171 ose G. Zile “Vdekja e Gjolekës, sipas Epikës Historike”
[3] Shih te M.Kokalari vepra e cituar fq 171 ose G.Zile “Vdekja e Gjolekës, sipas Epikës Historike”
12.7.2017
[4] Zenel Gjoleka u varos afër kullës së Oso Kukës
[5] Shih te 58..
[6] Ahmet Qeriqi nga Kosova shkruan: Në vëllimin e “Dytë të Epikës Historike, Tiranë 1981”, janë shënuar më shumë se pesëdhjetë këngë dhe fragmente këngësh për Gjolekën dhe trimat e tij, ndërsa nuk janë prezantuar këngët që këndohen në Kosovë dhe në viset e tjera të Shqipërisë. Në “Visaret e kombit I”, Shkodër 1937, mbledhur dhe redaktuar nga Karl Gurakuqi dhe Filip Fishta janë prezantuar rreth 20 fragmente këngësh, për Zenel Gjolekën dhe kapedanët e tjerë të kohës së tij, pa përfshirë këtu këngët e trevave të veriut të Shqipërisë dhe të Kosovës.
[7] Ahmet Qeriqi: “Kapedani i Labërisë, Zenel Gjoleka, personazh i një këngë të trimërisë që këndohet në Kosovë” Kultura…20/09/2012.. Shih dhe .. G. Llojdia “Zenel Gjoleka – prijësi i tradhtuar”.. 28.4.2012
[8] Ahmet Qeriqi, vepër e cituar më sipër.
[9] Këngë referencë te shkrimi i mësipërm i A.Qeriqit
Nga: Timo Mërkuri