Varri i djalit (Legjendë) / Nga: Agron Shele

Agron 1

Nga: Agron Shele

Varri i djalit
(Legjendë)


Pranvera kishte trokitur dhe blerimi i ishte qepur shpatit të malit deri në kufijtë e borës. Ujërat e ftohta lëshosheshin poshtë gjithë gurgullimë dhe dredhonin nëpër monopate për t’ u bashkuar së fundmi në lumin poshtë fshatit. Fshat nëse mund të quhej, sepse më së miri mund të thuash ngulime, të cilët jetonin me blegtori dhe ishin vendosur sipas kufijve të kullotave. Ditët kalonin mes monotonisë së zakonshme e mbrëmjeve me britma e flakadanë për të trembur ujqrit që të mos i afroheshin tufës në nome. E nesërmja zbardhi majën e malit e u var më pas kreshtave. Dita filloi të shfaqte format e egra të terrenit, ndërsa përpara syve ngrinin krye honet e thepisura që shushurinin nga vrapimi thuajse fluturimthi i dhive të egra nëpër zhavoret e bardha. Vëllai më i vogël hapi derën e kasolles dhe u priu dhenve përpara. Ato ngjitën lugun e Halilt dhe u futën në Shparth, zonë që përmbushej nga bredha të mëdhenj shekullorë dhe bar të rihur poshtë drizave dhe gjineshtrave. Ai zuri vend në një breg dhe nisi të gdhendte në dru dashin përçor. Për deri sa qentë nuk po lehnin, tufa dukej e qetë në kullotë dhe ai nuk kishte pse të ngutej. Forma e krijuar nuk e përmbushte plotësisht dhe brirët nuk e kishin harkun e duhur, po dhe tek sytë e tij dukej sikur vinte një përvaj, aq sa për një moment u trishtua dhe ishte gati ta flakte fare. Ky mund i kishte marrë thuajse gjithë ditën, kështu që nuk ja vlente të riniste nga fillimi. Rregulloi dhe detajet e fundit, por sërish pikëllimin nga sytë e tij nuk e hoqi dot. Koha kish fluturuar pa u kuptuar fare, ndërsa këmborët e para nisën të dëgjoheshin. Aq shumë ishte dhënë pas gdhendjes, sa dhe bukën që kishte marrë me vete e harroi fare. U ngrit në këmbë dhe vështroi drejtimin që kishte marrë tufa. Të parët edhën qentë, të cilët nuk harruan të përkëdhelen para këmbëve, ndërsa ai për besnikërinë e tyre i shpërbleu nga buka e tij e përditshme. Nuk kaloi shumë kohë dhe balli i tufës u shfaq. Ai fishkëlleu disa herë, ndërsa vibrimi i tingullit çau ajrin përreth duke jehuar brigjeve. Muzgu nisi të varej ngadale në tajtë të mjergullt duke fshehur nëpër errëti ato shkrepa të thepisura, të cilat humbisnin nëpër natë dhe zgjoheshin të nesërmen me po të njëjtën madhështi. Djali ju afrua nomesë, ndërsa dy vëllezrit e tjerë prisnin në krye të vathës.

– A u lodhe Nik– i tha vëllai më i madh.

– Jo! Por kam gdhendur diçka sot – dhe i zgjati punimin e tij në dru.

– Kjo qenka e mrekullueshme.

– Nuk më mbushet mendja. Nuk e kam bërë si duhet, por do e provoj sërish .

– Shko brenda, se je i lodhur, ndërsa ne po mendim qengjat – dhe i ra krahëve.

Niku hyri brenda, u ul pranë zjarrit që thuajse nuk shuhej asnjëherë në atë vatër, por nuk e ndjeu ngrohtësinë e tij. Dukej sikur diçka e mundonte. U ngrit vrik në këmbë dhe doli jashtë. Hodhi sytë nëpër atë mjegulli, e cila në atë natë me Hënë të tkurrur dukej edhe më e frikshme. Beftas një blegërimë jehoi nga bregu përballë dhe filloi të bëhej edhe më kumbuse. Dy vëllezërit e tjerë u afruan pranë tij dhe nisën të dëgjonin me vëmendje.

-Ti ke harruar jashtë dashin përçor- tha vëllai më i madh. Shko merre sa pa e çarë ndonjë ujk – dhe u drejtua sërish nga vatha ai.

Vëllai më i vogël nuk foli asnjë fjalë, por ju qep kodrës në atë gjysëm errëtie dhe arriti majën. Mbajti vesh për ndonjë zhurmë, por asgjë. Fishkëlleu disa herë dhe thuajse përgjoi majë atij bregu, por veç fëshfërimës së majave të bredhave nuk dëgjohej gjë tjetër. Qëndroi gati për një kohë të gjatë, por sërish asnjë zhurmë, veç ndonjë kërcitje e lehtë që shkaktohej nga ndonjë kafshë e egër. Zbriti poshtë monopatit, por kur arriti në stan, nisi të dëgjohej sërish po e njëjta blegërimë. U bë gati të kthehej sërish, por vëllai i mesëm e preku tek supi.

– Rri këtu ti, se do shkoj ta marr vetë.

Dhe ai humbi nëpër natë, si vetë ajo errëti që do e pushtonte përjetësish me krahët e saj më të zinj, por më kot. Asgjë.

“Mos ndoshta është ndonjë perri që kërkon të luajë” –mendoi me vete.

Por gjithësesi dashi që printe kopenë mungonte, prandaj s’ duhej të ishte shumë larg. U orvat për një kohë të gjatë mes atyre shullenjve dhe shkurreve, por nuk arriti ta gjente dot. Ashtu i dëshpëruar zbriti në nome, ku po e prisnin dy vëllezrit e tjerë. Ende pa u afruar mirë në majë të kodrës ja behu sërish blegërima, por kësaj radhe u rishfaq ndryshe,  ashtu sikurse ishte, me brirët e tij të verdhë dhe rrotulluar rreth vetes e majat e mprehta si kreshtë, ndërsa leshi i bardhë i shndriste.

– S’ po e koptoj- u tha të vëllezërve. Ose është djalli vetë ose ndonjë perri që kërkon të luajë me ne. Nuk lashë vend pa kërkuar dhe asnjë shenjë ose gjurmë të tij. Sa zbresim poshtë shfaqet majë atij bregu.

– Ju po luani me mua – u hodh vëllai më i madh. Ai është majë bregut e ju s’ doni ta merrni.

– Po shkoj sërish u hodh Niku.

– Jo ti nuk do shkosh askund i tha vëllai i mesëm. Nëse do le të shkojë vetë Gjoka.

– Unë jam më i madhi foli ai i xhindosur, prandaj ose shkoni e merrni dashin ose mos hyni më në nome.

Kaq u desh që mes atij sherri të vrigëllinin gërshërët e dhenve, e mes përndritjes së bardhë ardhur nga maja e bregut, i cili dhe sot jehon mes heshtjes blegërimën e mallkuar dhe rishfaqjen e pamjes së dashit fantazmë,  të tre vëllezrit të shuheshim, ndërsa majën e kodrinës vit pas viti e shekull pas shkelli ta identifikonin, si: Varri i Djalit!

Shënim: Emrat e përdorur janë marrë nga toponistika e vetë krahinës Malëshovë (Leskaj)

shullenj – sheshe të vegjël mes pyllit ose shkurreve që preken shumë nga rrezet e diellit.

@sheleagron

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s