Arratia e fundit e tim eti – Bruno SCHULZ / Përktheu: Agron TUFA

Arratia e fundit e tim eti

Bruno SCHULZ

Kjo ka bërë vaki në një periudhë të vonë e të përhumbur rënieje të plotë, në periudhën e likuidimit përfundimtar të punëve tona. I kishim hequr me kohë tabelat që vareshin para hyrjes së dyqanit tonë. Nën qepenat e lëshuara përgjysmë nëna po shiste tinës mallin e mbetur. Adela qe larguar në Amerikë. Tregonin, se anija me të cilën lundronte ajo, ishte mbytur, dhe të gjithë pasagjerët vdiqën. Ne asnjëherë nuk u besuam këtyre zërave; gjurmët e vajzës humbën, ne nuk dëgjuam më për të. Kishte ardhur një epokë e re, e zbrazët, e esëllt dhe e pagaz – e bardhë si një letër. Shërbëtorja e tanishme, Genja, një anemike e zbehtë dhe e pakockë, bridhte butësisht nëpër dhoma. Mjaftonte t’i ledhatoje shpinën, që ajo të shtriqej, të spërdridhej, si një gjarpër, dhe mjaullinte, si një mace. Ajo kishte një lëkurë me bardhësi të turbullt, që nuk purpurohej madje as në të prapmen e qepallave të syve të saj të emaluar. Kur përhumbej, ndodhte që, nganjëherë, ajo të gatuante një qull të nxehtë prej faturash të vjetra dhe blloqesh kuatizacioni, – diç të neveritshme e të pagëlltitshme.
Gjatë kësaj kohe im atë tashmë kishte vdekur krejtësisht. Ai pati vdekur disa herë, por jo plotësisht, gjithnjë me një farë rezerve, duke na shtrënguar ta rishikojmë vetë aktin e kësaj ngjarjeje, gjë që kishte dhe anën e vet pozitive. Duke e përjetuar vdekjen e tij, mund të themi, me këste, babai si të thuash, na pati përgatitur me faktin e ikjes së tij nga kjo botë. Ne u bëmë shpërfillës ndaj rikthimeve të tij të përsëritura, me formatin e trupit gjithë e më të reduktuar, gjithë e më të mjerë. Tashmë fytyra e të papranishmit, m’u sikur shkapërderdhej nëpër dhomën, në të cilën banonte im atë, shkapërdahej, duke krijuar në disa pika droçka të çuditshme gjaku të një ngjashmërie pabesueshmërisht shprehëse. Vende-vende letra e mureve imitonte konvulset e tikut të tim eti, arabeskat përftonin formën e anatomisë së brengosur të qeshjes së tij, të zbërthyer në gjymtyrë simetrike, m’u si një mbresë e gurëzuar triboliti . Për njëfarë kohe ne i rrinim larg, në shmang, gëzofit të tij me lëkurë qelbësi. Gëzofi i tij frymëmerrte. Paniku i kafshëzave, të qepura e të kacavjerrura në njëra-tjetrën, merrte arratinë me një drithërimë të pafuqishme nëpër të dhe shuhej e humbiste nëpër palat e kadifenjta. Me të ngjeshur veshin, mund të dëgjoje shpirrëzat e frymëmarrjes së tyre në akord me gjumin. Në një formë të tillë, të rrahur fort, ndjehej një erëmim i lehtë qelbësash, vrasjeje dhe menstrualesh natësore.
Njëherë nëna ktheu nga qyteti me një fytyrë të merakosur.
– Shiko, Josif, — tha ajo, — çfarë vakie. Arrita ta kap në shkallë; ai kërcente pupthi nga shkallarja në shkallare. — Dhe zbuloi paksa shaminë mbi diçka, që gjendej në pjatë. Unë njoha saora aty tim atë. Ngjashmëria ishte e padyshimtë, dhe pse këtë çast ai ishte ose gaforre, ose ndonjë akrep i madh. Ne ia pohuam këtë njëri-tjetrit me vështrime, të tronditur thellë prej asaj ngjashmërie, e cila përgjatë gjithë ndryshimeve dhe metamorfozave të binte haptazi në sy.
– A është i gjallë? – pyeta unë.
– Ta pret mendja, unë mezi po e mbaj,- tha nëna, – ndoshta do të ishte më mirë ta lëshoja në dysheme?
Ajo e vendosi pjatën në dysheme, dhe ne, duke u përkulur mbi të, nisëm ta kundronim me vëmendje të përqendruar. I ndrysur ndërmjet këmbëve të tij të shumta e shtrembaluqe, ai mezi lëvizte me to. Me mashat dhe mustaqet paksa të ngritura ai duket se vigjëlonte. Unë anova pjatën, dhe im atë pas një grime ngurrimi u zhvendos në dysheme, por, me t’u gjendur në sipërfaqen e rrafshët, befas vrapoi me të gjitha këmbët e tij të shumta, duke trokitur me gjymtyrët e ashpra kockore. Unë ia gardhova rrugën. Me të prekur me mustqet levarashe barrierën, ai u mëdysh, e mandej ngriti mashat dhe u kthye mënjanë. E lejuam të ngarendte në atë drejtim që i caktuam ne. Mobilje ku mund të gjente strehë, nuk kishte përpara. Duke nxituar dhe duke u drithëruar valë-valë mbi këmbët e tij të shumëfishta, ai mbërriti murin dhe kur ne s’e kishim bërë ende as një rrahje qerpiku, ai, pa vonesë, vrapoi murit përpjetë me gjithë armaturën e gjymtyrëve të tij. U shkunda prej një neverie instinktive duke këqyrur atë lëvizje vraparake shumëgjymtyrëshe, me goditjet që bënte mbi letrën e murit. Ndërkaq babai mbërriti në bufenë e vogël, të murosur në thellomën e murit të kuzhinës, studioi me masha brendësinë e tij, u çapit përmes zgripit, mandej humbi brenda i gjithi.
Nga perspektiva e tij e re prej gaforreje, ai po prezantohej sërish, në njëfarë mënyre, me apartamentin, duke i njohur objektet, me gjasë, me nuhatje, ngase, sado imtësisht që e pata kundruar, nuk arrita të zbuloj tek ai asnjë organ shikimi. Me sa duket, ai ndjente vështirësi me sendet që ndeshte rrugës, ndalonte ndanë tyre, duke i prekur mezidukshëm me mustaqet e tij levarashe, madje i përqafonte këto sende me masha, m’u si të ishte duke i provuar apo mbase duke u prezantuar, mirëpo me të kaluar pak kohë i braktiste aty dhe vraponte më tutje, duke tërhequr osh barkun e ngritur paksa mbi dysheme. Po kështu vepronte ai me trohat e mishit dhe bukës, të cilat, duke pandehur se do t’i hante, ne ia hidhnim në dysheme. Por ai vetëmse i prekte nxitimthi dhe mërtisej tej, pa gjykuar se në to mund të gjente diç të ngrënshme.
Gjatë vëzhgimit të hulumtimeve të tij durimtare nëpër dhoma mund të fitoje përshtypjen, se ai diç po kërkonte imtësisht e pandërprerje. Kohë pas kohe ai vraponte në një qoshk të kuzhinës poshtë një voze që rridhte e mbushur bëzëpërbuzë dhe, duke sosur ndanë një pellgaçeje, dukej sikur pinte. Me gjasë, ai ia kalonte për bukuri pa ushqim, dhe nuk se binte në sy, por ky ishte dhe shkaku, që fuqitë e tij jetësore po dobësoheshin. Me një ndjenjë të përzier turpi dhe neverie ne ruheshim fshehtas, mos natën ai mendonte të na vizitonte në shtrojet e fjetjes. Por kjo nuk ngjau asnjëherë, megjithëse gjatë ditës ai zvarritej mbi të gjitha mobiliet dhe pëlqente veçanërisht të fshihej në plasat ndërmjet dollapëve dhe murit.
Dis shenja të arsyes dhe madje të një farë vullneti lojacak nuk mund të mos i vëreje. Për shembull, çdo herë, gjatë kohës së ngrënies, babai shfaqej në tryezë, ani pse pjesëmarrja e tij në drekë mbetej vetëmse platonike. Nëse dera e dhomës së ngrënies mund të bënte vaki të ishte rastësisht e mbyllur, ndërsa babai gjendej në dhomën fqinje, ai, duke rendur para-prapa përgjatë të çarës poshtë derës, gërvishtte aq këmbëngulshëm, derisa dikush t’ia hapte. Më vonë ai u mësua të ushtrojë forcë, duke ngjeshur mashat dhe këmbët në plasën e nënderës dhe pas një-dy të shtyrash intensive brinjazi, trupi i tij hynte brenda, për nën derë. Kjo, me sa dukej, i jepte atij kënaqësi, qëndronte i nemitur nën tavolinë, shtrihej i qetë me barkun që mezi i pulsonte. Se çfarë domethënie kishte ky pulsim ritmik i barkut të tij shkëndritës, ne s’arritëm t’ia qëllonim dot. Këtu me gjasë fshihej ndonjë nëntekst ironik, dashakeq e i pahijshëm, që, me sa dukej, shprehte njëfarë poshtërsie hakmarrëse dhe njëfarë ndjenje kënaqësie. Qeni ynë, Nimbrodi, i avitej ngadalë e i pasigurtë, e nuhaste me kujdes, teshtinte dhe largohej shpërfillës, pa krijuar përfundimisht një mendim të tijin për të.
Rrënimi në shtëpi vazhdonte dhe zgjerohej. Genja s’bënte gjë tjetër veç flinte gjithë ditën e lume; trupi i saj proporcional ulej e ngrihej prej çdo frymimi të thellë. Ne shpesh gjenim në supë cefka peri, që ajo, e turbulluar e tytkë siç ishte, i hidhte në tenxhere bashkë me zarzavatet. Dyqani ishte i hapur in continuo ditë e natë. Shitja me qepanat e lëshuar përgjysmë vazhdonte çdo ditë mes ndërdyshjes për t’i ngrituar apo ulur çmimet. Si të mos mjaftonin këto të gjitha ia behu edhe xhaxha Karoli.
Ai ishte i një mizantrop i pafjalë dhe më duket, me një dërrasë mangut. Me fshamje pezmatuese shpalli, se për shkak të disa tersllëqeve që i kishin bërë vaki kohët e fundit, ka vendosur të ndryshojë mënyrën e jetesës dhe të kapet pas mësimit të gjuhëve të huaja. Nuk dilte nga shtëpia, mbyllej në dhomën më të largët, prej së cilës Genja, e mbushur plot antipati ndaj mysafirit të ri, i kishte ngritur të gjitha tapetet dhe qylimat muralë dhe kridhej në studimin e listave të vjetra të çmimeve të mallrave. Disa herë xhaxha Karoli u përpoq qëllimshëm ta shkelte tim atë në bark. Me klithma tmerruese ne iu kundërvumë këtij rreziku. Po ai, duke mbetur në të tijën, vetëm se ngërdheshej me ligësi, ndërkaq që im atë, pa ia patur idenë përmasës së rrezikut që i kanosej, ndalonte i nemitur mbi ndofarë njollash në dysheme.
Im atë – i cili në këmbë të veta ishte i shpejtë e i lëvizshëm – sikundër çdo gjallesë në trajtë gaforreje, mbetej krejtësisht i pambrojtur, sa herë rrokullisej dhe mbetej me shpinë në dysheme. Ishte një pamje tejet e pikëllueshme, kur dëshpërueshëm përpiqej me të gjitha këmbët, por s’bënte tjetër, veçse vërtitej i pashpresë në shpinë rreth aksit të vet. Ishte e pamundur ta kundroje pa keqardhjeje mekanikën qartësisht të spikatur dhe pothuaj, të paturpshme, të anatomisë së tij, që shpalosej ashtu cullake në sipërfaqe me barkun e segmentuar, pa asnjë mbulesë. Në të tilla raste xhaxha Karoli shestonte ta shtypte në kuptimin e saktë të kësaj fjale. Ne nxitonim t’i vinim në ndihmë, i zgjasnim tim eti ndonjë send, pas të cilit ai kapej gjithë drithërima me mashat e tij dhe, përftonte saora gjendjen e tij normale, mandej pa vonesë dhe me një shpejtësi të dyfishuar turrej vetëtimë me zigzake rrethore, m’u si të donte ta fshinte kujtimin e kauzës së kompromentuar.
Me një ndjenjë ligështie unë jam i detyruar ta shtrëngoj veten dhe të parashtroj, për hir të së vërtetës, një rrethanë, realiteti i së cilës bën të rrënqethet tërë natyra ime. Deri më sot ende nuk arrij ta rrok, se si ne të gjithë u gjendëm fajtorë të vetëdijshëm të asaj ngjarjeje. Nga ky këndvështrim ajo ngjarje përfton karakterin e njëfarë fatliteti të çuditshëm. Sepse fataliteti nuk e injoron ndërgjegjen dhe vullnetin tonë, por i përfshin ato në mekanizmin e vet në atë mënyrë, që ne, mu si në një gjumë letargjik, lejojmë dhe pranojmë pikërisht atë, prej së cilës ngjethemi në kushtet normale.
Kur i tronditur prej asaj që ngjau, unë e pyeta i dëshpëruar nënën:
– Si munde, si pate zemër ta bësh këtë! Nëse do të kishte qenë, fjala vjen, Genja, atëherë tjetër punë, por ti …?!
Nëna qau, spërdrodhi duart, por asgjë të qartë nuk arriti të thoshte. Ka menduar vallë ajo, që për babain kjo do të ishte më mirë; e shihte vallë ajo atë ngjarje si të vetmen zgjidhje nga situata pa shtedaljeje, apo kishte vepruar thjesht, me një mendjelehtësi të pakuptueshme, pa e vrarë mendjen?… Fatumi gjen njëmijë kurthe, nëse çështja prek forcimin e vullnetit të pakuptimtë. Njëfarë ërrësimi i cekët e i menjëhershëm, një grimëçast verbimi apo pakujdesie është i mjaftueshëm, që ta tërheqë aktin për ta shpënë ndërmjet Shillës dhe Haribdës së zgjidhjeve tona. Mandej mundesh pa të sosur ех post të interpretosh dhe të gjykosh motivet, të vihesh në kërkim të shkaqeve nxitëse – por ajme, fakti që është kryer bëhet i pakthyeshëm dhe mbetet njëherë e përgjithmonë i kryer.
Ne e morëm veten dhe dolëm nga terratisja jonë, vetëm atëherë, kur tim atë na e sollën të shërbyer në gjellë. Qëndronte shtrirë, i madh dhe i zbrujtur nga zierja, i zbetë e i hirtë, i derdhur në xhelatinë. Ne qëndronim si mbi gjemba. Vetëm xhaxha Karoli zgjati pirunin, por në gjysmë të rrugës, i pasigurt, e tërhoqi prapë, duke na parë me habi. Nëna urdhëroi ta shpinin pjatën në dhomën e pritjes. Atje, mbi tavolinë, mbuluar me një sofrabez pikëlor, ndanë një albumi me fotografi dhe një kutize muzikore, qëndronte para nesh pjata me atin tim të gatuar.
Megjithatë nuk qe e thënë të përmbylleshin me kaq udhëtimet rraskapitëse tokësore të tim eti, dhe vazhdimi, vazhdimi i historisë së tij, përtej, siç më duket mua, përtej kufijve të imagjinuar, përbën dhe pikën më të dhembshme të tij.
Përse pra ai, tekefundit, nuk u dorëzua, përse nuk e pranoi disfatën e tij, kur në të vërtetë i kishte të gjitha arsyet dhe fati nuk kishte pse të shkonte aq larg, duke e torturuar dhe sfilitur aq egër? Pas disa javësh në gjendjeje të palëvizshme ai, si të thuash, e mblodhi vetën, erdhi, si të thuash, në vete. Një mëngjes ne zbuluam, se pjata ishte bosh. Vetëm njëra këmbë gjendej në buzë të pjatës, mbetur e ngrirë në salcën e ftohtë të domates, gjatë sforcimit për t’u arratisur. I zier, me këmbë të humbur, ai me forcat e fundit bëri më tej, në bredhëritjen e pastrehë, dhe ne kurrë më nuk e pamë.

Shënim pë autorin:

Bruno Shulc (1892 – 1942) lindi në qytetin Drogobiç (asokohe – Austro-Hungaria, pastaj – Polonia, BRSS, tash – Ukraina e pavarur), ku jetoi gjer ditën e vdekjes, praktikisht pa u larguar gjatë. Njihet i famshëm si piktor ekspresionist. Gjithsej botoi dy vëllime me tregime “Dyqanet e kanellës” (1934) dhe “Sanatoriumi ndanë Klepsidrës” (1937). Me librin e dytë fiton çmimin “Dafina e artë”, dhënë nga Akademia e Letërsisë Polake, president i së cilës ka qenë poeti i madh polak Bolesllav Lesmjan. Më 1936 botohet me përkthimin e tij romani “Procesi” i Franz Kafkës. La të pambaruar romanin “Mesia”. Më 19 nëntor 1942, ditën e spastrimit masiv mbi hebrenjtë nga gestapoja naziste e milicisë ukrainase, vritet edhe Bruno Shulci, siç dëshmojnë të dhënat mbi të, nga dora e një prej adhuruesve të tij. Konsiderohet i zhdukur gjithë arkivi i tij letrar dhe epistolar; mbeti vetëm ajo çka pati publikuar shkrimtari. Këtë fat patën dhe pikturat e tij. Ndikimi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm ndër brezat e shkrimtarëve evropianë të pasluftës. Rizbulimi i Shulcit ka marrë një hov të madh pas viteve ’90. Danillo Kish, sikundër dëshmon në memuarët e tij Xh. Apdajk, thosh se: “Në lëtërsi unë kam veçse një hy, dhe ky është Bruno Shulci”.

 

Përktheu: Agron TUFA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s