Një bibliotekë kombëtare “me qera”, për një komb pa ndërgjegje kulture / Nga Flogerta Krypi

Një bibliotekë kombëtare “me qera”, për një komb pa ndërgjegje kulture

 

Nga Flogerta Krypi

Të jesh lexues në Shqipëri është fatkeqsi. Kështu trajtohet leximi që nga momenti i parë që dikush të shikon tek lexon më shumë libra seç ke në programin shkollor. Ti rritesh me idenë se po të lexosh shumë, çmendesh. Personalisht nuk kam besuar asnjëherë në këto shprehjet tipike shqiptare si për shembull “nuk ka pyll pa derra, kush të rreh të do apo mos lexo shumë se do çmendesh”. Më janë dukur gjithmonë si thënie patetike për të mbushur boshlliqet e kulturës tonë, ndaj nuk i kam kushtuar fare rëndësi. Përpos të gjithë gjërave që dëgjoja lart e poshtë, unë vashdoja të lexoja, por kushtet ekonomike nuk më lejonin të blija libra në atë kohë. Libri, për sa mbaj mend unë, është një luks për një familje me të ardhura mesatare në Shqipëri, sepse për të blerë një libër duhet të punosh minimumi një ditë.

Në kushte të tilla e vetmja gjë që kisha ishte biblioteka e shkollës, e cila më jepte jetë sa herë tërhiqja një libër prej saj. Ishte një bibliotekë e këndshme, e krijuar nga një fundacion gjerman dhe kishte shumë tituj të mirë. Shpesh mburresha lart e poshtë se shkolla ime, ndonëse ishte shtetërore kishte një bibliotekë, a thua kush e di se ç’kishim. Unë nuk e dija se bibliotekat e shkollave, lagjeve, qyteteve ishin një gjë normale në pjesën tjetër të botës. M’u desh të shkoja gjer në Berlin për të kuptuar se sa rëndë ishte situata në vendin tim për lexuesin dhe jo vetëm. Po pse t’i biem “nga Kina”, hajd flasim troç për problemet që ka lexuesi shqiptar, që shoqëria të kuptojë se nuk na çmendin librat, por ata që janë përgjegjës për librat në Shqipëri.

Kur u vura në kontakt për herë të parë me bibliotekën kombëtare, më kërkuan aq shumë dokumenta për regjistrim saqë as nuk e mora më mundimin të shkoja atje më. Një humbje kohe që as nuk do të më sillte ndonjë rezultat, sepse nga ato pak njerëz që njihja si antarë të bibliotekës kombëtare, ankoheshin gjithmonë se nuk gjenin titujt që kërkonin, që fletët e librave mungonin ose ishin shumë të dëmtuara dhe shërbimi i ofruar ishte skandaloz. E shtyrë nga gjithë këto mendime i vizitova dhe një herë bibliotekën tonë kombëtare dhe që nga ajo ditë nuk shkela më atje. Nuk kisha arsye pse. Ishte një katastrofë që nga arredimi, gjer tek shërbimi i ofruar, pa përmendur ambientin ku preheshin librat.

U përpoqa disa herë që të ngre zërin në lidhje me të, mungesën e bibiotekave nëpër lagje dhe shkolla, ku pjesa më e madhe e këtyre të fundit dhe sot e kësaj dite nuk e kanë një bibliotekë. Gjer në një farë pike u lodha nga heshtja instuticionale e ministrisë tonë të kulturës, por dhe personave të tjerë që kanë lidhje me librin në Shqipëri, si kritikët, gazetarët e kulturës etj. Një heshtje e mundimshme, peshën e të cilës e ndjeva më thellë kur biblioteka kombëtare u dogj dhe zv.ministri i kulturës bëri një deklaratë të tipit “ishin djegur vetëm disa libra të vjetër rusë” dhe fytyra e qeshur e drejtoreshës së bibliotekës kombëtare qe një shuplakë dhe më e madhe. Po a ndryshoi gjë pas kësaj “tragjedie kulturore” që kaploi vendin tonë? Përgjigja është e thjeshtë, jo. Madje u bë dhe më skandaloze, se për shkak të këtij zjarri për më shumë se një vit asnjë njeri nuk kishte të drejtë të tërhiqte libra nga biblioteka kombëtare, por jo vetëm. Ka patur shumë punonjëse të cilat të kërkonin kartën e identitetit, të jepnin librin që të duhej për ta fotokopjuar, duke i shkelur të drejtat e autorit me çdo formë të mundshme.

Ngjarja më epike në lidhje me bibliotekën kombëtare qe kjo e muajit të fundit, ku për shkak të një shiu të rrëmbyer për rreth dy orë, u shkatërruan rreth dymbëdhjetë mijë libra në bibliotekën kombëtare. Fotot që u shpërndanë në rrjetet sociale ishin vrastare për çdo lexues dhe sinqerisht nuk besoj se ka poshtrim më të madh që mund t’i bësh një kombi, se sa të shkelësh me këmbë kulturën e këtij të fundit. Pas kësaj ngjarje të shëmtuar reagimi qe akoma dhe më i varfër si nga institucionet ashtu dhe lexuesit, ku në një protestë të organizuar gjendeshin më pak se pesëdhjetë persona. Një nga ato persona që mungonte isha dhe unë, e kjo jo për shkak se nuk doja të isha, por sepse jetoj dymijë e pesëqind kilometra larg. E megjithatë u përpoqa të organizoj të paktën një “protestë” virtuale, në të cilën sigurisht që dështova me sukses.

Pas kësaj të them të drejtën hoqa dorë së foluri për këtë çështje, gjersa një ditë rastësisht duke kërkuar në internet zbulova që bibioteka e Sirisë, një shtet në gjendje lufte prej më shumë se shtatë vitesh, kishte akoma një bibliotekë kombëtare funksionale, e cila është e hapur dhe të dielën. Sinqerisht unë nuk di si ta shpreh turpin që ndjeva në atë moment. Jemi për të ardhur keq të gjithë si komb sepse e kemi shkatërruar këtë vend me mos reagimin tonë dhe heshtjen masive që kemi si shoqëri. Në asnjë nga ngjarjet e lartpërmendura nuk pati reagimi nga shtëpitë botuese, nga gazetarë apo njerëz që supozohet që përfaqësojnë shoqërinë civile shqiptare. Çfarë mund të pretendojmë për të ardhmen e Shqipërisë kur jemi në një situatë të tillë? E kam thënë më parë dhe fatkeqësisht vashdoj t’i mbetem këtij mendimi. Ne nuk kemi ndërgjegje si popull.

Për ato pak lexues që kanë mbetur në Shqipëri, që nuk kanë për të patur kurrë mbështetje nga askush, sepse librat shiten me çmime të kripura nga shtëpitë botuese që paguajnë taksat njëlloj si të jenë një klub nate. Nuk kanë për të patur asnjëherë një ministri kulture që merr përgjegjësitë e veta në katrahurën që ka krijuar në sektorin e librit në Shqipëri dhe ngjarjet e fundit që kanë ndodhur më bibliotekën kombëtare thjesht na paraqesin llumin ku gjendemi si komb. Na duhet të marrim një shtet me qera, që kështu të kemi një ministre kulture që nuk rri dhe zgërdhihet nëpër aparatet fotografikë për të treguar se me “demek” po bën një punë për kulturën në Shqipëri, me shpresën që një ditë do kemi një bibliotekë të vërtetë kombëtare dhe degët e saj në çdo njësi qëndrore sepse fatkeqësisht nuk mund të marrim një bibliotekë kombëtare me qera. Degradimi i sistemit arsimor dhe kulturor në Shqipëri ka arritur ferrin e fatkeqsisht askush prej nesh nuk po bën atë që duhet për këtë çështje, se dhe ato pak njerëz që flasin për problemet e Shqipërisë, po i shkatërrojnë jetën gjersa t’i çojnë në emigrim, ose po i mbyllin gojën me zarfa kërcënues poshtë derës.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s