PROFETI DHE MURTAJA / Shkëputur nga libri me tregime ” Vdekja e Palaços” të autorit Petraq Risto

PROFETI DHE MURTAJA

Ishte fundi i vitit 1689 (shifra e dytë nuk është e përmbysur). Prej disa muajsh, në qytetet dhe fshatrat e Kosovës kishte shpërthyer murtaja. Pjetër Bogdani, i sëmurë, qëndronte i izoluar në shtëpinë e boshatisur të njërit prej luftëtarëve të tij, i cili qe vrarë në luftën e fundit. Shtëpia, dhe pse me mure të gurtë, i dukej tepër e lehtë, madje, hera – herës, e tejdukshme. Ishte kjo arsyeja që sa herë kthente kokën, majtas apo djathtas, i përfshirë nga ca ethe përvëluese, shikonte skena nga më të habitshmet, që, në njëfarë mënyre, nuk ishin gjë tjetër, veçse jeta e tij.
I kishin thënë të vendosej në manastirin pranë, po ai nuk kish pranuar, ngaqë manastiri, sipas tij, duhej t’ u shërbente të shëndoshëve. Atëherë, roja i manastirit, me dëshirën e tij e me lejen e igumenit, ishte bërë dhe roja e shtëpisë së Profetit. Herë pas here hynte në dhomën e të sëmurit dhe i shërbente.
Në mes manastirit dhe shtëpisë, zgjatej rruga ku kalonin karrot me kufoma. Murtaja gjithnjë është e pangopur, mendoi roja. Dhe i sëmuri i dëgjonte zhurmat monotone të karrove; qe mësuar të besonte se ato ktheheshin nga Fushë Kosova, të ngarkuara plot me bozhure të kuqe, si plagët. Ishin ca karro mitologjike, të zbardhura nga pluhuri dizinfektues i gëlqeres.
Roja doli. Kurse Profeti e pa veten në Rrjoll të Shkodrës, në shpellën ku strehohej shpesh për t’ u shpëtuar raprezaljeve. Shpellat dhe zemrat gjithnjë e kishin ndihmuar. Ktheu kokën dhe përtej mureve njohu gjeneral Pikolominin, që në krye të ushtrisë austriake kish luftuar përkrah shqiptarëve. U përshëndetën, megjithëse gjenerali austriak kishte vdekur para një muaji, po nga murtaja.
Tani muret nuk ekzistonin më. Profeti arrinte të shihte gjithshka. Murtaja po afrohej me një listë të re, të zezë, në të cilën qenë shkruar emra të rinj. Murtaja kalonte në udhën me pluhur, duke numëruar karrocat e të vdekurve.
“Mos u ngërdhesh me të vdekurit!” – foli Profeti.
“Kjo është e drejta ime – tha Murtaja – E drejta e më të fuqishmit, apo jo?!”…
“E drejta e përkohshme – foli Profeti – Murtajat gjithnjë kanë qenë të palogjikshme…”.
“Mbylle gojën! – ulëriti Murtaja – Do të të merrja që tani, por do të lë ende syhapur, që ta shohësh deri në fund hakmarrjen time”.
Profeti nuk foli. Digjej nga ethet. Roja i manastirit, i cili kish dëgjuar dialogun e Profetit me Murtajën, u duk te porta dhe iu afrua shtratit.
– Pak ujë! – belbëzoi Pjetër Bogdani.
Roja i zgjati kupën. I sëmuri piu me etje. Falënderoi rojan me sy dhe i bëri shenjë të largohej. Tjetri doli kokëulur. Profeti e dinte ç’ do të bënte: do të shihte përtej mureve, përtej së tashmes, në të shkuarën dhe në të ardhmen. Dhe këtë mund ta bënte fare thjeshtë, vetëm me një të kthyer koke.
Varret hapeshin në Fushën e Kosovës. Karrocierët ndalnin kuajt e pikëllimit dhe ca njerëz me kapuça e me doreza, shkarkonin të vdekurit e lyer me pluhur gëlqereje dhe i kallnin në dhé. Profeti ua dinte emrat, ua mësoi varret. Mes tyre kish burra, gra, djem, vajza, madje dhe fëmijë. Kuajt nuk hingëllinin.
“Pikëllohen, – fliste me vete Profeti – Janë po ata kuaj që dje kanë mbajtur luftëtarët e mi. Tani shumë prej tyre po i kallin në dhé”.
Po në atë rrugë me pluhur, pa rojen që po bisedonte me igumenin. Po flisnin për të. Kjo s’ ishte e vështirë për t’u kuptuar. Roja u nis përpara për të përgatitur dhomën, kurse kryemurgu erdhi pas me një hap të rëndë.
– Çfarë ka ndodhur? – pyeti Pjetër Bogdani.
– Asgjë me rëndësi, imzot, – iu përgjegj roja. – Igumeni ka dëshirë t’ ju takojë e të pyes për shëndetin tuaj.
Profeti nuk foli. Kryemurgun e njihte mirë dhe e donte. Igumeni, një plak i thinjur, me dy sy të mëdhenj, u shfaq te porta. Profeti i bëri shenjë që të afrohej. Igumeni u ul në një stol pranë të sëmurit.
– Si jeni? – e pyeti.
– Asnjëherë nuk kam qenë kaq i kthjellët, – foli Profeti – Madje shoh gjithshka, gjithshka.
Igumeni mendoi se Profeti i kish parë edhe librat si digjeshin, ndaj për ta qetësuar të sëmurin, i tha:
– Po librat nuk janë si njerëzit, nuk i ka zënë murtaja që të digjen…
Profetit iu drodh mjekrra e thinjur. U ngrit, u mbështet pak mbi bërryle dhe e shikoi Igumenin në sytë e mëdhenj.
– Çfarë ka ndodhur, kryemurg?
– Domethënë ju nuk dini gjë? … Atëhere qetësohuni, imzot…
– Çfarë ka ndodhur?!… Çfarë librash po djegin?…
– Murtaja po djeg edhe librat tuaja, imzot. I mbledh nga të katër anët dhe i djeg si kufomat në gëlqere. Por të jini i qetë, imzot: ne kemi fshehur shumë libra e ato nuk digjen…
– Ju faleminderit, igumen. Veç në fillim gabuat kur thatë se librat nuk janë si njerëzit. Përkundrazi, edhe njerëzit vetë janë libra.
– Ashtu është, imzot… Po ju shtrihuni, vendosni kokën në nënkrejsë… Qetësohuni.
Profeti e dëgjoi këshillën e kryemurgut, vendosi kokën në nënkrejsë dhe u kthye pak majtas, me shikim andej nga shtrihej Fusha e Kosovës. Vërtet i pa librat që digjeshin tutje, pranë varreve të hapura, që prisnin kufomat e fundit.
– A ka dhe shumë të sëmurë? – pyeti Pjetër Bogdani.
– Jo dhe shumë, imzot. Të nxehtët kaloi dhe Murtaja nuk ka forcën e mëparshme.
– Ah! – ia bëri Profeti – Vdiqën shumë…
– Më mirë të kishin rënë në betejë, imzot…
– Si në betejë, igumen!… Po ata në betejë kanë rënë… Kjo kuptohet… Murtaja është armiku ynë.
Profeti po kuptonte se tani ai nuk shikonte vetëm përtej mureve, por edhe përtej syve të tjetrit, madje edhe më thellë, në brazdat e trurit. Ai e pa menjëherë mendimin pyetës të Igumenit: “Po si kështu, imzot, atëherë ky armik na ka mundur?!”.
I qetë, me një buzëqeshje të lehtë e me një zë profetik, tha:
– Na ka mundur përkohësisht… Përderisa janë të vdekurit e fundit, domethënë se të gjallët e kanë mundur Murtajën.
Kryemurgu kish shtangur. Domethënë se Pjetër Bogdani ia lexonte mendimet.
– Jo vetëm mendimet, – foli Profeti – por, madje, më duket se shoh diçka dhe nga e ardhmja.
– Ashtu?! – u habit Igumeni – Po çfarë shihni, imzot?…
– Luftë, igumen, luftë…
– Kur?!…
– Vitin e ardhshëm… në Grykën e Kaçanikut…
Igumeni një çast mendoi se Profeti fliste përçart, mirëpo tjetri, që ia lexoi mendimin, uli lehtë kapakët e syve dhe vazhdoi.
– Kjo do të jetë e vërtetë: do të jetë i vërtetë edhe fakti që eshtrat e mia Murtaja do t’ i shpërndajë ashtu si të Gjergj Kastriotit…
– Ç’ thoni kështu, imzot!…
Igumeni qe habitur jashtë mase dhe kish thirrur me zë të lartë, ndaj roja e manastirit hyri i trembur:
– Oh, jo, jo,… ne po bisedojmë – e qetësoi kryemurgu – Ti shko dhe vazhdo të vrojtosh.
Roja i manastirit shkoi. Profeti i kish mbyllur sytë. Dukej sikur flinte. Igumeni vuri pëllëmbën mbi ballin e të sëmurit. Digjte sikur balli të ish veshur me një shtresë prushi.
– Dëgjo, igumen.
– Urdhëro, imzot!
– Pasnesër do të bie dëbora e parë…
– Kuptoj, imzot.
– Varret do të mbulohen. Bozhuret, gjithashtu…
– Kuptoj, imzot.
– Mbi secilin varr ndizni nga një qiri dhe pranë qiririt vendosni nga një flamur të vogël me shqiponjën nga të Kastriotëve…
– Si urdhëron, imzot, do ta bëjmë…
– Pasnesër, igumen… Vetëm kështu Murtaja do ta quaj veten të mundur… Tani unë po vdes i qetë…
Para syve të Profetit shtrihej Fusha e Kosovës me të vdekurit e saj, me një borë të bardhë si brucë të leshtë mbi supet e tokës, me flakëzat e qirinjve që dridheshin si vajtojcat nga të qarët dhe me qindra e mijëra flamurë të vegjël – bozhure gjaku mbi Fushën e Kosovës.
Igumeni thërriti rojan..
– Shko dhe bjeru kambanave! – i tha – Pjetër Bogdani vdiq.
Roja, me sytë plot lotë, pa një çast nga i porsavdekuri dhe pastaj vrapoi drejt manastirit.
Igumeni mendonte për amanetin e Profetit. Pasnesër do të binte borë. Qirinj kishin. Gratë duhej të përgatisnin qindra flamurë.
Ishte fundi i vitit 1689 (shifra e dytë nuk është e përmbysur).

 

Shkëputur nga libri me tregime ” Vdekja e Palaços” të autorit Petraq Risto

(Botim i vitit  1990)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s