Kalendari poetik: Wisława Szymborska (1923-2012) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Wisława Szymborska

Kalendari poetik: Wisława Szymborska (1923-2012)

Sot, më 2 korrik, është datëlindja e saj, poete dhe eseiste polake. Aty nga viti 1945 filloi të ndiqte kurset e para për letërsinë polake, për sociologji pranë universitetit Jagellonica, në Krakov, studime që për arësye ekonomike u shtërngua t’i braktiste, por njohja me poetin Czesław Miłosz, ndikoi që ajo të ndiqte mjediset letrare të vendit. Përmbledhja e saj e parë me poezi, në vitin 1949, nuk u botua “për mangësi ideologjike”; u rrek t’i përshtatej realizmit socialist me vjersha për Leninin e Stalinin, por s’qe punë për të, në vitin 1960 u shkëput nga tutela partiake. U afrua menjëherë me lëvizjen sindikaliste Solidarność, qysh në fillimet e saj; në vitin 1996 fitoi edhe çmimin Nobel si dhe shumë çmime dhe mirënjohje brenda dhe jashtë vendit. Kritiku letrar gjerman Marcel Reich-Ranicki ka shkruar për të: “Është poetja më përfaqësuese e kombit të saj, me poezinë lirike, ironike dhe të thellë, priret kah poezia liriko-filozofike.” Dhe ironia, sarkazma e saj është shkatërruese; për mua, është varianti femër i Bukowskit. Poezitë e saj janë përkthyer në shumë gjuhë; kam edhe unë plot shqipërime nga Szymborska; një prej tyre e sjell sot në 96 vjetorin e lindjes së saj:

A THUA JEMI NË LABORATOR?

Ndoshta gjithë kjo
Në një laborator po ndodh?
Nën një llambë të madhe ditën e miliarda llambushka natën?

Ndoshta jemi brez eksperimental?
Na hedhin nga një provëz në tjetrën,
na ngrohin me lambikë me alkool,
kush e di sa sy na vëzhgojnë,
e më në fund një nga një na kapin
me pinceta?

A mos është ndryshe:
askush nuk ndërhyn?
Ndryshimet ndodhin vetvetiu,
apo sipas planifikimit?
Shigjeta e diagramave shënon pak nga pak
zigzagët e parashikuar?

Ndoshta, s’u kemi ngjallur interes të veçantë deri tani?
Dhe monitorët e kontrollit i ndezin fare rrallë?
Vetëm në raste luftërash, sa më të mëdha, aq më mirë?
A vetëm kur fluturojnë pranë Tokës sonë të shkretë?
Apo vetëm në raste lëvizjesh masive nga pika A në pikën B?

Po sikur të jetë e kundërta:
Mos u pëlqejnë vetëm gjërat e imta?
Ja: duket një vajzë e re në ekranin e madh.
Po qep kopsën në mëngën e një këmishe.

Ndjesorët fishkëllejnë, zile, alarm,
personeli vrapon.
Ah, krijesëz e ëmbël
me atë zemrën e vogël që i rreh në krahëror!
Ç’magjepsje hijerëndë
kur shkon fijen në gjilpërë!
Dikush i ngazëllyer bërtet:
Shpejt! Shpeeejt!
Lajmëroni të vijë ta shohë Shefi vetë!

 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s