Poezi nga OSIP MANDELSHTAM (1881-1938)
*Poetët i parashohin gjërat
KASANDRËS
Çastesh t’lulëzuara s’kam dashtë të kem
Buzët e tua, Kasandër, tuat sy,
Por, në dhjetor të kremtimit solemn
Kujtimi do na djegë të dy!
Të gjitha i humbëm, duke dashuruar
Në dhjetor të vitit shtatëmbëdhjetë:
Dikush u grabit me vullnetin e popullit,
Tjetri grabiti veten e vet…
Por, kjo jetë në qoftë domosdo deliri,
Dhe pyll’ i anijtë, pallate – vargmale, –
Fluturo, pra, fitore e paduar –
O murtajë hiperboreale!
Midis autoblindash, bash në shesh
Unë shoh një njeri: ai
Me urë të ndezur ujqit tremb:
Me ligj, me liri, me barazi!
Dallëndyshkë moj, e mira Kasandër,
Ti rrënkon, ti digjesh – për çfarë
Na ndriçoi dielli i Aleksandrit
Të gjithëve, qind vjet më parë?
Herëdokur, në kryeqytetin e vështirë,
Kur skithët në breg Nevë të shtrojnë gostinë,
Nën tingujt e ballos së këllirë
Prej kokës së bukur do t’ta shkyjnë shaminë.
Dhjetor 1917
Shën. Përkth. (A. Tufa): Poezitë e O. Mandelshtamit janë të ndërlikuara nga gërshetimi i një rrjete të dendur asociacionesh verbale nga kultura botërore dhe kultura amtare ruse. Poezia “Kasandrës” prek temën e profetizimit me imazhe nga antikiteti; ajo është një bilanc i dhjetorit të revolucionit të 1917-ës. Ja disa kyçe të poezisë:
– “i grabitur me vullnetin e popullit” (është fjala për ata që nuk i pranuan kurrë bolshevikët dhe pushtetin e tyre);
– “grabiti veten e vet” (është fjala për ata që i pranuan bolshevikët);
– “Njeriu me ligjin” kundër “autoblindave” (ndërmendje për Kerenskin, një prej përfaqësuesve të Carit që u mundua të shshtypte revolucionin);
– “Dielli i Aleksandrit” (ndërmendje për shekullin e artë të Aleksandër Pushkinit);
– “Pylli i anijtë” (është fjala për utopinë e “anijes së të ardhmes”, që O.M e prek edhe në një poezi tjetër “Muzgjet e lirisë” si dhe në disa ese);
– “e paduar”, “hiperboreale” (d.n.th., veriore);
– “fitorja – murtajë” (ndërmendje e deformuar mbi statujën e pakokë të Nikës së Samotrakës (Samothrace) në kombinim më gojdhanat mbi përparimin e epidemisë);
– përpara – ngadhënjimi i barbarizmit “skith” mbi kulturën.
Kjo poezi i qe kushtuar Anna Ahmatovës (“shamia e kokës” është po ai “shall pseudoklasik”, që gjendet në një poezi tjetër të O.M për Ahmatovën);
– “Kasandra” në mitet mbi luftën e Trojës – është një profetizuese/fatthënëse, parashikimet e ngjarjeve të këqija të së cilës nuk i besoi asnjëri. Kasandra mandej u mbyt si robinjë akeje në shtëpinë e Atridëve nga Klitemnestra, gruaja e Agamemnonit.
Përktheu në shqip Agron Tufa