Në Selanik, në shtëpinë e poetit / Nga: Fatmir Minguli

Në Selanik, në shtëpinë e poetit

 

Nga: Fatmir Minguli

Ah, shtëpitë e poetëve! Thjeshtësia vetë, ku transparenca shfaqet jo vetëm në mikpritjen shqiptare, por kudo, që nga buzëqeshjet e përzemërta të familjarëve e deri te urimet për të kaluar një behar të këndshëm.
Jemi në shtëpinë e poetit beratas Dhimitër Nica, në lagjen “Evosmos” në rrugën “Aristoteli” të Selanikut. Një shtëpi dykatëshe me një ballkon të gjërë si për të treguar dhe gjërësinë e shpirtit jo vetëm të burrit të shtëpisë.
Miiranda, një shqiptare e vërtetë, të çudit jo vetëm me aftësitë e saj si një nikoqire e madhe e Shqipërisë së Jugut por dhe si një apasionante e këngëve shqiptare, që nga ato populloret e deri te ato të muzikës së lehtë. Pastërtia, rregulli, mjeshtëria e gatimeve të përsosura veçse plotësojnë portretin e zonjës së shtëpisë.
Rea, vajza , fëmija e parë e poetit, studente në Universitetin” Aristoteli” ngulmon me një ambicje intelektuale për t ‘u bërë diplomate. Jam i bindur që ajo do të jetë një zë i veçantë kur të diplomohet. Drilani, djali, i dyti sipas radhës, një nxënës i mrekullueshëm dhe një futbollist që mëton të bëhet i madh”
Familja e poetit të mrekullon me këta antarë ku thjeshtësia njerëzore i tejkalon format e artificialitetit që ndeshen në shumë shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
E kur dëgjon kalvarin e vuajtjeve në vitin e përthyer 1991, poetit i dridhet mishi tek shqipton parullën e pranimit në tokën greke, parullë që e prisnin në mes të pyllit afër Kozanës e që pritej të shqiptohej nga një grek “o ju me qen” . Por kjo le të mbetet enigma e një dhëmbje të kaluar…
Poeti vuajti kur erdhi në tokën greke dhe sot ai mbush njëzet e pesë vjet që ka ndërtuar jetën e tij rreth trungut familjar. Puna dhe vetëm puna, e tij dhe e bashkëshortes e kanë çuar poetit drejt maksimave të kuptimit të jetës. Ata sot janë europianë, sot ata janë shqiptarë të njehsuar me njerëzit grekë, të barabartë e të paqmë.
Të shkosh i ftuar në shtëpinë e poetit Dhimitër Nica do të mpleksesh me historitë e Beratit, fshatit mallakstriot të bashkshortes dhe historisë së magjishme të Selanikut. E kush studjues, shkencëtar, analist mediatik nga Shqipëria do merrte mundimin për të anlizuar këto jetësime. Asnjë!
Selaniku është ashtu siç e përshkuan vetë poeti Dhimitër Nica : “duhet të kemi sa më shumë informacion për këtë qytet udhëkryqor, që të pércjell në të gjitha portat e qyteteve dhe qendrave metropolitane”. Për këtë informacion është dhe nuk është e mjaftueshme një shëtitje në pikat kryesore të këtij qyteti, duhet shumë më tepër. Kisha lexuar vite më parë librin ” Jeruzalemi” të Ketrin Armstrong dhe intuita ime kërkoi një paralele dhe me të vërtetë ajo ekzistonte. Dhimitri më foli për një libër të Mark Mazower, i cili titullohej: ” Selaniku- qyteti i fantazmave” . E pabesueshme, e magjishme, me fantazma që gjallohen herë pas here, edhe në prehërin e metaforave edhe në krahët e lutjeve në kisha, xhamia dhe sinagoga. Kështu është ky libër që ngërthen histori që nga 1430 deri në 1950. Një libër si ai i Jeruzalemit.
Sot ky libër i takon poetit i cili përsiat e imagjinon e rreket të gjejë ngjashmëri midis këtij qyteti dhe atij qyteti që e la. Këtu qëndron dhe esenca e vetë Selanikut.
Po le ti lemë statujat dhe antikat në qetësinë e tyre e le të ulemi në tavolinat e miqësisë së bardhë. Një drekë kudo në shoqërinë e poetit dhe bashkëshortes së tij, nuk është thjeshtë një drekë. Është muzikë, dialog, prehje nervore, ripërtritje dhe mbi të gjitha një njohje më shumë. Vera kjo pije ngazëlluese na jep frymëzime të reja e një pas një dalin mendime për jetën, për fëmijtë, për punën e përditshme dhe ah, për ato mungesa të shumta në qytetet shqiptare.
Dhimitri flet shumë mirë për kryetarin e bashkisë së Selanikut që ka në sinkron çdo aspekt të jetës metroplitane selanikase. Dhe flet për binjakëzimin e dy bashkive, të Durrësit dhe Selanikut. Dhe tregon se si i prishi “Agimi i artë” ato simbole urbane të këtij binjakëzimi …
Autobuzët, këto milingona gjigante mbartin mbi supet e tyre çdo sekondë qytetarët duke i freskuar me kondicionerët e palodhur, ku vinë çdo me shpeshtësi në stacion ku tabelat elektronike njoftojnë papushim oraret e linjave të pafund.
Po në një autobus tjeter në atë që xhiron për nje orë qendrat turistike, ekziston dhe nje magji tjeter, ciceroni i kurdo buzëqeshur që spjegon me zellin e nje pedagogu të gjallë universitar, herë anglisht e herë greqisht mrekullitë e këtij qyteti. Tek zbresim Dhimtri i thotë që ne, mysafirët ishim nga Durrësi dhe ai shfaqi një kënaqësi që ishte krejt e pastër.
Shëtitjet s’kanë fund e të qeshurat e grave nuk mbarojnë. Orët ikin shpejt dhe dita e kthimit vjen menjëherë. Por nuk mund të ndahesh lehtë nga poeti dhe shtëpia e tij.Poeti Dhimitër Nica më dhuron një libër antologjik, titulluar ” Retë me harabela”, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve ” Dega e blertë” Selanik ku ka krijimtari të shumë krijuesve, kryesisht emigrantë jo vetëm në Selanik. Ky libër më ve në mendime, dhe mendja më shkon te sinkronet e jetës së metropolit Selanik, ku dhe jeta e shqiptarëve rrjedh gati e njejtë me atë të vendasve, ndërkohë që Tirana politike ka tjetērsuar godinën e Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë duke e lënë në mëshurë të fatit. Ato pak klube qytetse shqiptare me karakter shoqate dhe jo lidhjeje të vërtetë shkrimtarësh ekzistojnë duke gëluar nëpër lulishtet e kafeneve ku veç rënie gjethesh e zhurma muhabestesh e makinash ka me shumicë.
Miku ynë i përbashkët poeti Agim Bajrami e hodhi idenë e një bashkëpunimi midis disa poetëve të Durrësit me krijuesit e Selanikut pérderi sa dhe binjakëzimi ndër qytetar ekziston.
Por nga shtëpia e poetit nuk ndahesh lehtë, nuk mund të ikësh pa provuar limonantat fantastike që Miranda ka përgatitur me aq pasion, ca gatime që të lënë pa mend e tek trokasim gotat e rakisë urojmë njeri tjetrin për shëndet dhe krijimtari të shumtë e cilësore. Tre ditë sa një javë për nga aktivitetet që na shoqëruan me aq pasion, burrë e grua, tre ditë sa tre orë për nga hareja dhe mirëkuptimi.
Selaniku dhe Durrësi, Berati dhe Durrësi, Selaniku dhe Berati, gjithçka për t’u hulumtuar. Paralele apo drejtëza që ndërpriten në një pikë, zakone dhe histori që i afrohen njera tjetrës.
Sa herë që shkoj në një qytet të huaj kërkoj menjëherë të ngjashmet e pastaj të veçantat. Selaniku, një libër i hapur. Dhimitër Nica një poet për t’u studjuar rishtas, një familje shqiptare që meriton më shumë se një respekt formal.

Durrës 29 qershor 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s