Poezi nga Fjori Hysa
Shpirti, ngjyrë sheqeri të përvëluar
Si në një kusi,
shpirtin tim hedhur,
pa dashuri,
mbi flakët e prushit tërë natën si hell i përdredhur .
Kongjij të përskuqur,
që ngjyrën e sheqerit të përvëluar i jepnin atij,
s’ njihnin dashuri,
‘zemrën ma mblidhnin si guackë për kërmij.
E turra e druve,
qeshte në britma e ndonjëra qante,
nuk u vinte keq,
i frikohej asaj që nesër pa turp do e shante.
Syri i botës,
sikur u jepte jetë,
e kusia shkulonte,
se ç’hiqte…,
e di shpirti vetë.
E për kripë,
kjo gjellë s’ kish nevojë,
“kocka të bëra hi” ,
për shije s’ di të flasë,
Pastaj trazimit,
një lugë rreth e qark i avitej,
nuk mbetej më një copë e vogël, si atom,
shpirti në xhamin mikroskopik,
në fund sokëllitej.