Poezi nga Arjola Zadrima
Letra e fundit
( A ban me m’lshue pak rrug’)
Jam rrudhë,
fishkë,
duert m’dridhen,
zani m’asht pakë.
T’kam pritë!
Çdo natë ishte e fundit diku,
t’nesërmet, s’ isha ma as unë prej fillimit.
Ti s’ din si orët heshtin nëpër metro
ku s’ mbrriti asnjiherë silueta jote.
Serenatat prehen në varrezat e t’varfënve bashkë me ditët
që s’të panë tuj ardhe.
Lotët mu thanë ndër ftyra burrash që më kaluen pranë,
pa asnji lajm.
Zemra vdiq tana herët kur prej trenave,
zbrisnin gjysma njërezish që s’më bane nji.
Tash mbaj veshë vitet, stinët, e krejt pritjet,
m’shkon kjo kapote…
I dashtun, zgjoi kujtimet, rrahjet e fundit,
flenë mbi premtimet e nji jete ma parë.
Hape zemrën,
Edhe pse kërrusun,
zbardhun,
me valixhen e andrrave në dorë, t’pres,
ne çdo stacion të kohës,
ku ti ende s’ke çue shpirtin me m’marrë!
***
Të kam kërkue gjithnji gjana të pamujtuna,
e ti veç ke heshtë..
Kam dashtë me ditë zhurmën e ndjenjave,
gjeometrinë e rrahjeve,
ekuacionin e jetës.
Tuj më pa në sy më je përgjigjë
se dashnia njehet me gishtat e dorës së majtë,
koha kalon me shekuj prej puthjes së parë
e na dashnorët moderne
ringjallena bashkë mbas çdo heshtje.
Mandej tuj përpjekë gishtat,
tuj lanë kohën me ardhë
tuj të pa drejt në sy
mundem edhe me të rrejtë
me një lamtumirë,
por pa kenë ti, aty!