Poezi nga Manushaqe Toromani
TRËNDAFILAT
Me sa duket në kopësht
trëndafilat janë tharë
ka kohë, që nuk më dërgon.
Vazoja ka mbetur bosh,
dhomës i mungon ajo aromë.
Do pres deri në Pranverë
ndoshta sërish do lulëzojnë
e në mos çelin
nuk të vë faj.
Vazon që m’i kujton
aty në dhomë do ta mbaj.
DIMËR (NOSTALGJI)
Në një kusi mbi zjarr
misra po ziej
Mbuluar me hi e ca thëngjinj
po piqet kulaç.
Varur mbi oxhak
ca pastërma
Në vorbë mënjanë
fasulet janë gati për darkë.
Dimri është i gjatë.
TEK PO BËNIN DASHURI
(Ajo)
U bë vonë i dashur
Le të flemë
Nesër ka natë përsëri.
(Ai)
Ka,
por jo si sonte
Kaq bukur bie shi.