“Dehje nga metamorfoza” (Roman) – STEFAN CVAJG / Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani

“Dehje nga metamorfoza” (Roman) – STEFAN CVAJG

 

***

Kristina skuqet. Vetëm tani vë re, në kulm të dëshpërimit, sa açik e dëftonte varfërinë e saj ajo valixhkë mjerane prej thuprash që po mbante në dorë; ndërkaq, pranë të gjitha makinave shihen baule të reja fringo, thua se tani sapo kanë dalë nga dyqani, të cilat, me ato armaturat e tyre metalike vezulluese, mbizotërojnë mes morisë së larmishme të valixheve e të çantave prej lëkure Rusie, lëkure krokodili, gjarpri, shevroje të lustruar, me një fjalë, gjithçka aty ngjan si një vitrinë mallrash luksoze. Ajo ndien sakaq se ekziston një hendek midis saj dhe atyre njerëzve! E kaplon turpi.

Kur njeriut i preket krenaria në një pikë të ndjeshme, fërgëllon, ashtu si pa kuptuar, edhe fijëza më e skajshme nervore e qenies së tij; edhe më e lehta prekje, edhe më i rastësishmi mendim e përtërin dhe e shumëfishon vuajtjen që ka ndier ai njeri nga një fyerje e mëparshme. Qysh me këtë goditje të parë, Kristina e humbet çdo siguri. Hipën me ngurrim në makinën luksoze të hotelit dhe zmbrapset padashur sapo vë re se aty brenda, në atë gjysmerrësirë, nuk është vetëm. Por tani s’mund të kthehet mbrapsht. Për të arritur gjer te një vend i lirë në pjesën e pasme të makinës, i duhet të kalojë, ashtu e druajtur, supekërrusur si mbërdhace dhe sypërmbys, mes atyre njerëzve që e kanë mbushur makinën me aromë të ëmbël parfumi e lëkure, dhe të fshikë këmbë të mënjanuara paksa si me pahir.

Duke parë këta pasanikë pseudomondanë, vajzës i ndizen faqet flakë nga një turp drithërues: si të matet me një elegancë të tillë, kaq të papritur? Çdo vështrim i hedhur me druajtje është për të një torturë më vete. Kundruall saj, pak mënjanë, një vajzë rreth të shtatëmbëdhjetave mban në prehër një konkë qimebutë kineze, që shkarzehet plogët duke cafulluar mbi një stelë me qenarë gëzofi dhe me një monogram të qëndisur, ndërsa dora e hollë fëmijërore që i kashait leshin i ka thonjtë të lyer me manikyr ngjyrë trëndafili, dhe në gisht i rrëzëllen një diamant.

Në këtë çast dëshiron vetëm një gjë: të mos e vështrojë askush, të mos e vërë re askush se ç’po zbulon ajo vetë për herë të parë! E drithëruar, kruspulloset gjithnjë e më shumë, dhe, sa herë shpërthen pranë saj ndonjë e qeshur, një rrëqethje frike i përshkon tërë shpinën e kërrusur. Por s’guxon t’i ngrejë sytë për të parë nëse vërtet po qeshin me të.

(Stefan Zweig: “Dehje nga metamorfoza”, 
Titulli i origjinalit: “Rausch der Verwandlung”, 
Roman, 274 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s