Neruda: Faleminderit Pablo, ti na mësove të dashurojmë!…” / Nga: Luan Rama

Neruda: Faleminderit Pablo, ti na mësove të dashurojmë!…”

S’ka  pak ditë që kaluar 110 vjetori i lindjes i poetit tonë të dashur Pablo Neruda dhe kur lexuesi shqiptar ka në duar në gjuhën shqipe librin e gruas së tij, të dashurës së fundit, Matilda Urratia “Jeta ime me Pablo Nerudën”… Ndërkohë, këtu në Paris, unë kaloj sërrish në atë shesh që quhet “Sheshi i Santiagos së Kilit” (“Place de Santiago du Chili”) për të përjetuar pikëtakimin tim me poetin tim të rinisë, atëherë kur student adhuronim Nerudën, Ricosin, Witman, Lorkën…. Kaloj shpesh andej, pasi ky vend ndodhet jo larg shtëpisë time dhe për më tepër vite më parë kam banuar pikërisht aty, në ndërtesën që kishte përballë ambasadën e Kilit në Paris e që ishte njëkohësisht dhe rezidenca e Pablo Nerudës kur erdhi ambasador në vitin 1970. Atje, nga aq pranë, nga cepi i atij sheshi ku kryqëzohej me “Esplanade des Invalides” e shikoja gjithnjë me kureshtje atë ndërtesë, ato dritare që më risillnin vargjet e poetit të madh dhe ndjeja gjithnjë një nostalgji të veçantë.  Më shumë se njëzet vjet më parë kisha ardhur atje diplomat, pothuaj dy dekada pas vdekjes së tij. Neruda (emri i të cilit ishte Neftali Reyes Basoalto) ishte poeti ynë i parapëlqyer, poeti i dashurisë dhe i lirisë, një Eluard i Amerikës latine. Dhe unë kujtoja të rinjtë kilianë që ditën e vdekjes së Nerudës kishin shkuar në shtëpinë e tij në Isola Negra buzë Paqësorit dhe kur stadiumet e Santiagos ishin plot me të arrestuar nga Pinoçeti, ata shkruanin në muret e shtëpisë së tij: «Faleminderit Pablo që na mësove të dashurojmë!»…

Në cepin e “Sheshit të Kilit”, unë jetova tre vjet rresht, dhe jo rrallë, disa dhjetra metra më tutje, hidhja vështrimin në muret e asaj ndërtese «hausmannien» dhe hijerëndë, ku një pllakë informonte qytetarët që kalonin se atje kishte banuar Pablo Neruda kur kishte qënë ambasador i Kilit në Francë.  Ngrija sytë nga dritarja e madhe e katit të parë dhe imagjinoja jetën e ambasadorit të presidentit Salvatore Allende për të përfaqësuar republikën e re të Kilit, e poetit që nuk kishte qënë aq i lumtur pas mureve të atij apartamenti. Pas paraqitjes së letrave kredenciale presidentit francez Georges Pompidou, një jetë e re fillonte për poetin dhe pikëpyetja e lexuesve të botës ishte nëse do të bashkëjetonin apo jo diplomati dhe poeti, poezia dhe diplomacia. C’ndodhi vallë me Pablo Nerudën, i cili në rini të tij kishte qënë diplomat po në ambasadën e Kilit? Atëherë nobelisti i ardhmë ishte në hapat e para të poezisë së madhe: «Kur erdha në Paris të merrja funksionin e ambasadorit, e kuptova se duhej të paguaja një tribut të krenarisë time. E pranova postin pa e menduar mirë, duke ia lënë veten kapriçiove të jetës. Më kishte tërhequr idea të përfaqësoja një qeveri popullore që kishte fituar pas aq e aq regjimesh mediokre e mashtruese. Në thellësinë time më tërhiqte pa masë idea se po hyja në atë ambasadë me një dinjitet tjetër meqë në atë kohë punoja për kthimin e republikanëve kilianë (nga Lufta e Spanjës, L.R.) për në Kili. Secili nga pararendësit e mi kishte ndihmuar në  persekutimin dhe denigrimin tim dhe kjo gjë më kishte plagosur. Pra në fund të fundit edhe pse i persekutuar, kjo do të thoshte të ulesha në vendin ku ishte ulur persekutori, të haja në tavolinën e tij, të flija në shtratin e tij dhe të hapja dritaren për t’i dhënë ajër asaj ambasade të vjetër të një bote të pluhurosur… Një mbrëmje marsi të vitit 1971, hyja me Matildën për të fjetur në atë dhomë ku kishin vdekur të paqtë apo të shqetësuar, disa ambasadorë e ambasadore. Dhoma dukej se ishte krijuar për të pritur një luftëtar bashkë me kalin e tij, pasi kishte një hapësirë të madhe për të ushqyer kafshën dhe për njeriun që të flinte…»

Poeti kishte marrë përsipër një detyrë të vështirë që besonte se do ta bënte pa u shkëputur nga poezia me të cilën jetonte çdo çast, çka dhe e kishte bërë një nga poetët më të mëdhenj të botës. “Funksioni im si ambasador ishte diçka e re dhe jo e përshtatshme për mua. Kili sapo e kishte kryer Revolucionin, një revolucion “alla-kilian”. Armiqtë brenda dhe jashtë vendit nxirrnin dhëmbët për ta shkatërruar atë. Gjatë pothuaj tri të katërtat e shekullit ishin ndërruar njëri pas tjetrit të njëjtët qeveritarë me etiketa të ndryshme, pa ndryshuar asgjë dhe tani, kishim mbetur veçse me leckat tona, rrangullat, fëmijët pa shkolla e pa këpucë, burgjet dhe njerëzit që rriheshin nga policia. Tashmë mund të jetonim dhe të këndonim. Ishte kjo që më pëlqente në funksionin tim të ri… Ambasadori pararendës, kishte lënë në mure fotografitë e pararendësve të tij, ku ishin shtuar dhe të tjera. Ishte një koleksion personazhesh pa vlerë…. I hoqa të gjitha ato fantazma dhe i zëvendësova me figura solide: pesë portrete të heronjve tanë që i dhanë Kilit flamurin dhe që e bënë atë një vend të pavarur. Nuk e di se ç’mendonin punonjësit e ambasadës që pothuaj të gjithë ishin të djathtë. Reaksioni e kishte pushtuar administratën që prej një shekulli. Madje asnjë shërbyese nuk caktohej po të mos ishte konservatore apo monarkiste…”

Por ditët për Republikën e Kilit ë fillimin e viteve ‘70 ishin të vështira dhe Neruda e ndjente këtë. “Trustet amerikane vunë embargo ndaj bakrit kilian por në Europë, solidariteti për Kilin ishte i jashtëzakonshëm, veçanërisht nga puntorët, nga dokerët e Francës e të Hollandës. Ky solidaritet e preku botën. Akte të tilla na mësojnë më shumë për historinë, sesa katedrat universitare. Akoma më kujtohen disa xheste prekëse. Të nesërmen e embargos, një franceze e thjeshtë nga një fshat i vogël, më dërgoi një 100 frangësh për të ndihmuar në mbrojtjen e bakrit kilian. Emri i Kilit po dëgjohej ngado. Tashmë ishim një vend që ekzistonim…”

Kur erdha në Paris në vitin 1991, fill pas shëmbjes së monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, rasti e solli të njihesha dhe me një kilian simpatik të ikur fshehurazi nga Kili në kohën e diktaturës së Pinoçetit dhe që ishte njohur me një gjermane në Paris. Quhej Karlos dhe porta e tij ishte gjithnjë e hapur për shqiptarët, për të cilët ai kishte një simpati të jashtëzakonshme. Madje dy miqtë tanë shqiptarë, për një kohë jetuan sëbashku me ta. Që në njohjen e parë me të, ne filluam të flasim për Nerudën që dhe ai e adhuronte. Librat e tij i kishte në krye të bibliotekës. E sigurisht, ai krenohej, sepse ishte poeti i klasës së tij dhe i “utopisë” që kishte ëndërruar dhe ai. Po kështu, unë i flisja për filmin “Bije shin në Santiago” të shfaqur në kinostudio, filmin e bashkatdhetarit të tij emigrant politik po në Francë Helvio Soto. Ishte filmi për rënien e Republikës dhe fatin e atyre mijra kilianëve që morrën udhët e botës që t’i shpëtonin vdekjes dhe të mos ishin “desaparecidos” si dhjetra mijra kilianë të zhdukur në ato vite. Një ditë në një revistë letrare franceze kishte botuar një fotografi e Pablos pikërisht në sheshin e Kilit, ku ngjitur me të ishte tabela ku shkruhej “Place de Santiago du Chili”. Padyshim që ai kishte dashur të kishte një kujtim nga ky shesh me emrin e Kilit dhe ku në sfond dukej porta e ambasadës dhe dritaret e saj. “Këtu në këto katakombe gjithçka duket njëlloj. Nuk shoh as muzeume, as miq. Ndonjëherë shkoj në kinema duke i dhënë vetes gajret sikur të shkonim në Isola Negra, të Valparaizos. Dhe s’po flasim këtu për poezinë, me të cilën s’po merrem. Nëse vazhdoj t’i diktoj Matildës tekstet e mia, më duket se do ia ngjis ethet dhe asaj…”

Nga ai shesh sot na ka mbetur vetëm ajo fotografi e Nerudës dhe hija e tij që vërtitet nëpër Paris me poemat e tij të pakta si dhe kujtimet e Matildës, gruas së fundit të tij, e cila në librin e saj “Jeta ime me Pablo Nerudën” i kujton me mall ditët e jetuara në Paris.

Po, Neruda e quante ambasadën “mauzoleu i vjetër”, pasi aty mbante era myk, edhe pse kishte dashur t’i ndërronte qilimat, perdet e rënda dhe të hapte dritaret ku dielli kishte kohë që nuk hynte. Ja pse, që në vitin e parë, pasi kishte përgatitur librin Gjeografia e padobishme, me përshtypje nga jeta në Francë ai do të shkruante: “Viti 1971 solli ndryshime të mëdha në mënyrën e jetesës time. Për këtë arsye dhe për të mos u treguar enigmatik, perms udhëtimeve të mia kërkoj të dëshmoj, të dëshmoj sëmundjen time, gëzimet dhe melankolitë, atmosferën e krahinave të ndryshme që alternohen në këtë libër”. Shumë poezi ishin shkruar midis Isola Negras dhe Valparaizos, të tjera, gjatë asaj vjeshte dhe dimri, ishin shkruar në rrugët e Normandisë. Imagjinoj për një çast Pablon dhe Matildën, duke udhëtuar me makinë drejt Normandisë që e deshën aq shumë, dhe kjo ndoshta sepse aty mund të nxirrnin mallin e detit dhe të erërave të oqeanit. E megjithatë poeti i ciklit poetik Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi vuante, edhe pse herë-herë Parisi e joshte me madhështinë e tij të urave, katedraleve, monumenteve dhe rrugëve që mbartnin aq histori poetësh, bashkë me gargujt apo figurat femërore në çatitë pariziane, siç shkruan dhe në një poezi të atyre ditëve:

“Përballë çative të zeza

përballë dritës së bardhë

ato femra të gjata

statuja jeshile

ç’bëjnë ato, ç’kanë bërë më parë?

Ç’do të bëjnë vitin që vjen?

Vallë janë kohëra të thyera në gur

vallë janë engjëj, shenjte, mretëresha

apo thjesht statuja

ardhur nga parqet tashmë pa pemë

apo nga sheshe që kanë dhënë shpirt?

përse, përse vallë në lartësinë e vetmuar

këto femra prej hekuri jeshil e prej uji

janë të vdekura në shi…

“Virgjëresha të hutuara

mbetur jashtë

që zoti nuk i ka lënë të hynë

në kishën e mbyllur

dhe kështu, pa u xhveshur

ato jetojnë nën shi…»

Një ditë, lajmi kishte nxituar në apartamentin e asaj ambasade se Neruda ishte nderuar me çmimin Nobel. Ngado kishte patur telefonata. Ambasadori suedez kishte qënë nga të parët që donte ta takonte dhe gazetarët i ishin vërsulur sallës së ambasadës duke pritur fjalën e tij. Por edhe pse nuk dilte, përgjatë dy orëve, ata qëndronin gjithnjë aty, në pritje, të vendosur që më së fundi, ambasadori të detyrohej të dilte para tyre… Dhe ja, më në fund ai shfaqur me Matildën dhe mikun e tij, poetin Louis Aragon, aty mes flasheve të dritave të fotoreporterëve, ndërkohë që presidenti Allende e kërkonte në telefon për ta uruar. Ishte një ditë e shënuar, data 21 tetor. Aragoni u deklaronte gazetarëve se Neruda ishte “poeti më i preferuar i kohës së tij”. Me paratë e këtij çmimi, Neruda bleu një shtëpi në Normandi, në një vend të gjelbëruar, në Athenay, ku mendonte se do të tërhiqej herë pas here për të shkruar poemat e tij, një shtëpi të madhe që të tjerët e quanin “kështjella e dukës të Rohanit” (Chateau du duc de Rohan). Por qëndrimi i Pablos në Francë do të ishte i shkurtër. Kili revolucionar e kishte të vështirë të mbijetonte në kohën e një bllokade të tmerrshme dhe ku aleatët e saj ishin të pakët. Dhe  ja përse, edhe pse i sëmurë rëndë, përsëri Neruda kërkonte të kthehej në Kili për të mbështetur Alenden dhe për t’i dhënë shpresë popullit të tij. Kili e thërriste dhe ai nuk do të vononte, siç e përshkruan dhe në një nga poezitë e tij drejtuar Parisit me titullin “Adieu Paris”(“Lamtumirë Paris”), ku ndër të tjera shkruante:

“… Lamtumirë, vjeshtë e Parisit,

anije blu, det i dashuruar,

lamtumirë lumenj, ura,

lamtumirë bukë e mirë që kërcet në gojë, plot aromë,

verë e errët dhe e dashur

lamtumirë ju miq që më keni dashur

po iki duke kënduar përmes deteve

duke rifilluar të marrë e rrënjëve

rruga ime nuk është e sigurt,

jetoj në një det që ngrihet, në një tokë që çohet lart

gjeografia është qyteti im

rruga quhet “Po shkoj”,

dhe numuri: “Për të mos ardhur më”.

«Më duhet të jem atje ku më kërkojnë

për të pagëzuar themelet,

për të përzjerë rërën me njeriun,

për të prekur lopatën dhe tokën

pasi atje duhet të bëjmë gjithçka

në tokën ku kemi lindur

duhet të hedhim themelet e atdheut…»              

Pablo Neruda la pas një nga veprat më të bukura poetike të botës së sotme. Miku i tij i afërt, poeti francez Louis Aragon, botoi më vete një poemë të titulluar “Elegji për Pablo Nerudën”, ku ndër të tjera shkruante:  «Ky Orfé nuk do të shkojë të kërkojë / gruan me hapa memece të shqetësimit të tij/ pasi Matilde është atje, si Kryqi i Jugut / me argjendin e vështrimeve që i është tharë aq shpejt/… Një poet, një poet në diejtë që zbresin / dhe ku unë si ai e njoh çastin e drithërimës / në qiell me këngët e tij-pulëbardha unë jam/ pulëbardha që pas nesh, në kërkim të Andeve të tjera do të shkojnë…»

Neruda ishte poet i dashurisë pasi gjithë jeta e tij ishte një këngë dashurie, me shkallë dashurie që i ngjiteshin qiellit e përjetësisë, me gruan simbolike  të botës, të cilës ai i këndoi gjatë gjithë jetës së tij, edhe pse ishte njëkohësish dhe një poet i njeriut të ri dhe i utopisë, i baltës, i dëshpërimit dhe i tragjedisë huùmane. Shumë poetë janë frymëzuar nga Neruda dhe kanë ecur në shtigjet e tij. Dhe çuditërisht, pa qënë poet, poezia e tij më ka frymëzuar dhe mua që t’i kushtoj një poezi duke patur gjithnjë para sysh ato fjalë të shkruara të studentëve në muret e shtëpisë të tij, të cilët ditën që ai vdiq, shkruanin: ”Faleminderit Pablo. Ti na mësove të dashurojmë…” Po, poetët të mësojnë të duash, të dashurosh dhe t’i përkushtohesh njeriut:

 

100 të dashurat e Pablo Nerudës

Përballë portës së shtëpisë

në sheshin «Latour-Maubourg»

ne kishim dritaret e mbyllura të Nerudës

ku vjeshta shndriste me okrën e saj

në dritaren e vjetër të katit të dytë:

Neruda kishte 20 vjet që kishte shkuar

bashkë me 100 të dashurat e tij,

të gjitha me fytyrën e Matildës

me qerpikët dhe buzët e pulpta të saj

sytë e tyre – poemat më të bukura të tij.

Pablo i Santiagos dinte të dashuronte përjetësisht

dhe tu jepte atyre jetë me poetikën e dëshirës

tu jepte gjoksin e kolmë dhe ngjyrën blu të syve si brigjet e Kilit

zbukuruar me dantela që zbulonin hiret e supeve

që prisnin në drithërimë,

ne ktheheshim në mbrëmje drejt shtëpisë

pa harruar të kthenim kokat dhe të përshëdesnim fqiun tonë Pablo

hijen e Nerudës që qëndronte ende aty

edhe pse mbuluar me roben e mortit,

poeti Pablo, ambasadori Neruda, në zemër të Parisit

pranë «Invalidëve» të luftës napoleoniane,

nuk i shkroi aty poemat e të dashurave të tij,

poeti Pablo vuante se skrivania me llustër e ambasadës

i kujtonte kapakun e qivurit

dhe sytë i pikonin retiçencë aty në mes të aromës së mykut

dhe qilimave të trashë të Kilit,

e megjithatë

vargjet e dikurshme të të dashurave

pulsonin ende në gjoksin e tij si një këngë bohemi, e pambaruar,

me petale argjëndi e karafili,

si ehot e një gulçime të pashuar.

Ne i kishim mësuar prej kohësh fjalët e poetit,

shkruar në fletushkat e shkollës apo në pusullat e fshehur në xhepat tanë

si nxënës të zellshëm të dashurisë.

Pablo s’mund të jetonte në Parisin e aq shumë dritave,

që një jetë e kishte ëndërruar,

donte shtegu e vjetër të Casa  Isola Negra

Dhe poeti shkoi, oqeanin morri ambasadori Neruda,

atëherë kur Allende mbante fjalimin e tij në stadiumin e Santiagos,

pastaj vjeshta u shemb, 

furtuna dhe zia ra mbi tokën e përgjakur të Kilit,

Allende binte me armë në dorë mbi shkallët e Maneda-s

ndërkohë që Neruda dergjej në spitalin e qytetit

 rrethuar nga kolonelë me kaska, midis jetës dhe vdekjes…

popullin nuk e lanë të ndjekin trupin e paqtë të poetit

me një copë qielli rënë mbi sy, në klinikën Santa Maria

ndërkohe që Pinochet festonte fitoren

mbi kockat dhe gjakun e nxehtë të martirëve

dhe lotët e «Desaparecidos»…[1]

100 të dashurat e Nerudës shëtisin sot buzë Senës

dhe krehin flokët e praruar me diellin e Kilit, spërkatur në Senë,

“Veinte poemas de amor y una cancion desesperata”[2]

nga ura Mirabeau e tutje në Pont – Neuf,

në kujtim të Pablo Nerudës,

vargjet e tij i kanë ngjizur në buzë

tek recitojnë fjalë malli e prushi,

ndërkohë që fustanet u ngrihen ne erë

… dhe Pablo bashkë me to.

Neruda ka 50 vjet që ka vdekur edhe pse vazhdon të jetojë

Të dashurat e tij hedhin ende valle

Përqark krahëve që pështjellin trupin tim dhe botën… 

[1] Të zhdukurit.

[2] « Njëzet poezi dashurie dhe një këngë e dëshpëruar » – titull i një vëllimi poetik.

 

Nga: Luan Rama

“Gazeta shqiptare, 24 korrik 2014.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s