Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

Kënga e këngëve 1: Ktheje pengun

Jo, nuk gaboj: atje tej në muzg
zotat merren fshehtas
me shkrirje floriri
të veshin me to perëndeshat dhe prostitutat
dhe kur tepron diçka u shkon mendja për detet dhe malet.
Zotat e muzgut i bëjnë lulëkuqet të fërkohen paturpësisht me kallëzat e grurit
dhe hedhin pakëz ar e pakëz argjend në trupin tënd
në buzët e prushta, në hundën tënde: kodër që ndan dy liqene drite.
Jo nuk gaboj.
Po ti ktheje pengun para perëndimit të diellit
peng mos mbaj as flori, mos mbaj peng gurin e mokrës,
peng pusin mos e mbaj: shuaj etjen e botës,
Nuk gaboj, nuk gaboj natyrisht: dashuria është fllad
dhe s’i përfill prangat që fsheh trëndafili në gonxhet florinj.
Jo nuk gaboj, nuk gaboj aspak
secili dënohet për mëkatin e tij
peshorja është si sytë e një fytyre:
pesho muzgun e Zotave të shthurur
lulëkuqet tek fërkohen paturpësisht me kallëzat
peshomë dhe mua që vijë duke u luhatur
megjithëse ka një orë që i jam larg anijes
dhe toka, për çudi, nuk ka dallgë.

 

TRËNDAFILI I KUQ QË DIKUR KISH QENË NJERI

Ky trëndafil i kuq në varrezën e vjetër
para dyqind vjetësh qe njeri…
përpiqet i gjori të zgjoj kujtesën nën shi:
kam qenë ushtar
ushtar i vrarë
ndaj u bëra petalekuq
se po të kisha flamur të bardhë
trëndafil i bardhë do isha unë.

 

VONË KUPTOVA…

Vonë kuptova: në Parajsë shkohet me barelë
Ngaqë në Parajsë shkojnë ushtarët e luftës
E veshur me të bardha Parajsa-infermiere
E bën gjakun të padukshëm.

Vonë kuptova: në Parajsë s’ka ambulancë me kryq të kuq
As me gjysmë hënë, natyrisht
Në Parajsë pranohen të vrarët që mbahen në sup
Nga plumba të ardhur … gabimisht.

Vonë kuptova: në Parajsë pranohen të vdekurit nga uria
Dhe të vetvrarët nuk pranohen
Në hyrjen e Parajsës qenka shkruar nga Përjetësia:
Këtu të vdekurit zgjohen.

Vonë kuptova: kur zgjohen të vdekurit nuk ngrenë akuza
Nuk shajnë as vrasësit, as shtypësit, as Zotin…
Nëse një fjalë sharëse çel filiz te buza
Parajsorët zbresin në purgator … me ashensor Loti.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s