Erosi si shpengim ne lirikën e Myrteza Marës / Nga: Alisa Velaj

Erosi si shpengim ne lirikën e Myrteza Marës
 
 
Ndër temat e shumta që poeti Myrteza Mara trajton në liriken e tij, erosi duket se ka një vend parësor, parë kjo ne këndvështrim sasior dhe cilësor. Për poetin jeta rilind nga dashuria dhe kënga.
Ndaj ai i thur hymne dashurisë në këngët e tij dhe përmes notave të këngës rilind për kujtesën melodi dashurish të dikurshme, të cilat kurrsesi nuk pranon t’ja falë harrimit. Në përgjithësi Mara “grindet” me harrimin pa inate dhe mërira. Ai vë përballë harrimit melodite e zjarrta të shpirtit. E dashura është shteg drite, dielli qe i jep rreze hua dhe kështu përndritet ai nga erosi, pa pritur e pakuptuar. Dehet prej tij nëpër mall të valë e kujtime ëmbëlake, jeton tê tashmen i përkundur nga thellësia e ndjenjës dhe pikëllohet pafund kur duket se dashuria mërgon për një çast prej tij. Kundërshtar i paepur i harrimeve, nuk ka se si të pajtohet qoftë një grimëkohë me mërgimet e dashurisë.
“Vetëm mendimi se mund të të humbas
më rrënqeth deri në eshtër.
Nuk do pranoja një odë në parajsë,
as dhe një jetë përtejjetësJe agu i syrit të mëngjesit,
perëndimin ma shtyve një shekull larg”.
Erosi vjen si shpengim ndaj çdo kotësie njerëzore, si mall përmbi malle, këngë përmbi këngë. Ai nuk është thjesht pjesë jete, por jeta ngjizet prej tij në çdo dimension. Erosi si kryefjalë e jetës, apo zanafillës se saj në shpirt dhe natyrë.
“Pemët s’po marrin frymë, zogjtë në koma/po ti përse vonohesh kaq shumë?”
Pse vonohesh
Frymë e mërguar e shtrenjta e zemrës. Litar i këputur psherëtime dhe dhimbje e pacak koha kur dashuria të lë, madje dhe fare për kohë, sepse Erosi krijon kohën e shpirtrave të trandur prej tërmeteve te pasioneve-det.
 
Erosi është drita ku dehet e vërteta, ajo e vërteta e bukur që shpesh mund të dhembë der në eshtër, por qe nuk mund të fshihet.
 
 
Myrteza Mara
 
Poeti është i dëshiruar t’i njohë mirë mëngjeset dhe muzgjet e pakthim të dashurisë. Në një prej vargjeve ai i drejtohet së dashurës se nuk do që ajo t’i vijë si Doruntina. Poeti e ka dashurinë frymim, këngë dhe ëndërr. Është i asaj rrace poetësh qe pengjet nuk ia fal kurrë përjetësisë. Prandaj dhe doruntinat e ardhura papritmas, ato që i akullojnë zjarret e dashurisë me ankthin e tyre, nuk janë mikeshat e tij të preferuara. Troku i kuajve te tyre le të endet larg, shume larg udhëve te poetit!
Në vazhdim mund të lexoni disa poezi të poetit Myrteza Mara:
 
VETËM MENDIMI
 
Vetëm mendimi
se mund të të humbas
më rrënqeth deri në eshtër.
Nuk do pranoja një odë në parajsë,
as dhe një jetë përtejjetës.
 
Je agu i syrit të mëngjesit,
perëndimin ma shtyve një shekull larg,
ndaj s’të le të notosh
në detin e mungesës
as të humbasësh nëpër natë.
 
Vetëm imazhi yt
nuk më mjafton të end motive
në telajon e muzës.
Dua të verbohem
nga dielli përfalkur i syve të tu,
të dehem me qershit e tua të buzëve.
 
Ti ma di “thembrën e Akilit”
dhe nuk i kursen shigjetat,
por mos mendo
s’e unë e njoh mëshirën,
nga ikja jote
do t’më vij vdekja!
 
 
 
ËSHTË VETËM NJË RE
 
Sa herë ngre sytë për në qiell
Një re e zezë përgjon në pritë
E zezë në dimër, e zezë në verë
E zezë natën, e zezë çdo ditë.
 
Një re e grisur, një re e përdalë
Tamam si andër i grisur, i andruar
Retë nuk ecin, tërhiqen zvarrë
Re me mjergull, tym i akulluar.
 
Re që rrëshket si lëkurë gjarpri,
Re xheloze si pikëhelm i verdhë
Re që nxjerrin lumenjtë nga shtrati
Ortekët e verbër shtyjnë në humnerë.
 
Lavdi Zotit, është një re’ e vetme
Me këmbë tymi, prej tymi dhe zemra
S’mbretëron dot kush ndjellë vdekje
Jeta rilind nga dashuria dhe kënga!
 
 
 
NE TË DY
 
Unë jam dhembja jote më e madhe,
guri që nuk ze myshk,
litari i këputur i psherëtimës.
Ti je dashuria ime
e bardhë si mjegulla e malit,
je shtegu e dritës në shinat e vetëtimës.
 
Unë jam pikëloti yt rrëshirë,
amanet i kaltër Rozafe,
pengu i mallit të pashuar.
Ti je orteku im i ëndrrës
në syrin e çdo nate,
je fryma ime e mërguar.
 
Unë jam shkalla e thyer
në pemën e viteve të tua
ku fluturat endin krahët e ylberta.
Ti, je dielli
që më jep rreze hua
dhe dritën ku dehet e vërteta.
 
Ne të dy kemi lindur
në stinën e zjarrit
ndaj i ngjajmë aq shumë flakëve.
Ti, me puthjet si bleta mbi petale,
unë në detin e trazuar
varkë mes valles së dallgëve!
 
 
 
PSE VONOHESH
 
Po ti përse vonohesh kaq shumë,
nuk i dëgjon zilet e orëve të mbrëmjeve?
Natën edhe urat verbohen mbi lum
yjet orkestrojnë uverturat e këngëve.
 
Në odën e pritjes janë shtruar pikëpyetjet,
vonesa si një dritare e thyer në dimër.
Po ti eja, eja, duhet të nisesh patjetër,
nuk dua të vish siç erdhi Doruntina.
 
Pemët s’po marrin frymë, zogjtë në koma
po ti përse vonohesh kaq shumë?
Eja sa mjegulla nuk ka pushtuar botën
dhe bota s’është përmbytur në gjumë.
 
Mos pi ujë nëpër burimet shtegëtare,
ku ujqët synxehtë padisin qengjat.
Eja, të pres nën vesën e luleve të majit
bashkë me zjarrin e violinës së bilibilave.
 
Po ti përse mendohesh kaq gjatë?
Eja se u lodhën akrepat e orëve.
Dhe hënën e zuri nata jashtë
me dritën xheloze të meteorëve.
 
Eja, siç vijnë dallgët e nxehta drejt bregut
dhe hakmerren duke ndezur zjarre
Eja, se edhe të duam nuk kemi jetë tjetër,
madje, atë tjetrën, unë nuk e besoj fare.
 
 
 
BESOMË
 
Unë s’të premtoj dot qiellin me kate,
As një mal të egër me ortek të çmendur
Veç shtratin e hënës gjoksit të çdo nate,
Zjarrin e shpirtit ndezur nga këngët.
 
Unë nuk të premtoj parajsën e pasvdekjes,
Atje prehen shpirtrat lodhur nga kjo botë
Por vetëm zemrën time me dritat e jetës,
Dhe rrënjët e dhimbjes mbjellë mbi lotë
 
Unë nuk do e kem zili kaltërsinë e qiellit,
Tek Ti ka zenë vend në pasqyrën e syve
Më ngjanë aq shumë me urën e ylberit
Atje ku bëhen sfilatat e gjithë yjeve.
 
Unë nuk të premtoj të të fal dy jetë,
Dhe shpresa të mbartet në botën tjetër,
Por vetëm këtë që është e vërtetë,
Më beso, zemër, tjetra është gënjeshtër!
 
Nëse në lutjet e mia do shikosh akull,
Do jet dita e parë e ikjes në pakthim
Prandaj portat e zemrës po t’i le hapur
Brenda tyre ke gjithë jetëdashurinë!
 
 
 
Nga: Alisa Velaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s