KONKURSI KOMBËTAR I POEZISË LIRIKE (25 maj 2019) / Nga: Muharrem Kamani

Posted on July 17, 2019

1


KONKURSI KOMBËTAR I POEZISË LIRIKE

25 maj 2019

 

“Në gjurmët Naimiane 2019”, Edicioni V, me rastin e 173-vjetorit të Ditëlindjes së poetit kombëtar Naim Frashërit.

Në mbasditen e 25 majit 2019, në mjediset e hotel “Alveros”, pranë Parkut “Aristidh Kola”, buzë lumit Vjosa, u zhvillua Konkursi kombëtar i poezisë lirike “Në gjurmët Naimiane 2019”, edicioni V, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në kuadrin e 173-vjetorit të Datëlindjes së poetit tonë Kombëtar, Naim Frashëri. Në këtë festë poetike morën pjesë poetë, prijues, nga të gjitha trevat shqipfolëse, ku për dy muaj rresht dërguan poezitë e tyre në këtë festival dhe juria e festivalit përzgjodhi për natën finale 25 poezitë më të mira. Në natën e 25 majit, përveç konkurruesve ishin të ftuar edhe miq, poetë, shkrimtarë, të cilët erdhën nga Tirana, Prishtina, etj. për të marrë pjesë në këtë festë poetike.

Festën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre, N/Kryetarja e Bashkisë Përmet, zonja Etleva Kreci, N/Perfekti, z. Edvin Tuçi, Kryetarja e Këshillit bashkiak, zonja Mira Habili, përfaqësues të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Vëllezërit  Frashëri”, drejtues të organizatave simotra; në Mat, z. Hamdi Hysuka, përfaqësues nga LShK  dhe drejtues institucionesh në Rreth.

Të ftuar Nderi të Festivalit, ishte humanistja dhe deputete e Kosovës, zonja Flora Brovina.  Juria e Festivalit këtë vit u kompozua nga Kryetar i Jurisë, Prof. Dr. Përparim Kabo, zonja Kozeta Mamaqi dhe Kryetari i K.Sh. A. “Naim Frashëri”, zoti Ligor Shyti. Festivalin e moderoi një treshe përmetare, drejtuar nga Aktori dhe regjizori i njohur, z. Pandi Duka dhe dy shoqërueset e tij, studente të gjimnazit “Sami Frashëri” Përmet. Lezeti i festivalit u bënë aktorët e njohur z. Agim Xheka, z. Ligoraq Riza, mësuesja dhe interpretuese e njohur përmetare, zonja Kozeta Thanasi.

Në çelje të festivalit grupi i sazeve të Përmetit përshëndeti pjesëmarrësit me këngën kushtuar Naim Frashërit. Përpara recitimit të poezive konkurrente, u shfaq një video-klip, me intervista të ndryshme nga poetët L.Shyti, L. Kolleshi, Dh. Miti, A. Mihali, S. Vaka, etj. ku u pasqyrua aktiviteti i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet gjatë këtyre pesë viteve.

Festivalin e përshëndeti zonja Etleva Kreci, në emër të Bashkisë Përmet, e cila, ndër të tjera përmendi cilësinë në rritje të poezive pjesëmarrëse në vite, kontributin e K.Sh.A. Përmet dhe Kryetarit të saj z. Ligor Shyti. Ndër të tjera, ajo tha: “… sot qyteti ynë është më i bukur, sepse çdo poezi që vjen sot këtu, është një trendafil që përbën një buqetë me trendafila poezie që i shtohen qytetit tonë dhe një festë më shumë për përmetarët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet edhe në projekte të tjera në vazhdim…”

Aktori Ligoraq Riza recitoi poezitë e poetit Agim Pipa, A. Mihali, A. Bytyqi, Zeqir Fazliu, etj. nga të gjitha trevat shqipfolëse. Poetët; Dhimitër Miti, Dhimitrulla Lapi, Dhimitër Nica, Elmira Rama, Valentina Dafa, Hamdi Hysuka, Lumo Kolleshi, Shqipe Hasani, Tefta Sala, Janaq Jano, Xhelal Toska, etj. recituan poezitë e tyre, së bashku me një sërë poetësh pjesëmarrës. Një pjesë e poezive u përcollën nga aktori Agim Xheka dhe zonja Kozeta Thanasi. Programi vazhdoi me këngëtaren e njohur përmetare, nxënësja e shkollës 9-vjeçare “Meleq Gosnishti”, Sofika Mamillo. Në homazh të poetit Sokol Olldashi, aktori Agim Xheka solli për pjesëmarrësit disa nga poezitë e tij.

Me këtë rast, poeti kosovar Nezir Prokshi, i dhuroi K.Sh. A. Përmet, një seri veprash kushtuar heroit Ymer Elshani, i cili më 17.04.1999 u pushkatua nga sërbët familjarisht. Më pas festivalin e përshëndeti edhe Presidenti i Korpusit të Paqes botërore për Shqipërinë, poeti dhe këngëtari i njohur z. Gaqo Apostoli, i cili me këtë rast u komunikoi edhe anëtarësimin e disa anëtarëve të K.Sh. Përmet në këtë organizatë.

Juria e Festivalit, në përfundim të aktivitetit, nëpërmjet Kryetarit të saj, Prof. Përparim Kabo, shpalli fituesit. Në fillim vlerësoi me Çertifikatë Mirënjohjeje, grupin e valleve së vajzave të shkollës “Meleq Gosnishti” dhe këngëtaren Sofika Mamillo. Më pas ftoi poetin e njohur përmetar, z. Lumo Kolleshi, t’i japë Çmimin e tretë poetes së re, Dhimitrulla Lapi. Ftoi aktorin Agim Xheka të japë Çmimin e tretë poetit Dhimitër Nica, me banim në Selanik. Ftoi Kryetarin e Klubit Sh. A. t’i japë Çmimin e dytë poetes nga Prishtina, zonjës Shqipe Hasani dhe në fund, ftoi zonjën Flora Brovina të japë Çmimin e parë, dhënë poetit përmetar z. Sinan Vaka, i cili erdhi në këtë festival me baladën “Letër nënës pas vdekjes”. Më pas, bëri një përshëndetje të veçantë, anëtarja e jurisë, bija përmetare, zonja Kozeta Mamaqi.

Mbrëmja u mbyll me darkën e shtruar nga organizatorët për nder të miqve dhe konkurrentëve.

 

Muharem Kamani, poet

KLUBI I SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE “NAIM FRASHËRI” PËRMET

Përmet, më 25 maj 2019