Disa ndjesi duke lexuar vargjet e poetit Festim Liti / Nga: Eva Ceca

Disa ndjesi duke lexuar vargjet e poetit Festim Liti

Shpirtrat e lirë janë të rrallë, por kur të ndodh të takosh ndonjë prej tyre i ndjen dhe i njeh, mbi të gjitha sepse provon një gjendje të të qenit mirë kur je pranë tyre, ose pranë fjalës dhe mendimit të tyre.

Një ndjesi e tillë të krijohet nëse lexon poezitë e shkrimtarit të talentuar antikonformist, shkrimtarit që prek me poezinë e tij çdo sferë të jetës, që e çon frymëzimin nga momentet më magjike dhe të lumtura të egzistencës në trishtimin dhe dhimbjen më të madhe, nga vëzhgimet e befasishme dhe të ftohta, në një ndjenjë të ngrohtë njerëzore, duke i kthyer ndonjëherë në aforizma vargjet e tij të shkruara me stil gjithmonë të bukur, për të ndihmuar gjithkënd që ndodhet në një gjendje të ngjashme.

Më rastisi që poezinë e Festim Litit e lexova fillimisht në faqen e shkrimtarit Nase Jani, ku postoheshin herë pas here poezi të tij.
Në mes dhjetra të të ashtuquajturave poezi që të dalin përpara në facebook, njeriu ndjen lodhje dhe keqardhje për kotësinë dhe shëmtirën e një kaosi që vetëquhen poetë, ku shumë prej tyre duket sikur shkruhen nga delirantë klinikë ose nga njerëz që nuk kanë lexuar kurrë një libër në jetën e tyre.

E në mes të këtij kaosi nëse të del përpara një gur i çmuar që mbledh në brendësi rrezet e Diellit të talentit dhe të përgatitjes dinjitoze, sigurisht që ndjehesh se ke gjetur një mik të mirë, akoma pa e njohur personalisht, nëse edhe ti bën pjesë në grupin e atyre njerëzve që përpiqen të shkruajnë poezinë e vërtetë.

Kështu më ndodhi mua duke lexuar Festimin, që kishte sjellë si dhuratë vargun e ëmbël dhe të fuqishëm, ironik deri sarkastik, pasqyrimin e brutalitetit të jetës me artin më të magjishëm, imazhin e gjallë të kalvarit të vuajtjeve dhe të jetës së shqiptarëve, ëmbëlsinë dhe dashurinë e birit për nënën e larguar nga jeta apo të babait për fëmijët e tij të shtrenjtë, adhurimin e bashkëshortit shembullor dhe besnikërinë e të dashurit pasionant të së vërtetës.

Do doja të nënvizoja një veçori të rëndësishme në poezinë e Festim Litit, që duket paksa gjysëm fshehur, është Optimizmi! Kur mendon se ky shpirt është lënduar kaq shumë sa, duke lexuar vargjet e tij, ka raste që nuk i mban dot lotët, të shfaqet si pa kuptuar forca hyjnore e njeriut që di të dalë mbi gjithçka të errët që njerëzit dhe bota e kanë bërë të pësojë, që di të kërkojë të mirën atje ku gjendet e fshehur dhe të mbijetojë, që di t’i këndojë përsëri e përsëri dashurisë dhe lumturisë, që di t’i thotë lamtumirë hijeve të së kaluarës.

Ndaj kur mora kërkesën për t’u bërë miq nga Festimi, u kujtova që nuk njiheshim drejtpërdrejt, por në të vërtetë poeti i mirë është mik i madh i të gjithëve, sepse vargu i tij i përket të tjerëve dhe është pasuri e lexuesve.

Do të veçoj dy grupe të poezisë të tij që e kapërcejnë kohën dhe më bëjnë të ndaloj për shkak të një tipari që rrallë ndodh në mënyrë kaq intuitive. Së pari poezitë që i kushtohen jo në vetvete dashurisë por kujtimit të saj. Ky kujtim merr formën fizike të dhimbjes me dëshirën për të shpëtuar nga kujtimi i një dashurie që nuk ekziston më. Këto poezi, edhe pse i këndojnë në një farë mënyre dhimbjes kanë një lloj muzikaliteti të brendshëm ndryshe nga të tjerat. Të njëjtën ndjesi të japin edhe poezitë e grupit të dytë (të kategorizuara nga unë), poezitë e dhimbshme për emigracionin. Edhe tek to ndjehet shumë më i shtuar muzikaliteti në mënyrë instiktive për ta bërë dhimbjen më të durueshme, finesë kjo e lindur në shpirtin e një poeti të vërtetë.

Dua t’i uroj me gjithë zemër poetit Festim Liti krijimtari gjithmonë e më të suksesshme dhe frymëzim të pashtershëm! Shoqëria shqiptare ka gjithmonë nevojë për artin e vërtetë dhe për fjalën që del nga zemra.

Shpirtrat e lindur binjakë me lirinë e vërtetë të ndodh t’i takosh rrallë ose asnjëherë, por kur të ndodh të hasësh disa prej tyre i ndjen dhe i njeh, mbi të gjitha sepse të bëjnë të kuptosh që liria është frymëmarrja e vërtetë edhe e shpirtit tënd.

 

Eva CECA

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s