ARKA E NOES / Poezi nga Agim Mato

Poezi nga Agim Mato

 

ARKA E NOES

Ndëshkimi erdhi. Në një karantinë të stërmadhe
ujrash ishte vënë toka,
për të dizinfektuar e shpëlarë nga veset
banesën e dikurshme të njerëzimit. Asnjë pipëtimë,
mbi Ujanën e pafund. Asnjë barkë
e vetmuar mbi të.
Vetëm Noe pat shpëtuar
me Titanikun e tij të lashtësisë,
300 bërryla
të gjatë, skicuar
e ndërtuar sipas porosive hyjnore.

Kapiten Noe inspektonte çdo ditë çiftet e specieve
që duhet të shpëtonin
dhe rezervat e zahireve të udhëtimit.

Kur kishte nge, kundronte nga bashi qytetet dhe faltoret
e përmbytura që rrëshqisnin atje poshtë
dhe orientohej nga gjurmët e karrove të dikurëshme.

Ishin rrotulluar sa e sa hëna,
kur Zoti, kishte hapur
të gjitha burimet e humnerës së madhe dhe dritaret
qiellore vollën për njëqind e pesëdhjetë ditë me radhë
Ujanën ndëshkuese. Kudo,
ca peshq të mbufatur guvash ishin strehuar
nëpër sallat luksoze të pallateve mbretërorë,
në palestrat sportive e deri te pusetat e rrugëve.
Bibliotekën gjigante në Ninive me librat e saj prej
tjegullash e kishte mbuluar rëra. Noe ëndërronte
ta rihapte kur Ujana të zmbrapsej
dhe poetët, të përjetësonin në të biografinë e tij
me emrin
e vjetër Up Napishtimi.

Ishte zotuar se do të krijonte
njerëzimin e ri, të virtytshëm.
Tre djemtë me gratë e tyre kishin filluar
të punonin në anije për riprodhimin
sipas shëmbëlltyrës së re. Ligësitë,
pabesitë ishin tretur
atje poshtë dhe s’kishin
nga ngjiteshin deri këtu në çastin e ngjizjeve të reja.
Edhe çiftet e gjallesave, si në një kovaleshencë
kruazierësh, pranë magazinave me bar,
projektonin shumfishimin e tyre.

300 bërrylshi lundronte në një vetmi ulëritëse.

I shqetësuar nga lindjet e para,
Noe lëshonte pëllumbat për të parë në se dheu fillonte të
lirohej nga ujrat,
e ata ktheheshin
të lodhur në kuvertë. Bënte sërish llogaritë
e zahireve
dhe përpiqej të ekonomizonte rezervat.

Po në të shtatëmbëdhjetën ditë
të muajit të shtatë,
siç profecia e kishte parathënë,
Titaniku ndali mbi shkëmbenjtë e malit Ararat.

Nën këmbët e tyre u shfaq Bota e pastruar
nga mëkatet,
u shfaqën lëndinat dhe pyjet e virgjëruara sërish
sikur të kishin lindur befas nga asgjëja.

Dhe Noe gjashtëqind e një vjeçar, siç rrëfejnë,
kishte ende energji të mbante rregullin,
të ndihmonte
elefantët e rinocerontët
se mos rrëshqisnin nëpër
portën e pasme të anijes,
të pamësuar kaq kohë me të ecurin,
të kontrollonte shpesët nëpër pupla
se mos zbrisnin me ta
edhe fara e së ligës si pleshtat,
të shoqëronte me delikatesë ujkun me delen të miqësuar
nga udhëtimi,
të ngazëllehej e t’u gëzohej të bijve atje lart në kuvertë
tek lëviznin drejt horizonteve krahët e tyre me ca
shenja të habitshme.

Po si ta merrte me mend, i gjori plak,
se në ato çaste,
bijtë e tij, Simi, Hami dhe Jafeti,
ende pa shkelur tokë,
grindeshin
duke ravijëzuar kufijtë e perandorive të nesërme?

Noe ndihte i qetë kafshët pa u menduar se të tjera
profeci
do të lindnin,
të tjera kataklizma do të projektoheshin,
dhe udhëtimi i tij biblik do të ngelej një eksperiment
i dështuar i Perëndisë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s