INTERVISTË E MARIUS DOBRESCUT ME DR. GJEKË MARINAJN

Dr. Gjekë MARINAJN
 
 INTERVISTË E MARIUS DOBRESCUT ME DR. GJEKË MARINAJN
 
Dr. Gjekë Marinaj është shembull i një kategorie të veçantë intelektualësh shqiptarë të formuar jashtë shtetit para dhe pas vitit 1991, i cili është bërë i njohur si një personalitet jashtëzakonisht kompleks. Fitues i disa çmimeve letrare në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Marinaj e ka intensifikuar karrierën e tij akademike në një kolegj prestigjioz amerikan me atë të shkrimtarit. I shumëvlerësuar (Ismail Kadare më shprehu një konsideratë të lartë për të) ai shpalos një stil kompakt të shkruari të fuqizuar me elemente filozofike. Poezia e tij sjell rezonanca të lirizmit amerikan në poezinë shqipe.
 
Marius Dobrescu
 
 
Marius Dobrescu: Kush është profesori dhe poeti Gjekë Marinaj?
 
Gjekë Marinaj: Gjithmonë e kam konsideruar një privilegj të veçantë ndarjen e njohurive me studentët e mi. Ndaj nuk jam kënaqur kurrë me kërkesa elementare ndaj vetes në profesionin tim. Aftësia për ta kuptuar nga të gjitha anët subjektin e rrallës dhe kompetenca e plotë për përcjelljen e thelbit të tij tek studentët të bën të ndjehesh një pedagog i mirë. Por unë përpiqem të shkoj më tej, të bëj të pamundurën që studentët e mi, jo vetëm të njihen thellësisht me subjektin që trajtoj, por edhe të pasionohen me të. Ndryshe nuk mund të krijohet ajo bazë e shëndoshë njohurish që studentët duhet të disponojnë në përballimin me sukses të përvojave të ndryshme të jetës. Unë punoj i ndërgjegjshëm se vetëm një përvetësim i avancuar i dijeve ua mundëson atyre kompetencën e duhur për t’u kthyer në elemente të domosdoshëm në fushat e artit, shkencës apo industrive të tjera të zgjedhura prej tyre. Ndërsa përbërja ime shpirtërore, si poet, është një kompozim social gati ekfrastik. Aty gjenden të regjistruara shumica e eksperiencave të mia personale dhe interpersonale. Pikërisht ky fenomen i ndërlikon disi mundësitë e mia për një përkufizim të saktë se kush jam si poet e njeri. Jeta ime është ndarë të dy pjesë gati të barabarta nga një centrifugë fati që është dominuar nga dy cikle rrotullimesh relativisht të shpejta dhe të mundimshme, të cilat nuk janë sinonimike as në reflektimet kohore as në koordinatat hapësinore të asaj që meriton njeriu i sotëm. Emëruesi i përbashkët i 25 viteve të para të kaluara në Shqipëri, i gati një viti në Mal të Zi dhe Serbi, dhe i këtyre 21 viteve që po kaloj këtu në Amerikë, ka më tepër kuptim logjik sesa numerik. Numri i diplomave universitare, apo i gradës Magna Cum Laude që kam fituar, numri i çmimeve letrare që kam pranuar, numri i librave që kam botuar etj. janë të rëndësishme për mua, por ato kanë vlera gati të natyrës sekondare në jetën time. Vlerë primare për mua ka ajo që mund të bëj me to në të mirë të humanizmit. Jo numri apo fama që amplifikojnë. Në këtë kuptim unë jam dhe mbetem shuma absolute e kontributit që japin veprat dhe veprimet e mia personale, kreative dhe profesionale drejt përpjekjeve kolektive për t’i dhënë botës një shtytje positive të mëtejshme.
 
M. D : Mund të flisni pak mbi jetën tënde para arratisjes nga Shqipëria?
 
Gj. M.: Zoti dhe Shqipëria gjenden në detaje. Për dikë ky mendim mund të shfaqet disi paradoksal, por për mua si koncept filozofik është domethënës, sepse dhe unë jam një detaj i Zotit dhe Shqipërisë. Zoti më ka krijuar me mundësitë për t’u rritur. Shqipëria më ka rritur me mundësitë për të krijuar. Ndaj regjimi komunist i asaj kohe i trembej krijimtarisë letrare e artistike të pa censuruar dhe vinte kufij të trashë prej mjegulle rreth secilit autor. Rrezatimi im brendapërbrenda këtyre kufijve sugjeronte se mund të kisha kontroll mbi veprimet e mia. Unë
i kalova të gjitha caqet me poezinë “Kuajt”. Që nga ai moment jeta ime pësoi ndryshime aq rrënjësore, saqë për herë të parë veprimet e mia filluan të marrin kontroll mbi mua. Për një kohë, gjithësia brenda dhe rreth meje mori pamje apokaliptike. Realiteti e ktheu qenien time në
një copëz natë të errët. Ligjet termodinamike të unit më shtynë që t’ia besoja “errësirën” time virtuale errësirës së natës së vërtetë të 12 shtatorit të vitit 1990. U bëmë bashkudhëtarë me natën dhe për fat të mire të dy gjetëm “dritë” në Podgoricë atë mëngjes.
 
M. D: Ka qenë diçka aventureske, diçka e ngjashme me ikjen nga ferri. Na trego disa gjëra mbi këtë ngjarje kaq të rrezikshme – që të ka ndryshuar rrjedhën e jetës.
 
Gj. M.: Pavarësisht kontekstit historik apo politik nën të cilin mund të zhvillohet një incident, largimi arratik nga vendi yt është gjithmonë një ferr tokësor. Në rastin tim, ai është konsistent me dy lloj flakësh të brendshme, që në një konspekt të ngjeshur u përkasin ndjenjës së mëkatit dhe përgjegjësisë autoriale. Të dyja i nënshtrohen një trysnie komplekse emocionale dhe intelektuale. Ngaqë ky fenomen krijon një korrespodence shtesë dinamike ndërmjet inosencës së brendshme dhe formave të ndëshkimit të jashtëm, mund të them se ai kualifikohet, të paktën në kuptimin linguistik, për t’u konsideruar si veprim aventuresk. S’do mend që nocioni i ndëshkimit sjell një mesazh drithërues brenda strukturës së gjykimit kur ndërmerr veprime të kësaj natyre, por konsolidimi i procedurave të drejtësisë së asaj kohe reflektonte tërësisht si subjektiv, fabrikues dhe diskriminues. Unë besoj se shpirti lind dhe formohet me ëndrrat dhe dëshirat e njeriut; pastaj rilind përsëri në krijimtari si një dëshmitar i përvojave të deriatëhershme. Ndryshe ndodh me mendjen. Në raste të tilla dramatike ajo është ose e pastër ose e turbullt. E turbullt kur gjendet në teh të dëshirave apo rreziqeve dhe e pastër kur është e pavarur prej tyre. Ngaqë mendja dhe shpirti im gjendeshin në klimaksin e trishtimit, u detyrova ta kthej edhe ndjenjën e mëkatit në një faktor mbijetese për mua. Parimet në të cilat e mbështeta këtë konkluzion do të kishin qenë më të sakta dhe më të besueshme po të shiheshin nën dritën e teorisë së evolucionit Darwinian. Nuk ishte vetëm ambienti ai që duhej ta mundja për të mbijetuar; unë duhej të fitoja edhe mbi ndjenjën e fajit dhe dhimbjes që ndjeja për lënien pas të familjes, shokëve dhe atdheut.
 
M. D.: Në Amerikë ke filluar një jetë të re: studime, karrierë, jetëfamiljare etj. Na trego, pra, mbi këtë ringjallje në “vendin e të gjithamundësive”.
 
Gj. M.: Që në fazat embrionike të jetës së re, siç e quani edhe ju, kamvënë re një farë animi instinktiv drejt vitalitetit jetësor. Para ardhjes në Amerikë karakteristika dominuese e individualitetit tim ka qenë dinamizmi rinor. Duke gjykuar në retrospektivë, druhem se gjysma e
parë e jetës sime ka qenë subjekt i një energjie jetësore virtuale, ndoshta të rreme. Në rastin më të mirë, ajo ka qenë më tepër një epitomë e jetës së impulseve djaloshare sesa asaj medituese. Për fat të mirë, gjithçka ndryshoi sidomos pas njohjes me gruan time. Dusita dhe unë, në nëntor të këtij viti, do celebrojmë 21- vjetorin e martesës. Së bashku kemi krijuar një jetë familjare, që në tërësi reflekton botëkuptimin tonë të përbashkët për vlerat bashkëshortore, që për ne është një burim me përmbushje absolute. Kjo ka bërë të mundur shijimin e plotë të fryteve që sjell për ne një jetë e qëndrueshme dhe e lumtur.
 
M. D.: Tani je një poet i njohur në Shqipëri dhe jashtë saj. Kur e ke kuptuar faktin se mund të shprehesh me anë të poezisë? Ishe akoma në Shqipëri?
 
Gj. M.: Kjo pyetje është pjesë e një debati të vjetër dhe të komplikuar filozofik. Unë e kuptoj atë si epitomë e pyetjes se cili fenomen më ka përshkuar më parë; dëshira të shprehesha përmes poezisë apo fakti që e dija se mund të shprehesha përmes saj. Dëshira më ka filluar që kur isha fëmijë në Malësi të Madhe. Me kalimin e kohës e kam kuptuar se një proces i tillë nuk kufizohet vetëm nga teoria e ekspresivitetit artistik apo avancimi i evoluimit psikologjik të njeriut krijues. Aty hyn edhe faktori i brishtësisë shpirtërore, që është në gjendje të ofrojë një reflektim spontan të kërkesave personale ndaj fuqisë poetike. Sado stilistike apo morale që mund të tingëllojë kjo ide, ajo është e bazuar në psikologjinë rinore, në dëshirën për t’i ngjarë natyrës në prodhimin e gjërave të bukura dhe të vlershme për njeriun. Kjo dëshirë apo nevojë për t’u shprehur poetikisht ka filluar dhe do mbarojë me pjesën e poetit që gjendet brenda meje. Ndërsa pjesës qendrore të pyetjes tënde, se kur e kam kuptuar se mund të shprehem përmes poezisë, mendoj se nuk mund t’i përgjigjem me saktësinë që meriton. Unë jam i ndërgjegjshëm se para tentimit që të shprehësh diçka objektive në varg, probabiliteti i një shprehje inteligjente ndaj subjektit në fjalë duhet të ketë të paktën një ose më shumë mundësi që anojnë drejt kaheve pozitive të realitet. Në këtë kontekst, duhet ta pranojmë se orvatjet për përsosjen e artit poetik në botën bashkëkohore janë reflektime të idealit krijues dhe pjesës së ekspozitës më të besueshme të ecurisë individuale të poetit që është besimi në vetvete. Ky besim nga njëra anë mbetet një sfidë e përhershme ndaj kërkesave që kam në punën time krijuese, por nga ana tjetër e shoh si një kënaqësi filozofike, një karrem ndaj vegimeve të metafizikës dhe si epiqendër e ekzistencës së muzës time poetike. Ky ambiguitet qëndron edhe për shkakun se poezia e pranon detyrën e vështirë dhe të rrezikshme të integrimit me problemet ende të hapura për dallimin e të bukurës nga shëmtia, të izolimit personal nga liria e shprehjes dhe të jetës poetike nga humbja e mundësive për ta mbajtur të ekuilibruar në shoqëri atë. Përvoja ime personale ka vërtetuar se jo çdo përpjekje që fillon si filozofi mbaron si art. Ndaj çdo përgjigje definitive e pyetjes tënde nga ana ime do të ishte më tepër një fenomen që sillet orbitave të një hipoteze, ndoshta të ligjshme, por gjithsesi një hipoteze në kuptimin më filozofik të fjalës.
 
M. D.: Unë besoj se poezia jote është ndikuar, ndoshta jo vetëm formalisht, nga poezia amerikane kontemporane. Si thua ti?
 
Gj. M.: Mendoj se do të ishte më e saktë të themi se poezia ime është ndikuar nga jeta amerikane. Poezia amerikane nuk mund të konsiderohet më si poezi e një populli indigjen, sepse ajo ka mbledhë në gjirin e saj poetë nga i gjithë globi. Në këtë vend kultivohen mbi 500 forma poetike nga një numër aq i madh poetësh sa i kanë bërë organet zyrtare të statistikave të heqin dorë nga dhënia e nunrave specifik. Gjithsesi, edhe në poezi, Amerika mbetet si epiqendër e çudirave të mëdha dhe nuk mund të klasifikohet apo imitohet nga askush. Fakti që poezia ime reflekton jetën amerikane, apo i përket shkollës së poezisë amerikane, mund të thotë se unë jetoj si qytetar dhe si poet amerikan. Unë i dua dhe u shërbej të gjithë njerëzve, sepse kjo është njëra nga dhuntitë kryesore morale, shpirtërore dhe artistike të poetëve. E si mund të jetë ndryshe poezia ime kur Amerika është kaq njerëzore për të gjithë. As poezia ime nuk diskriminon kundër asnjë subjekti të ndershëm dhe të sinqertë në këtë botë. Ka qenë Amerika ajo që më ka mësuar se diskriminimi human është një virus i rrezikshëm, që është e lehtë të infektohesh me të dhe shumë e vështirë të kurohesh kundër tij. Me fjalë të
tjera, poezia ime është indikative e jetës amerikane, sepse është një krijesë që merr energjinë prej saj.
 
M. D.: Na fol pak mbi çmimet letrare që ke fituar deri tani.
 
Gj. M.: Të gjitha çmimet letrare me të cilat jam nderuar i konsideroj satë rëndësishme aq edhe të rrezikshme. Unë i përdor ato si materie aposegmente lartësimi në të mirë të arkitekturës së krijimtarisë time. Pra,nuk pushoj mbi komfortin e tyre, por ndërtoj mbi to. Unë jam i vetëdi171
jshëm se çmimet letrare mund të kthehen në hipnotizime vëmendjeshqë po të mos jesh I kujdesshëm ta humbin ekuilibrin, të s’postojnë ngaqendra, duke të joshur të meditosh për të kaluarën e letërsisë tënde e jotë përqendrohesh në projektet që ke apo duhet të kesh në dorë. Historiaka treguar se nganjëherë është fama ajo që i shkatërron krijuesit letrare artistik dhe jo heshtja ndaj tyre. Ky është një fakt që nganjëherë matërheq vëmendjen.
 
M. D.: Çmendon për projektin tonë të përbashkët?
 
Gj. M.: Afinitetet kulturore të popullit shqiptar me atë rumun janë unike në Evropë. Uroj që poezia ime ta forcojë sadopak këtë vlerë të ndërsjellët. Jam me shumë fat që ju e keni marrë përsipër këtë projekt. Pa përkthyes të kalibrit tuaj letërsia botërore nuk do ishte kjo që është sot.
 
M. D.: Së fundi, ju jeni themeluesi i Protonizmit. Si mund ta përkufizojmë këtë teori letrare dhe filozofike?
 
Gj. M.: Protonizmi si perceptim linguistik e përshtatje terminologjike është bazuar në linjat shkencore të kimisë dhe fizikës, më saktë në fjalën proton që si pjesë përbërëse e bërthamës së atomit ka ngarkesë elektrike pozitive. Si teori letrare dhe koncept filozofik Protonizmi hulumton hipotezën e së njohurës në kuptimin metafizik dhe të së njohurës jo deri në fund në kuptimin filozofik. Pesë principet e Protonizmit sugjerojnë që çdo kritikë letrare duhet të fillojë dhe të vazhdojë grafikisht në të djathtë të zeros.
 
 
Gjekë Marinaj u lind në Brrut të Malësisë së Madhe, Shqipëri, në vitin 1965. Ka botuar disa libra me poezi, prozë, kritikë letrare dhe përkthime. Në vitin 2001 ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Përgjithshme (Associate in Science) në Brookhaven College. Katër vjet më vonë mbaroi Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Bachelor of Arts in Literary Studies: Magna Cum Laude) në Universitetin e Teksasit në Dallas. Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Master of Arts in Humanities—Studies in Literature) e mbaroi në vitin 2008 në UT 172 Dallas. Më 8 dhjetor 2012, është diplomuar me gradën PhD (Doktor I Filozofisë) në Shkencat Humane nga Universiteti i Teksasit në Dallas. Në vitin 2003 është nderuar me Çmimin Pena e Artë nga SH.SH.SH.A.
Çmimin e Parë në poezi, akorduar nga revista letrare amerikane Sojourn, e pranoi në vitin 2006. QNK (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës) e nderoi me çmimin Pjetër Arbnori në Letërsi në vitin 2008. Ndërsa më 30 janar 2012, u nderua me Çmimin Albanian BookerMan në Letërsi për krijimin e Protonizmit (një teori e re letrare dhe filozofike) nga Kompania Mediatike Nacional e Shqipërisë. Marinaj është pedagog i gjuhës dhe komunikimeve Angleze dhe i lëndës së Letërsisë Botërore në Richland College në Dallas të Teksasit, ku jeton me gruan e tij Dusita.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s