Poezi nga Sabit IDRIZI

Poezi nga Sabit IDRIZI

 

GOJË DHE VESHË

Nuk qenka edhe aq vështirë të jetosh pa gojë
Kur paska kaq shumë njerëz që paskan veshë
E po ta marrkan kaq mirë vesh heshjen

Nuk qenka edhe aq lehtë të jetosh pa gojë
Kur paska edhe disa të tjerë
Që edhe po t’i kesh një mijë gojë
S’po t’ia vëkan fare veshin fjalës…

 

MË MUNGON
(Në spital)

Më mungon një mal i lartë
Që t’i ngjitem mu në majë të majës
E t’ia mbush lugjet memece
Me një piskamë të fortë malësori

Më mungon një lumë i kthjellët si loti
Që t’i futem mu në mes të dallgëve
E t’ia kompozoj ëmbëlsisht
Do gurgullima të përjetshme rrjedhe

Më mungon një puhizë e lehtë pranvere
Që t’ua flladis ballin e djegur
Të gjithë këtyre që po dergjen nëpër këta shtretër

Më mungon një livadh i gjerë sa deti
Që t’ia mbledh krejt blerimin
E t’ua sjell këtyre njerëzve këtu
Që ta mashtrojnë me ngjyra pagjumësinë e netëve të gjata

Më mungon një mbesë me emrin Yllka
(Që ende s’i ka mbushur dy vjet)
Që ta përqafoj pushtueshëm
Derisa ta pëlcas mallin që po më përvëlon

Më mungon një nënë me emrin Bahtije
(Që sivjet i ka mbushur njëqind e tri)
Që t’ia ofroj një trohë melhem shpirti
Nga shpella e hapur e shpresave të mia

Më mungon një derë e hapur
Që të dal kur të dua
Nga lëkura që s’po m’i bjen tamam shtatit

Më mungon një gojë që flet
Që t’u thërras ndërgjegjeve të fjetura të këtyre këtu
Që të na thonë ndonjëherë edhe ndonjë fjalë të ëmbël
He nënën ia lofsha edhe kësaj pune.

 

KUR TË NISEM…

Kur të nisem atje për në pakthim
(Ku sheh të paparën, ose nuk sheh gjë më kurrë)
Gjatë gjithë rrugës do të më përcjellë po kjo brengë
Që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës

Sa shumë dashuri pata për njerëzit
E sa pak mundësi kisha
Për t’i kënaqur përditë me diçka.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s