NËN BLI PO RRINTE CUCA (Variacione me temë nga tregimi ”Nën qarr rrinte vasha “ – Kujtimit të Anton Pashkut / Tregim nga Resmi  OSMANI 

NËN BLI PO RRINTE CUCA

Variacione me temë nga tregimi ”Nën qarr rrinte vasha “    

 Kujtimit të Anton Pashkut

 

Tregim nga Resmi  OSMANI 

Lula e Zef Pjetrit, të Pjetër Zefit, cuca që hala si kishte mbushur gjashtëmbëdhjet vjeç ,por që kaherë e kishin fejuar me dikënd matanë malit, që ajo as e kish pare e as ia donte zemra, u ndje e rrethuar nga vetmia dhe heshtja. Shtëpitë e bardha të katundit, nanuriseshin si të përgjumura e të heshtura, mes blerimit të harlisur. Disa prej tyre, përmalloheshin për të zotët që i kishin braktisur dhe rënkonin dhimbshëm sa herë era përshkonte mazgallat e tyre. Heshtjen e prishte kënga e ndonji gjeli , pëllitja e ndonjë lope ,apo e lehura e ndonji qeni. Frymë njeriu. Shkreti. Fiskaja e tymit që delte nga oxhakët e shtëpive të rralla, e mësynte qiellin, por që se arrinte se e davariste era, kallzonte se ende në to banonin njerëz. Ndjehej vizhëllima e erës pranverore kësaj magjistareje që lozte pa pra me gjethet, që dridheshin dhe këndonin me zë të lehtë nga dashuria dhe ledhatimi që u falte era, teksa  degët e kurorave vallzonin nën atë melodi. Era, ishte si njerëzit, mendoi Lula: këndonte,kur ishte me të mira, por ushtonte e uturinte në stuhi e furtuna. Ajo e donte dhe i gëzohej puhizës pranverore, por i frigohej zemërimit të saj kur hidhte me potere shi e borë.

Heshtje,

Vetmi,

Mërzi.

Një shosh qiell, her i kthiellët e her i vranët, katundi i vogël, i heshtur e i shurdhër, me ca ara dhe rudina,  rrethuar me pyje e male e ca më tej alpet. Kjo ishte e gjithë bota për Lulën.E vogël për dëshirat e saj, por e madhe për tu kapërcyer.  Kishte nisur dita e re. Lula, pa ditur ç’të bënte, i hodhi sytë nga perëndimi. Atje larg e larg, në vijën e horizontit qielli puqej me detin. Deti! Ajo s’kishte qenë,veç e kishte parë në televizor. Për të i kishte folur edhe Sokoli, djali i kojshiut, mixhës Zekë. Se Sokoli ishte djalë i dalë. Tashmë edhe Sokoli s’ishte në katund, kishte shkuar në një vend të largët që i thoshin Irlandë. I kujtohej si sot ç’ka i kishte kallzuar. Ai e kishte parë me sytë e tij. Kishte qene ne Durrës e Vlorë. Deti i tha ai, ka ngjyrën e syve të tu!(Kopili, që hiqej si cub, i vinte rrotull e donte t’i prishte mendjen,por ajo bënte sikur se vinte re.) Deti: i madh e i madh, pa fund e pa anë, tutje nga ç’të ha syri. Deti ka livadhe ku kullosin grigjat e veta peshqit, e njerzit lahen në te e perzjehen me peshqit. Daç beso, daç mos beso: njerëz- peshq, që u thonë delfinë por edhe peshq- njerëz, janë sirenat me fytyrë vashe e me trup peshku. Heu-u mahit ajo- a thue!- Dielli e lan me flori detin- kallxoi ai- dhe e ndez flakë kur perëndon. Bukurira që s’ti rrok mendja e kresë. Deti qesh e loz kur është me të mira, po terbohet ,shkumëzon, gjimon e ngre dallgë sa një mal kur zemerohet, sa s’të vjen ta shohesh me sy. Çudirat e sokolit s’kishin të sosur. Tha se mbi ujrat e tij vozisnin do sende të mëdhaja , që ajo s’po ja u kujtonte emrin,ishin sa një qytet, e në ta me qindra njerz. Në ranishtet që u thoshin plazhe, njerëzia, burra e gra të të gjitha moshave thekeshin e rreziteshin e pastaj flladiteshin në ujin e njelmët. Lula,kishte parë në një libër me figura, toka në midis ujrave të detit, që u thoshin ujdhesa, në dete të largëta, të vendeve të nxehta pa dimër, me plazhe ku rëra ishte e bardhë sa të merrte sytë dhe ca peme të çuditshme trupdrejta me një tufë gjethesh të mëdhaja e të varura në majë, që u rrinin si kapelë. Për do gjana, ajo s’e besoi Sokolin, ama, detin, edhe pse se kishte parë kurrnjiherë e donte. Ku t’a dish, një ditë ajo do të shkonte në të, në një nga ato tokat midis ujit të detit. Kush do ta shpinte? I fejuari,që se njihte e as ja donte zemra? Jo. Princi i kaltër!E pse jo?

Veshi xhinset, bluzën e hollë dhe sandalet me një rrip që futej midis dy gishtave. U nis tatëpjetë për te bliri i burimit, që ishte në të dalë të katundit. I pëlqente ai vend. Ngau shtegut e doli te livadhi. Mbi gjelbërimin e barit ndrinin e vizllojshin piklat e vesës, luledelet e gjitjhfarë lule të tjera: të kuqe, të verdha, të kaltra, të bardha. Bëri me to një buqetë. Pas mbeteshin gjurmët, piklat e vesës ia giclojshin dhe freskonin këmbët. Mbrriti. Ai bli ishte fillikat në livadh. I trashë sa se pushtonin dot as dy burra. Maja e kurorës së tij synonte qiellin. Bënte hije sa te mrizonin nën të një tufë me dele. Bliri ishte në lulzim, amza e tij ermironte ajrin. Lula frymoi thellë, s’kishte të nginjur me atë aromë mjalti.Luzma e bletëve zhuzhinte, lule më lule thithnin nektarin. E ai mjaltë do të kishte aromën e luleve të blirit. Në të djathtë, pak hapa larg, rridhte e gurgullonte nga një lug druri ujët e burimit,  kristal e brisk i ftohtë. Uji mblidhej në një hauz e pastaj duke murmuruar merrte rrugën tatëpjetë. Gjyshja i kishte thënë se kush pinte prej tij, shërohej nga çdo sëmundje, dhe kur pinte, të mendonte një dëshirë dhe atë do  ta kishte. Kështu thoshte gjyshja, gjyshja ishte e mençur e duhej besuar.     Cuca shkoi te hauzi. Mbi të binin ca rreze drite që përshkonin kurorën e blirit dhe laheshin në kaltërsinë e ujit. U pa në të. Pasqyrimi në ujë ishte ndryshe nga i  pasqyrës. E tëra ishte e zhytur përmbys në ujë, dridhej dhe lëkundej si të ishte  e pezullt. Buzëqeshi. I buzëqeshi edhe cuca e ujit. Krodhi dorën në të që ta kapte, por mbi pasëyrën e ujit u krijuan ca rrathë, figura u luhat dhe u shformua, i shkau nga dora. E la të qetsohej, rrathët e ujit u fashitën në buzët e hauzit. U pa sërish. Vërejti se  ishte e bukur, vërtet e bukur, ashtu si i thoshte gjyshja, e bukur si zana. E kuptonte këtë edhe ngaqë Sokoli dhe djemtë e tjerë të katundit, ende pa ikur, e pinin me sy.Psherëtiu si ti vinte keq për veten. E kujt i hynte në punë ajo bukuri? Djemtë e katundit kishin marrë rrugët e botës. Kush kujtohej për të? Mbase Sokoli, por në atë vend ku kishte shkuar, kushedi sa goca të bukura kishte që ia prishnin mendjen dhe s’i shkonte ndërmend për të. Gropëzoi dorën dhe piu ujin që rridhte nga  ulluku i drunjtë. Uji i ftohtë i rrodhi në mjekër, në gushë dhe më posht në të ndarën e gjokseve, që ia flladiti. Piu dhe mendoi dëshirën: të vinte princi i kaltër, ta merrte në vithet e kalit të bardhë dhe ta çonte fluturim larg te ajo toka në midis ujit të detit, me plazhet rërë-bardha dhe ato pemët e çuditshme,  ku të mos i gjente askush. Të vinte nga të donte: nga toka, qielli apo deti, le të vinte  nga të donte, veç të vinte! Pa dale! Pse I thoshin Princi I Kaltër, dhe gjithnjë duhet të vinte me një kalë të bardhë? S’dinte ta thoshte. Apo ngaqë ishte i veshur me pelerinën e kaltër? Ai që kishte pare në figurat e revistave, ishte një djalosh i bukur flokëverdhë. E cila vajzë ishte ajo që nuk do ta donte?

U ul nën hijen e blirit, bari i gjelbër dhe fierishtet, kishin atë amzën e pikërt të njomështirës. Mblodhi gjunjët dhe i kapi me të dy duart. Qetësinë e prishte vetëm kënga e zogjve. Këndonin mbi bli dhe në pemët e lisave  të pyllit aty pranë. Me ta përzjehej edhe cinxërima e gjinkallave. Zogjtë- I shkoi  mendja cucës,- këndojnë si të kishin dasëm: qukapiku ishte tupanxhi, bilbilat violixhi, gardalinat deftore dhe turtujt curlaxhinj. Po cilin martonin dhe a martoheshin zogjtë? E pse jo. Për deri sa çiftëzoheshin e shumoheshin? Ju kujtua që dallandyshet posht pullazit kur bënin folene  ishin në çift, i ngrohnin vezët herë njeri e herë tjetri. Edhe pëllumbat, me siguri dhe të tjerët. Martesa gjithandej! Dhe kënga jehonte. Sa për valle, gjithë zogjtë fluturakë ishin valltarë. I kishte parë me sytë e saj sesi harabelat, si ca ashikë të djegur nga dashuria, u silleshin rrotull e u bënin xhibla të dashurave dhe pëllumbat qe gafrronin puplat, gugisnin  dhe hidhnin atë valle të çuditshme që tu pëlqenin pëllumbeshave. A thua dashurojnë dhe bëjnë dashuri zogjtë? Edhe mbase, edhe jo. Ku ta dish? Gjyshja mund ta dinte po asaj i vinte marre që ta pyeste. Po fundja , kujt i bëhëj vonë për kësi gjërash! Gjithandej martesa! Vetem gocat e katundit te saj po mbeteshin pa martuar. Djemtë kishin marre rrugët e botës.

Befas ajo seç ndjeu një shkrehje, topitje, turbullim të brendshëm si ligshtim në parzm, por edhe si një mall per diçka që ajo se  kuptonte se çfarë, një ndijesi ëmbëlcake e molisëse, një dëshirë  për diçka të pritshme, të mjegullt e të papërcaktuar,që gjithsesi i ngjallte një drithërimë të këndshme që i lëvizte me gjakun nëpër rrëmba, si një zjarrmi dalldisëse. Po kjo ç’të qe? Mos vall ishte thirrje e pranverës, ajo dehje marramendëse që kishte bërë të shpëethenin lulet, të harlisej bimësia, të ndrinte dielli dhe të frynte puhiza që mbartte pjalmin dhe aromën e natyrës në shpërthim, në një gëzim e hare të marrë? Nuk dinte. Ajo iu dorzua kësaj ndjesie që nuk e kuptonte se ku do ta shpinte. Megjithate nuk ndjehej e lumtur. Po vinte vjeshta, do perfundonin te korrat, do mbusheshin hambarët, njerëzia do të ishin të ngeshëm dhe atë do ta martonin, në atë humbëtirën matanë malit. Ajo do të humbiste vajzërinë dhe gjith këto gjëra dhe sende që i donte. Nga shpirti i doli një ofshamë që drodhi gjethet e blirit.

U shtri  mbi bar nën hije. Nga kurora e blirit, dielli gjente ca të çara dhe dërgonte një vandak rrezesh të zbehta, si të donte të shihte se çfarë bënte ajo. Cuca mbuloi fytyrën me duar, por midis gishtave la hapsira që të sodiste qiellin. Në qiell do re të bardha si shtëllunga leshi, me anë të shprishura kullosnin livadheve të qiellit si tufa delesh dhe shtyheshin kah jugu, për kushedi se ku. Bëri çudi me retë e bardha: s’kishin krahë, por fluturonin  në lartësitë qiellore. Ishin krejt të lira, shkonin nga të donin. Fluturonin edhe zogjtë por kishin krahë me pupla. Edhe ata ishin të lire. Fluturonin fluturat, bletet dhe kandrra tjera, me krahë pa pupla. Fluturonin aeroplanët, edhe ata kishin krahë të hekurt. Edhe asaj iu  ngjall deshira te fluturonte. Kishte dy krahë, por pa pupla. Veç shpesh ajo kishte fluturuar në ëndërr.Ishte një fluturim i çuditshëm, ajo si e papeshë rrinte pezull në ajr dhe luante duar e këmbë, që e shtynin dhe e ngrinin lart e më lart. Kjo nuk zgjaste shumë, zgjohej dhe e zhgënjyer e shihte veten në shtresa. Me kësi mendimesh, kapakët e syve iu rënduan, qerpikët u mbyllën dhe ajo u ndodh në atë gjendjen as gjumë as zgjuar që i thone dremitje, ku çatisin  vegime, mirazhe dhe ëndërra. ….

U ndje një rrapëllimë: ta- ta-ta.Vinte nga qielli. Ishte një fluturakë, as e madhe po as e vogël. Ishte asish që u thonin helikopter. Ndrinte  nën dritën e diellit si të ishte i argjendtë. Qëndroi pezull mbi livadh, pastaj u ul mbi bar butë-butë. Nga rrotullimi i helikave fryu një rrymë ajri. Lula u ngrit dhe e habitur s’ja shqiste sytë. S’ia rrokte mendja, sesi erdhi kjo fluturake te livadhi i blirit. Prej saj zbriti një djalosh shtathedhur, me një veshje të çuditshme që ajo se kishte parë kund.  Në dorë, mbante një valixhe të vogël  dhe ngau drejt Lulës. Ajo s’u besoi syve. Ishte Sokoli  ,kojshiu, biri i mixhës Zekë. Heu bre!

– Kush je ti? –pyeti ajo disi e friguar.

–  Princi i kaltër.

-Po kali I bardhë?

-Kanë ndrruar kohët, tani është koha e “kalit” të hekurt fluturues.

– Mos më rrej, ti je Sokoli i mixhës Zekë.

– S’më beson? Kqyre pra!

Hoqi nga kryet kaskën dhe flokët ngjyrë gruri iu derdhën mbi supe, mandej u mbulua me një pelerinë të kaltër që u duk sikur ra nga qielli, mjekra e bukur dhe mustaqet si push i hijeshonin fytyrën, por nga sytë dhe tiparet e tjera të fytyrës ai s’ishte veç Sokoli. Si ishte e mundur, mendoi ajo:Sokoli princi i kaltër! Ai e kapi fort nga krahu që ta tërhiqte drejt vetes, sa asaj i dhembi dhe i tha:

– Oh! Kadalë, se më vrave!

E atëherë Princi i Kaltër,me sy të pulitur kërkoi dhe gjeti buzët e plota e të ngrohta e vendoi mbi to të vetat dhe puthja qe e gjatë e zjarrtë dhe dalldisëse. Ajo mbeti si e goditur nga rrufeja.

-Lulë, martohu me mua!

        – Po ti a se din  që mua më kanë dhanë e jam nafaka e nji tjetri? E ata, që s’do ta durojnë dot kët turpnim, do të na sulen mbrapa, e do të na gjejnë deri në fund të dheut, do të më marrin e khejnë apet atje ku më kane dhanë.

– E di kaherë oj Lulë. Ani,  mos kij gajle e sëkëlldi këso dore. Kohët kanë ndrruar.Të tjera kohë të tjera zakone.

“A thua të ishte vërtet ashtu, a ja kishin arritur kësaj dite?” Pyeti veten ajo.

Sokoli hapi valixhen dhe nxori sish një unazë  ari me gur diamanti të pastër si lot që ndrinte e llapste ne dritë. I mori dorën dhe Ia vendosi në gisht . Mandej, fustani i nuserisë, si i mjegullt, kishte ngjyrën e qumshtit, gjithandej i  stolisur me perla që xixëllinin me një dritë të ëmbël.

-Vishe!

-Si me u zdesh dhe me u vesh këtu nën bli?!

Ai hapi pelerinën si kurtinë që s’linte tu dukte asgjë. Ajo e veshi fustanin e nuserisë.

– Ti s’je Lula-tha ai, por një zanë mali.

         – Kam frikë nga kjo mrekulli.  Ku do na shpiesh?

– Në atë tokën  në midis të midisit të ujrave të detit, me plazhe rërëbardhë, ku s’ka dimër e askush nuk ka si të na gjejë.- e zuri për dore që ta hipte në helikopter.

–Pa dale, ti qenke zbathur, Silli kembet të të vesh këpucët e arta. Ndjeu që po e guduliste në shputë të këmbës , e qeshi gëzueshëm.

Thonë mirë: shtrigat s’të lenë të bësh dasëm.Atje ku shtegu zbriste nga katundi te livadhet, u ndje një zallahi dhe zëra burrash që sokëllinin. Ajo pa se u printe një riosh mustak madh, Duhet të ishte i fejuari. Pas i vinin një trumbë burra e djelm. Teksa rioshi mustakmadh ngutej, ecte me hapa të mëdhenj dhe kishte hedhur krahut një pushkë, e bërtiste e sokëllinte, të tjerët dukej se shkonin pa ngut pas berihait, sa për t’i bërë qëjfin mikut të tyre. Ata ishin të armatosur me sakica, kmesa dhe sfurqe, që i ngrinin lart dhe i tundnin kërcnueshëm duke bertitur: ”Kapini, bre kapini, cubi na ka rrëmbyer Lulën tonë!” Çeta e ndjekësve sa vinte e afrohej.Lula, e friguar, u kap fort pas Sokolit. Ai ndjeu sesi dridhej dora e saj, pa sesi iu zbeh fytyra dhe ju mek zëri kur i tha:

-Ata po vijnë, shpëtomë!

Ishte si një makth. Sokoli, me lulën perdore mori vrapin për te helikopteri. Vraponin dhe sokëllinin edhe ndjekësit. Nur hipën në helicopter, nuk i ndanin veçse disa hapa. Lula dallonte mirë fytyrat e tyre të hakërruara, britmat dhe kanosjet. Sokoli  ndezi motorrin. Rryma e ajrit të helikës, i zbrapsi ndjekësit. Zogu i hekurt u ngrit në ajri. Kishin shpëtuar.Tashti nuk ndjehej tjetër veç rrapëllimës së helkës dhe ajo ta-ta-taja e motorrit. Ndjekësit, me kryet lart, kmesat sfurqet dhe sakicat i kanoseshin qiellit. Lula pa se njeriu me pushkë, ai mustakmadhi, që duhej të ishte i fejuari i saj, hoqi pushkën nga supi dhe mori shenjë……

Lula u zgjua. Ishte qull në djersë. Aty pari dëgjoi këmborët e grigjës së deleve. Ku ishte, ç’të ishte, çfarë kishte ndodhur me të?

S’po e mblidhte veten. A duhej tu besonte syve?

Pak çape më tej, i mbështëtur në shkopin e vet gjithë nyje kishte qëndruar plaku i kërrusur e mjekërbardhë dhe po e sodiste buzëqëshur, atë bukuri të fjetur, që i kujtoi të ritë e tij. Ishte baca Martin, që aty pari kishte sjellë grigjën për mrizim. Dhija e tij manare,që e shihte cucën me ca sy të habitur,  i kishte lëpirë Lulës shputën e këmbës së zbathur. Ishte ashpërsia e asaj gjuhe që e kishte giciluar, që e kishte zgjuar dhe ia kishte prerë në mes atë ëndërr , sa të bukur e aq të makthshme , që po e shihte nën hije të blirit të moçëm.

-Të zuri gjumi, fjete?

-S’di ta them. Ishte si dremitje. Pashë një ëndërr.

-E bukur?

-Si përrallë.Edhe e bukur edhe e frikshme.

-Eh moj bijë, e gjithë jeta është një përrallë-tha baca Martin dhe çalë-çalë, duke u mbështetur në shkopin e vet tërë nyje, shkoi pas grigjës.

Ajo mbeti nën bli me me vegimet e ëndërrës.

Gjethet e blirit fëshfërinin, ujët e burimit gurgullonte, dielli shndrinte, zogjtë këndonin, teksa ëndërra e saj po davaritej si mjegulla kur e shtyn era.

Duhet të kthehej në shtëpi që ti ndihte gjyshes për të gatitur drekën. La blirin e ëndrrave dhe mori shtegut përpjetë.

Nga shpirti i doli një psherëtimë dhe tha me zë ”Oh mor Sokol, ku je?!”

        Tiranë, gusht 2019

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s