Shmili, një udhëtim në shekuj, përmes monografisë së Agim Qokut / Nga: Sejdo Harka, Studiues e publicist

Posted on August 9, 2019

0


Shmili, një udhëtim në shekuj, përmes monografisë së Agim Qokut

Sapo fillon të shfletosh monogrfinë “Një rrugëtim në shekuj”, shkruar nga arsimtari Agim Qoku e recensent shkrimtarin Viron Kona, përpara të shpaloset si një mbrekulli e rrallë, Shmili, një nga zonat më të thella, por më të bukurat e Elbsanit të sotëm. Ai i ngjan një meteori të rrallë, të zbritur nga qielli, si një dhuratë e rrallë e Zotit, jo vetëm për banorët e këtyre anëve, por dhe për gjithë Shqipërinë. Shmili, si pjesë e pandarë e krahinës së madhe të Çermenikës së Zezë, shtrihet në Lindje të Shqipërisë së Mesme, i rrethuar nga zinxhiri i fshatrave Orenjë e Gurakuq, Floq e Zdranjsh, Kutërman e Funarëz, Neshtë e Prevallë, Lunik, Kostenjë e Togëz. Po ta vëshrosh nga lartësitë e majve të larta të maleve të këtyre anëve, Shmili i ngjan një kalaje gjigande, rrethuar nga shapatet e thepisura të maleve: Senisht e Ostrovicë, Gropa e Borës dhe Maja e Racës…, të cilët për shmilasit, në shekuj kanë qenë dhe mbeten aleatë të përhershëm. Në thellësitë e kohëve pellazgjike, kjo zonë mbante emrin kuptimplotë Lukaxhi, që vjen nga fjala shqipe ‘luginë “, e cila tregon formën e vendit ku ai shtrihet edhe sot e kësaj dite. Por, më pas , aty nga shekulli i lll pas lindjes së Krishtit, në kohën kur në këto anë po ngrheshin kishat e po gjallëronte krishtërimi, kjo zonë u pagëzua me emrin e ri Shmil, që vjen nga shkurtimi i togfjalëshit “Shenjti Mëhill”. Sipas autorit të librit, Shmilli i sotshëm shërben si një pikë nyje që lidh Elbasanin me Çermenikën. Ai është pjesë e njësisë administrative Labinot Mal të bashkisë Elbasanit. Dikur Shmili ishte pjesë e Librazhdit. Vetëm pas vitit 2013, ai u bë pjesë e Çermenikës së Zezë. Shmili i sotshëm është një nga zonat më atraktive të Elbasanit. Që nga lashtësia e deri në ditët tona Shmili ka bërë një udhë të gjatë përmes monopatesh e kthesash të mëdha ekonomike e shoqërore, të cilat janë përjetësuar në këngë, legjenda, e histori të gjalla, të shkruara me gjakun dhe djersën e bijëve të këtyre anëve. Aty, mes malesh të larta, ku rrallë degjohet kënga e zogjve, shmilasit janë ndeshur jo vetëm me varfërinë e mbijetesën, por dhe me krajlët e kuçedrat, edhe me pushtetarët e rinj e zuzarët e huaj e të vendit, që kanë dashur jo vetëm ta sundojnë, por edhe ta fyejnë, por nuk kanë mundur kurrë ta nënshtrojnë. Në luftën dhe përpjekjet e tij të gjata për më shumë liri e mirqenie, si aleatë të përhershëm shmilasit kanë patur jo vetëm malet, të cilët kanë shërbyer si bedena mbrojtëse të kalave natyrore, por edhe zanat e shtojzavallet mitologjike, të cilat besoheshin si qene misterioze të mira, që u jepnin atyre forcë e guxim nga fuqia e tyre mistike dhe e pashtershme. Aq të afërt dhe të domosdoshëm kanë qënë malet për banorët e këtyre anëve, sa që disa prej tyre, si Shkëmbi i Teqesë, e përdornin si matës në ditët e gjata me diell. Ndërsa lëndinat e Qerretit shërbenin si mera për kuajt e Lugaxhit, që nga koha e Arianitëve të Skënderbeut, ku ndërtoheshin kampingje për t’u bërë pritë pushtuesve turq. Gjatë udhëtimit mbi 2500-vjeçar Shmili ka lënë pas shumë gjurmë e objekte materjale e zakonore, që zbulojnë lashtësinë e kulturës dhe të historisë së gjallë të sukseseve dhe dështimeve. Zbulimi i qeramikës së lashtë, që është gjetur në thellësitë e rrënojave të vjetra dhe të enëve të ndryshme me këtë përbërje, tregojnë kulturën dhe lashtësinë e vednbanimeve të këtyre anëve.

                     

Agim QOKU

Për argumentimin e kësaj lashtësie arkeologët i janë referuar Strabonit, Ciceronit dhe Çezarit. Me fanatizëm janë ruajtur nga banorët e këtyre anëve edhe virtytet e rralla shpirtërore e morale si bujaria e solidariteti dhe krenaria shqiptare, të cilat burojnë nga ligjësia e kanunit të Skënderbeut, si një trashëgimi juridike e asaj kohe, themelet e së cilës u ruajtën dhe u zbatuan nga banorët e këtyre anëve në tërë jetën e luftën për mbijetesë e zhvillim edhe në ditët e sotme. Shumë mosmarrëveshje e konflikte shoqërore mes banorëve, siç janë ato të tokave, pyjeve dhe ujërave, zgjidhen për mbrekulli nën frymën e këtyre ligjeve me vlera të përhershme shoqërore . Shmilasit , të lindur e rritur mes ashpërsisë dhe krenarisë së maleve të larta nuk mund të trembeshin e tjetërsoheshin kurrë, as nga vështirësitë e terenit , as nga shtrëngatat e gjakut që provokoheshin nga pushtuesit dhe as nga kërcënimet e manipulimet e sundimtarëve të vëndit. Ata e kundërshtuan fort Reforëm e Tanzimatit, gjë që e gjen shprehjen në vargjet tepër patetike:”O Pasha, mos pi kafe/se me Shmilin s’bën dot llafe/ Që të shkosh në Elbasan / nisu pa u bërë aksham”, të thurura e kënduara nga rapsodët e këtyre anëve, përmes të cilave ata stigmatizojnë ashpër bejlerët e agallarët si shfryrtëzues të egër të këtyre aneve. Shmilasit, thekson autori, janë ndeshur fytpërfyt edhe me pushtuesit serb. Luftëtarëve dhe udhëheqësve popullorë si Demir Leka, që u priu çermenikasve në luftë kundër tyre, populli u këndon:” Demir Leka , sërbin çe shporre/Çermenikën çe nderove “. Ishte viti 1913, kur ky trim i rrallë u vu në ballë të çermenikasve e shmilasve në luftë kundër malazezëve, që synonin të pushtonin Shkodrën. Shmilasit, të lindur e rritur mes malesh të larta, nuk janë nënshtruar kurrë. Krenarinë e pathyeshmërisë së njerëzve të këtyre anëve e kanë treguar edhe luftëtarët popullorë të kësaj zone si Veli e Sherif Cekoja, Ata, siç thotë dhe kënga popullore,  nuk u pajtuan as me pashanë e as me beun e zonës. Ish Veliu ai që në krye të 200 luftëtarëve të Çermenikës mbështeten Ismail Qemalin dhe Aqif Pashe Elbasanin në Luftën e Vlorës. Shëmbullin e tij e ndoqi më tej gjatë Luftës çlirimtare edhe vëllai i tij Sherif Cekoja. Shmilasit nuk u pajtuan as me shtypjen, varfërinë dhe anafalbetizmin që mbolli në këto anë Mbretëria e Zogut të Parë. Të pakënaqur nga qeveria e tij dhe nga pushtuesit e huaj, shmilasit mbështetën pa rezervë Luftën Nacionalçlirimitare. Pas Konferencës së Pezës ,edhe në zonën e Çermenikës dhe Shmilit u krijuan K.N.Ç dhe çeta partizane, që u drejtuan nga komandantë të sprovuar si Xhevdet Fysheku e Sali Ballkoci. Riorganizimi i tyre në vitin 1943, solli në krye të tyre drejtues të zotë si Halil Borzhiqi dhe Qemal Pisha, të cilët në ballë të shmilasve përballuan operacionin më të egër, siç ishte ai i Dimrit të vitit 1944. Ishin tereni i përshtatshëm dhe besnikëria e rrallë e shmilasve e çermenikasve ndaj Luftës për liri, që mes maleve, aty në zemër të Labinutit historik, jo vetëm u vendos Shtabi i Përgjithshëm i Luftës, por dhe u zhvilluan 3 koferenca, në të cilat u morën vendime jetike për fatin e Luftës dhe lirisë së vendit. Ishte kasollja e Qemal Zhgunit ajo që u bë bazë e shtypit, ku u përgatitën thirrjet dhe komunikatat, të cilat shpërndaheshin në gjithë Shqipërinë dhe jeta e 132 dëshmorëve të këtyre anëve që mundësuan shporrjen e pushtuesve nga këto anë. Shmilasit, në ato vite të vështira, në vend të luftës vëllavrasëse zgjodhën rrugën e marrëveshjes dhe të bashkimit vllazëror mes nacionalistëve e partizanëve, për t’u bërë ballë pushtuesëve. Duke siguruar të paktën neutralitetin e nacionalistëve, shmilasit e ndoqën pushtuesin këmba këmbës deri në Kosovë e Mal të Zi. Shmili, në këtë libër shfaqet edhe si një zonë me trashëgimi të lashtë kulturore e histrike. Aty janë rujatur me fanatizëm edhe gjumët e një guri të madh, që vendasit e kanë quajtur Gur-Furra e Shmilit , ku shumë herët e deri në vitin 1930 zanatçinjtë prodhonin barut. Në Shmil ruhen me fanatizëm shumë legjenda, bëma,rite pagane dhe shumë kulte materiale e shpirtërore dhe objekte natyrore, sa të lashta, aq dhe të çuditshme si Shpella e Teqesë, Shpella e Gropave të Borës, Shpella e Hasan Aliut, Qafa e Murit të Shenjtë, Kalaja e Zhgunit(3000-vjecare), Balada e 3 vëllezërve, ku hyjnë e dalin jo vetëm njerëz, por dhe qenie të çuditshme mitologike, si kuçedrat, orët, zanat, shtojzavallet…Në to hyjnë e dalin edhe gjarpërinj të mëdhenj, që me lëvizjet dhe pickimin e tyre porodhojnë tronditje totemike, kurbane e gjëma të tmerrshme. Sistemi monist, si kudo edhe për shmilasit, për shkak të izolimit dhe kolektivizimit total të ekonomisë,solli një frenim të madh të nisjativës individuale e të konkurrencës së lirë,gjë që u bë ndoshta shkaku kryesor,që edhe njerëzit e këtyre anëve të shijonin frytet e hidhura të varfërisë së tejskajshme,edhe pse nuk mungonin mundësitë dhe resurset natyrore për të bërë një ekonomi e jetë më të mirë. Në Shmil rritet dhe zhvillohet gjithçka. Kësaj zone nuk i kanë munguar as natyra e bukur , as pyjet e dendura, as bota e gjallë dhe tepër e pasur bimore e shtazore, as ujrat e ftohta dhe tokat pjellore ,as klima e shëndetëshme dhe as shpellat e çuditshme , të cilat në ditët e sotme po kthehen në mundësi për rritjen e mirqenjes se njerëzve të këtyre anëve. Mundësitë e mëdha që krijoi sistemi i ri demokratik për lëvizjen e lirë, ka bërë që sot shumë shmilas të punojnë e jetojnë në të katër anët e vendit dhe të botës për një mirqenje e jetë më të mirë Por, për shkak të pozicionit gjeografik,izolimit urban dhe mungesës së infrastrukturës,arsimi në Shmil është zhvilluar von.Sipas autorit të librit,shkolla e parë në zonën e Shmilit është çelur në fshatin Qafë në vitin 1940,me mësues S.Gjerosin, e cila është e vetmja shkollë që vazhdoi deri në ditët e para të çlirimit.Ndërsa në vitin 1950 u hapën edhe shkolla të tjera fillore si në Lugaxhi, Benë dhe Qerret. Ndërsa klasa e pestë,për herë të parë në këtë zonë u çel në vitin 1960.Shkolla e parë e mesme bujqësore në këtë zonë çeli dyertë e saj në vitin 1976. Së fundi, duke përgëzuar Agim Qokun, autorin e këtij libri ,sa historik, aq dhe letrar,me vlera kulturore,shoqërore dhe historiografike shprehim vlerësimin dhe mirnjohjen tonë për mësues dhe studiues të tillë, që krahas punës së tyre të përditshme bëjnë ghithçka për të hulumtuar,studiuar e përjetësuar në shkrime e libra historinë,traditat dhe trashëgiminë kulturore të vendlindjes dhe njëkohësisht të të gjithë Shqipërisë.Sikur të gjithë njerëzit e ditur dhe intelektualët e vendit tonë do të shkruanin për historinë, kulturën dhe rrugën e zhvilllimit të vednlindjes së tyre, sot ,thekson shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli ,do të kishim enciklopedinë më të madhe në botë.

 

Nga: Sejdo Harka, Studiues  e publicist

Tiranë,Gusht 2019

Posted in: ESSE DHE KRITIKA