Poezi nga Nexhi Baushi
TY DHEMBJE NUK TË LLOGARIS
Ka kohë që dhembja
ecën krahë meje,
e njoha në rrugët e jetës,
më njohu edhe ajo.
E ndjeva dhembjen në shpirt t’ atdheut
kur trungun ia coptuan në pjesë.
E pashë te cfilitja e një flamuri
që i leckosur u valëvit shekujve.
Në tempullin e mjerimit
u bëmë bashkëudhëtarë,
asnjëherë nuk iku
nga kjo botë e trazuar.
E hetova te gratë e mavijosura,
ku mizoria maskiliste mëshirë nuk kish,
e njoha kur lozte me ndjenjat tona,
kur bota vuante nga gojëmbyllja e të mirëve.
Mike ish ajo me indifirentizmin e paskrupullt të të mëdhenjeve,
ndaj urisë, sëmundjeve, mjerimit, e mundimit.
E njoha tek emocionet e të rinjve,
kur ëndërronin të preknin perëndinë.
E njoha dhembjen te zëri yt i ngadaltë dhe i butë,
tek etja ime, shpuzërim i atij zjarri që më djeg,
te fëmijët e porsalindur që kacavirren,
në gjirin e tharë të një nënë.
Sot dhembjen, e njoh mirë,
se bijtë bastard të etërve dinakë,
gjakun e popullit si shushunja e thithin,
e as nuk duan t’ia dinë.
E mallkova dhembjen me mllef
këmbëkryq është ulur tek fëmijët leuçemikë,
tek ëndrrat e zvetnitura të një vajze
të përdhosur e vrarë, pas një aventure.
E pashë dhembjen te koka e ulur
e një plaku të urtë plot thinja,
ku dhe vetë perëndia me të nuk ish.
E takova rrugëve dhe monopateve të atdheut,
të pamundurën bëri,
në pellgjet me lot ëndrrat të m’i mbysë.
E njoha dhembjen edhe kur ëndrrat
vraponin krah të ardhmes time.
E pashë dhembjen në sy, në tryezë e ftova,
dhe se di pse mëshirë pata për të.
E godita me grushtin e fortë të fjalës
e bëra të dridhej, e ndala për t’i thënë:
Jam gjallë, në emër të jetës e të dashurisë,
ty dhembje, nuk të llogaris.