EPOSI I FISHTËS / Nga: Nikolla Spathari

EPOSI I FISHTËS

I madhërishëm, si një perendi, zbriti Fishta në Epikën Shqiptare. Atje ku rronin së bashku heronj dhe mite, u shfaq ai, Orfeu gjëmimtar i shqiptarëve. Ai që do të bënte i vetëm një epos. Eposin e dytë të kësaj toke kreshmikësh. Përpjekjet e tjera për të ngritur Epose kombëtare nuk u kurorëzuan me sukses. Madje as kollosë të tillë si Naim Frashëri e De Rada nuk mundën që bëmat e Skënderbeut t’i ngrejnë në lartësitë e eposeve.
Dy epose. Një pasuri e madhe, e paçmuar. Në ndryshim me pasuri të tilla botërore, kjo pasuri shqiptare ka të veçantën e saj. Ma do mendja se është rast unikal në Botë që, një populli, Epoka e epeve t’i ketë zgjatur katërmbëdhjetë shekuj. Kaq shekuj sa, ka të ngjarë, të kenë mes tyre Eposi i Kreshnikëve dhe Eposi i Fishtës.
Ndërsa Europa kishte tre mijë vjet që, pothuajse, nuk nxirrte më Homerë, këtu, në mënyrë krejt të beftë, shfaqet Fishta – një Homer i Ri i shekullit njëzet. Dhe fenomeni Fishta ishte një fenomen që duhej të shfaqej. Trimëritë legjendare po përsëriteshin në këto Male. Poezia e zakonëshme e kohëve të reja nuk i pasqyronte dot ato. Strofat e saj të brishta, betejat e tilla legjendare, mund t’i shtypnin e t’i thërmonin. Vetëm një epos ishte i aftë të mos përkulej nga luftra të tilla kreshnikësh të rinj. Kjo dhe vetëm kjo është arësyeja që, në një qelë të varfër kishe në Hot, nisën të konturohen gjymtyrët e Eposit të dytë shqiptar. Ani se, prej kohe, edhe Shqipëria kishte hyrë në horizontet e reja të poezisë moderne. Luftrat me dimensione legjendare vazhdonin. Epoka e lashtë dhe e tejkaluar e eposeve duhej të rihapej edhe njëherë.
Në vitin 1902, Fishta po u afrohej maleve të Hotit ashtu si iu afrua dikur Homeri Trojës. Fishta pa Malësinë do të ishte si Homeri pa Trojën. Bota nuk do ta kishte Homerin po të mos kishte Trojën, por edhe Shqipëria nuk do ta kishte Fishtën po të mos kishte Malësinë.
Kur ke lexuar Fishtën, në mënyrë krejt të beftë, brenda vetes të ndodh një rropamë. Një çvendosje e çuditëshme vitesh e vendesh. Askurrë nuk mund ta përfytyrosh poetin në një qelë të vetmuar fshati apo në gjysëmerrësirën e një kuvendi të përvujtur françeskan. Jo, ai mund të përfytyrohet vetëm ashtu gjëmimtar siç është, gjithmonë diku gjetk: Në Kuvendin e Berlinit, duke u përpjekur të ndalë duart gjakatare që copëtojnë Shqipërinë. Në kështjellën e Lofçenit, ku Knjaz Nikolla e Mark Milani bëjnë planin e luftës për të pushtuar tokat tona. Në Dollma-Bahçe, ku gjeneralët gjakatarë Mehmet Ali Pashë Maxharri, Dervish Pasha e Durgut Pasha zbresin shkallët me parmakë të kristaltë, pasi kanë marrë udhëzimet e Sulltanit si t’i përçajnë e si t’i lajnë në gjak shqiptarët.
Jo, nuk e përfytyron dot në një cep oborri të një kishe të varfër, duke biseduar qetë-qetë me plakun Marash Uci. Krejt ndryshe të shfaqet ai gjithmonë. Herë me Oso Kukën atje ku zbrazen koburet mbi dengat e barotit, herë në kuvendin e burrave të Hotit, ku trimat betohen se nuk do t’i lëshojnë trojet e të parëve, pa i la me gjak pëllëmbë për pëllëmbë. Të duket se përjetësisht qëndron mbi një shkëmb, diku atje, tek përleshen për jetë a vdekje dy ushtritë te Ura e Rrzhanicës. Figurën e tij vigane nuk e ndan dot nga luginat e Sutjeskës, nga shpatet e Nokshiqit, nga kreshtat e Veleçikut apo nga mrizet e Lubotinit. Ai është kudo ku janë shqiptarët me fatin e tyre tragjik të mbetur në grykën e pushkës. Hero i pandarë nga heronjtë, burrë i pandarë nga burrat, strateg i pandarë nga strategët, diplomat i pandarë nga diplomatët, mjeshtër jatagani i pandarë nga mjeshtrat e famshëm të jataganit shqiptar. Vetëm kështu mund ta shohësh kurdoherë Fishtën, ndryshe jo. Ai u prin vallet zanave buzë krojesh. Dragojtë i nis, përmes rrufeve, në përleshje të mëdha. Orën e Bardhë të Shqiptarisë e vë të mbledhë rozmari nepër bjeshkë, që me të t’i japë Ali Pashë Gucisë fuqi sa të shkulë lisat. Botën mitologjike shqiptare Fishta e sundon si një sovran. Ishte bota e fundit mitologjike në Europë, kjo botë, ku Fishta ngriti fronin e tij madhështor të poetit, në kufinjtë e përzier të mitit me realitetin.
Lahuta e Malcisë është vigma e një vigani. Ndaj figura gjigande e Fishtës hyri në çdo zemër, në çdo vatër, në çdo shtëpi. Udhëton me tren dhe është e pamundur që në vagon të mos ndodhet dikush që e di Fishtën përmendësh. Kështu të ndodh edhe në një autobuz, edhe në një veturë. Gjithmonë dikush do të citojë diçka nga ai. Mbase është pikërisht Fishta njeriu më i cituar në Botë. Sepse ai është i vetmi që citohet nga të gjitha shtresat e popullsisë. Citohet nga akademikët dhe profesorët, ashtu siç citohet edhe nga bujqët dhe barinjtë e bjeshkëve. Nuk mund të ketë një poet tjetër që e gëzon një privilegj të tillë.
Shumë përpjekje u bënë që Fishta të shuhej nga kujtesa e kombit. Por pikërisht në kulmin e këtyre përpjekjeve unë kam njohur në Vermosh plakun Ndue Mark Biboçi që i dinte përmendësh të tridhjetë këngët e Lahutës së Malëcisë. Gjithë librat e Fishtës mund të mblidheshin dhe të digjeshin. Po ç’mund të bëhej me librat e gjallë të tij, një nga të cilët ishte edhe Ndue Marku i Vermoshit?! Gjergj Fishta ishte Malësia e Dytë. Përderisa nuk mund të shembej Malësia e Parë ( ajo realja ) nuk kishte si të shembej as e dyta.
Që të rrenohej kujtimi i Fishtës duhej të rrenohej më parë kujtimi i luftrave të famshme që kishin bërë Malet tona. Duhej të shembej historia, pa të shembej edhe titani i saj. Por një rrenim i tillë praktikisht është i pamundur. Muret e kujtesës së brezave janë më të ngjeshur se sa muret e çdo kështjelle. Një burrë i tillë si Fishta nuk mund të tundej. Sepse pas tij vinin burra të tjerë të patundur. Vinin Oso Kuka, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Dedë Gjo’Luli, Ali Pashë Gucia, Marash Uci, Jakup Ferri, Curr Ula, Mar Lula i Shalës, Çun Mula, Mehmet Shpendi, Marash Vata, Dodë Preçi e shumë të tjerë. Ai ishte në mes tyre si Homeri midis Agamemnonit, Diomedit, Akil Pelidit e heronjve të tjerë të lashtësisë helene. Ndaj froni i tij letrar ishte i patundur. Stuhitë i kaluan anash, ashtu siç do t’i kalonin edhe fronit të Homerit. Kjo do të thotë se Fishta është një shkëmb i rëndë dhe i paluajtshëm në themelet e letërsisë shqiptare.
Akoma nuk e kisha njohur Malësinë reale, kur u njoha me atë që e quajta Malësi e Dytë e Fishtës. Lahuta e Malcisë është kujtimi më i çmuar i fëminisë time. Atë ma pati dhuruar, në një qelë të vetmuar fshati, i nderuari nxënës dhe shok i poetit, Patër Benedikt Dema. Ishte viti 1951. Dy herë në javë nëna më merrte përdore dhe më çonte në qelën e tij. Françeskani i ditur më mësonte fshehurazi latinishten. Në njërën prej këtyre buzëmbrëmbjeve At Benedikti më tha se do të më dhuronte një thesar. Por duhej ta mbaja të fshehur se ndryshe rrezikoheshim që të dy. Dhurata ishte pikërisht Lahuta e Malcisë. E mora librin, e fsheha nën këmishë dhe ika sëbashku me nënën, por më i gëzuar se asnjëherë. Çdo natë ia puthja dorën fratit kur largohesha, por atë natë ia mbulova me të puthura të dyja duart.
Zija çdo ditë kënde të veçuara dhe lexoja e lexoja. Duke hapur kapakët e Lahutës së Malcisë hapa, për herë të parë, kanatat e artit. Padashur, këngë pas kënge, i mësoja përmendësh poemat e gjata plot ngjarje dhe heronj. Në moshën 13 vjeç isha edhe unë një nga ato Lahutat e gjalla të Fishtës, për të cilat fola më lart. I ruajta për shumë vjet në zemër këto këngë me po atë sekret që ruhet dashuria e parë. Me to kënaqja vetëm bashkëmoshatarët e mij, të cilëve ua recitoja me orë të tëra, fshahur pas ndonjë muri të lartë. Këto çaste të gëzuara, për mua dhe për ata, tani kanë mbetur shumë larg, ashtu siç ka mbetur edhe fëminia.
Ishte një ëndërr e asaj kohe që ta shihja këtë vepër, të quajtur Iliada Shqiptare, të ribotuar e të respektuar zyrtarisht. Por kurrsesi ëndërrat fëminore nuk mund të shkonin aq larg sa të mendoja, se pas dyzet vjetësh heshtjeje torturuese ndaj njeriut që i dhuroi Shqipërisë Eposin e dytë, do të ishte pikërisht gazeta që drejtoja unë ajo që do të fillonte e para ribotimin, pjesë-pjesë, të kryeveprës së Fishtës. Kjo ndodhi në verën e vitit 1991, kur ata që e kishin denigruar Fishtën për gjysëmshekulli ishin akoma në fron.
Nuk mund të ketë një vepër tjetër si kjo, ku çdo moment në Malësi, të kujton poetin e Eposit të dytë të shqiptarëve. Afrohet të zbardhë drita mbi male dhe gjëja e parë që të vjen ndër mend janë vargjet e Fishtës:

“Hylli i Dritës atbotë tue lé
Për me i pru dheut shpresë të re,
Për me i pru s’mjerës Shqypni,
Ofshe, vaj, një kob të ri…” )

Por edhe kur bie muzgu mbi male, është pikërisht ai, i vetmi që të afrohet dhe të bën ta presësh mbrëmjen në një mënyrë madhështore:

“Prendoi dielli, n’qiell duel hana
N’Veleçik po pingron Zana,
Eh! ju malet e Shqypnisë
N’t’cillat strukë shqypja e lirisë
N’t’bardhat kohë që kan prendue
S’lete armik, jo, m’iu afrue…” )

Në një natë me shi e vetëtima, kur stuhitë trondisin malet dhe degët e drurëve thyhen me rropamë të madhe nepër pyje, përsëri mendja të shkon tek ai. Sepse të duket se pikërisht këtë natë ai e ka parapërshkruar dikur:

“Lum e lum për t’madhin Zot!
Ç’ka shkrefë sande gjith ky mot,
Gjith ky mot e kjo vetimë,
Gjith kjo gjamë e bubullimë,
Thue po shemen qiell e dhé.
Ka lshue prrue, po, e ka lshue shé;
Rreh shtërgata e shungllon era,
Ushtojnë malet, me t’hi mndera;
Kaq një mot ka shkrefë n’malci:
Shka do t’jetë, vall, nuk e di”. )

Nëqoftëse në një natë dimri Fishta të vjen kështu gjëmimtar si Zeusi, në një natë pranvere të shfaqet si Morfeu, perëndia e ëndërrave të ëmbla:

“Bulon molla e lulzon thâna
E prijnë valle Orë e Zana
Nepër rreze qi lshon hana…” )

Malësia e Dytë e Fishtës ishte po aq e plotë sa Malësia reale. Me kushtrimet mbi male, me kuvendet e burrave, me besëlidhjet e mëdha që ishin prologu i çdo lufte, me gjakun e derdhur për liri, me lashtësinë e saj të lavdishme dhe me burrat e përmendur:

“Po, Çun Mula mbi shpinë t’kalit,
Ua çoi lajmin Krenve t’malit,
Ua çoi lajmin n’derë t’konakut
Për me u mbledhë n’kuvend t’bajrakut…” )

Mund të jenë shkruar faqe të tëra për besëlidhjet në kuvendet e malësorëve, por një përshkrim real dhe njëkohësisht me përmasa Homerike ka ditur ta bëjë vetëm Fishta:

“Kshtu tha Çuni, bajraktari,
Edhe m’giuj u ngreh ma i pari:
Bani bé, me lot për faqe,
Për “qitape” e shtatë “melaqe”,
M’Orë të bjeshkve e m’krye të fmis;
E për Emën t’Perëndis,
Se pa dekë e pa hi n’dhé,
Me gjith’ djalë e me gjith’ re,
Pa u robitë me lopë e qé
E pa u djegë me stan e shpi
S’i bie n’dorë kurr Malit t’Zi.
Njitë mbas tij atbotë u çuen
Krenët e Hotit, e u betuen
…………………………………..
Se, pa u shkimë me troje t’veta,
Si bajn Knjazit t’u ngiatët jeta!”. )

Të gjitha polemikat me sllavët për autoktoni të hershme në trojet e Gadishullit Ilirik nuk thonë dot atë që, poeti i Iliadës Shqiptare, e skalitë me vërtetësi të madhe në fare pak rreshta:

E atje larg, po, kah Urali,
N’për ato breshta të larta,
Sillej shkjau si shkërbé mali
Tue kërkue për molla t’tharta,
Kur m’kto vise të Ballkanit
Të parët tonë, Pellazgt e motit
Gjanë e gjallë kullotshin planit
Qét i ngitshin m’fushë të Zotit.
Kishin frone e ligjë të mara,
E gjatë shtegut t’gjytetnimit
Ishin shty ata larg përpara
Q’me pranverë të rruzullimit”. )

Historia ka ligjet e saj të përjetshme. Kombi që nxjerrë njerëz që i kuptojnë thellë këto ligje është një komb i lumtur. Por duhet t’ua verë veshin atyre. Sepse në kuptimin historik ata janë profetë të kombit. Fishta sikur e kishte parathënë atë që ndodhi me Kosovën në fund të shekullit njëzet. Pothuajse një shekull më parë ai e qartëson kombin e vet:

“Pse kaq njerzit po in të kqi
Sa qi askund m’ket shekull t’zi
Pa shkue gjaku vi e vi,
Nuk po gzohej, jo, liri”. )

Nuk kam ndërmend të analizoj veprën e Fishtës. Ajo është trajtuar gjërë dhe në mënyra diametralisht të kundërta. Për të kanë folur personalitetet më të shquara që ka nxjerrë nga gjiri i vet populli ynë: Korifej të tillë si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Rexhep Qosja etj. Dhe çuditërisht mendimet për të janë vetëm në ekstreme. Nëqoftëse për Xhuvanin, Çabejn, Poradecin, etj. Fishta është gjigand i letrave shqipe, për Kadarenë e ndonjë tjetër ai është vetëm një bejtexhi, ndonëse i dalluar në xhinsin e bejtexhinjëve. Siç shihet dozat e glorifikimit dhe të injorimit janë njësoj të mëdha. Dhe befasisht të dhëna nga njerëz njësoj të mëdhenj. Në letrat shqiptare Fishtën nuk mund ta gjesh kund tjetër, por o në maja tepër të larta ku nuk e arrin dot asnjë rrufe që shkrep nga poshtë, ose në gremina tepër të thella, që për ta nxjerrë duhen agregate të pashpikura akoma. Ndoshta asnjeri nga këto dy vende nuk është vend komod e aq më pak real për një poet. Duke dhënë një konkluzion të figurshëm unë do të thosha se Gjergj Fishta është një shkëmb i rëndë në themelet letërsinë shqiptare. Por si çdo shkëmb ka edhe ai thepa që mund të skaliteshin më mirë. Një perendi e zhurmshme, siç është Fishta, patjetër që do të ketë edhe gjëra që u tolerohën perendive. Megjithatë perenditë mbeten perendi, me të gjitha ato që kanë.
Nuk besoj se Kadare ka pasur parasysh lirikën apo satirën e Fishtës kur e ka futur atë në kornizën e bejtexhinjëve. A mund të pretendosh, bie fjala, që më i njohuri i bejtexhinjëve tanë, Hasan Zyko Kamberi, të ketë shkruar vargje të tilla?!:

“N’atë rrahe t’dekne mbrenda varrit t’errshëm
Tash pluhën je. Ata dy sy t’janë errun
Ku qiella prirej me sa hana e diella…” )
(Një lule vjeshte)

ose:

“Ndalnju! Ku veni burra?…
Pash Zotin, lshoni hutat!
Pse tepër gjak asht derdhun,
Pse tepër, bajtë kem futat;
Prej vaj’t na asht marrun zani…
Medet, o qiellë, medet!”. )
(Gjaksorvet)

Nuk di se në çfarë sferash të larta do t’i vinim poetët shqiptarë nëqoftëse bejtexhinjtë tanë kanë ngjitur lartësi të tilla në lëmën e poezisë:

“Porsi kanga e zogut t’verës
Qi vallzon n’blerim të Prillit;
Porsi i ambli fllad i erës,
Qi lmon gjijt e drandofillit…” )
(Gjuha shqype)

Vlerësimet ekstreme, ku pasionet e ndryshme errësojnë logjikën e gjërave, çojnë në absurditete. Pranimi i tyre pa diskutim ka rrezik që Letërsinë shqiptare ta çojnë në një katrahurë të madhe. Po t’u themi poetëve tanë se vargjet që cituam më lart i ka shkruar një bejtexhi ka të ngjarë të lebetiten, t’i thyejnë stilografët dhe ta braktisin letërsinë ngaqë s’e shohin veten të zotët të ngjiten deri tek ky bejtexhi
Ndërsa në poezinë satirike të kohës, Fishta është sovrani i vetëm i saj. Ai ka nderin të jetë themeluesi i poezisë satrike shqiptare. Dhe këto themele i çimentoi shumë heret me librin Anzat e Parnasit. Për këtë nuk ka nevojë të themi shumë fjalë. Mjafton të lexojmë perlën e poezisë satirike shqiptare, Epopenë e Ballit Kombëtar, të Shefqet Musarajt dhe do të bindemi se këtë lloj poezie e lëvroi i pari Fishta në Shqipëri. Të tjerët vijnë pas tij. Le të vëmë ballë për ballë strofat e para të poemave: Metamorphosis të Fishtës, të shkruar në vitin 1907, dhe Epopeja e Ballit Kombëtar të Musarajt:

“Qe besa or burra
Nuk di ka t’çajë,
Mbasi do t’thirret
Sot derri dajë…”
( Fishta )

“U mbyt gjemia
Me federalë,
Vraponi burra
Kush mund të dalë!”
( Musaraj )

Siç shihet qartë kemi të bëjmë me të njëjtin vështrim poetik. Madje gjendemi para të njëjtës strofë, para të njëjtit varg, para të njëjtit ritëm e para të njëjtës rimë. E njëjtë është edhe mënyra e qesenditjes satirike. Po t’i krahasojmë këto dy poema do të vemë re se satira e Fishtës është po aq therëse, në mos edhe më therëse se e Musarajt. Nga ana tjetër do të shohim se nuk ka ndryshuar as objekti i satirës. Tek Fishta si objekt është neoshqiptari i fillimit të shekullit njëzet. Por edhe për Muasarajn është një lloj neoshqiptari si ai i Fishtës, veçse neoshqiptari i viteve dyzet.
Përfundimisht, nëqoftëse Fishta është bejtexhi në satirë, i tillë na del edhe Shefqet Musaraj. Atëherë kush mbetet poet satirik në Shqipëri?
Por le të vijmë tek Lahuta e Malcisë, pasi objekti ynë kryesor këtu është Eposi i dytë i shqiptarëve. Duke qenë një maje shumë e lartë, është e natyrshme ta kapin më shumë edhe rrufetë. Për mjaft vite mbi të shkrepën rrufetë e shovinizmit, patriarkalizmit, obskurantizmit, mistiçizmit e ku di unë se ç’rrufe të tjera. Asnjë nga këto rrufe nuk e tundën dot, sepse karboni i rrufeve nuk arrin deri tek shpirti i popullit. Së fundi rrufeja e Kadaresë. E madhe edhe kjo. Ndoshta më e madhja…Sepse sa më e madhe të jetë “perëndia” që e lëshon rrufenë, aq më i madh është intensiteti i saj.
Është e vërtetë se kur Fishta botonte Eposin e dytë të shhqiptarëve, me tetërrokshin popullor, aty fare pranë Kuvendit Françeskan të Gjuhadolit, Migjeni i madh shkruante, me një elegancë të paparë gjer atëherë, poezi moderne që shtronin kalldremet e poezisë moderne shhqiptare. Por kjo botë ka vend për të gjithë. Dhe po të mos ishin të gjithë do të ishte një botë e mangët.
Siç e kam thënë edhe më lart, lumënjt e gjakut të derdhur për liri kërkonin një shtrat eposi për t’u kënduar madhërisht. Nëqoftëse Fishta i doli për zot kësaj pune gjigande, kjo nuk do të thotë se ai ishte bejtexhi. Përkundrazi ai ishte një Homer, në atë kohë, kur Bota ishte squllur deri në atë shkallë sa nuk nxirrte dot Homerë të tjerë. Dhe kjo është krenari, jo vetëm për atë vetë, por edhe për kombin që e lindi. Rraca shqiptare është një rracë klasike, ndaj fryma e poezisë së rracave klasike nuk shuhej lehtë tek shqiptarët.
Lahuta e Malcisë është një epos që gjeneron poezi të vërtetë të një rrace klasike të mbushur me lavdi luftrash. Mijëra e mijëra vargje nuk mund të jenë të gjitha perla. Por pa pikë dyshimi kryevepra e Fishtës është një terren tepër i gjërë perlash. Ato i gjen në çdo faqe. Për të bindur veten se është kështu, mora Lahutën e Malcisë dhe e hapa ku të hapej. Vendosa të citoj nga ajo faqe krejt e rastësishme dhe ja:

“ Si një vashë që fat vë s’parit,
Shtërngue ijet me i shogë arit,
Edhe zhdredhun flokët gjatë shtatit
Si ato rrezet kres s’njaj shpatit,
Kur ban dielli për me le
Nepër brymë të nadjes s’re”. )

Një përshkrim i frymëzuar si ky, jo vetëm që nuk ka asgjë të përbashkët me një bejtë, po përkundrazi është po aq i bukur dhe madhështor sa edhe portretizmi i Tanushës në Eposin e Kreshnikëve.

“Shtegu i ballit, si shtegu i malit
Kur merr hana me prendue
………………………………………….
Dhamët e bardhë, si gurzit e lumit,
Fill mbas shiut kur po i shndritë dielli”. )

Kohët e fundit doli libri i Prof.Vehbi Balës: “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”. E mora në dorë me nostalgji. Sepse për këtë vepër e kisha marrë njoftimin e parë më 17 gusht 1960. Gjatë udhëtimit për në Këlmend nata më zuri në Brigje të Hotit. Vajta për të fjetur në qelën e Patër Benediktit. E gjeta shumë të gëzuar dhe gëzimi i tij kishte jo një, po dy shkaqe. Atë ditë kishte përfunduar njërën nga veprat e tij. Në mos u gabofsha veprën Shënime Potologjike e Terapeutike. Dhe një natë para meje në qelën e tij kishte qenë mik Prof.Vehbi Bala. Lajmi se Fishta do të reabilitohej e kishte bërë me krahë Patër Benediktin. Por, jo, Fishta nuk u reabilitua dhe studimi i Vehbi Balës doli nga errësira e sirtarëve vetëm tashti pas rënies së totalitarizmit. Megjithatë e mora me dëshirë të madhe këtë libër që më kujtonte atë kohë kur hapja veshët mos po dëgjoja gjëkundi ndonjë fjalë të mirë për poetin. Mendova se Patër Benediktin do ta gjeja të cituar më se një herë, pasi, siç më pati thënë ai vetë, i kishte dhënë plot material Prof. Balës. Por jo, ai nuk përmendej gjëkundi, ndonëse çdo vepre për Fishtën, emri i Patër Benediktit do t’i shtonte vlerat, pasi ai ishte njeri nga njohësit më të mirë të poetit. Këtë e verteton edhe fakti se almanaku “At Gjergj Fishta” prej 583 faqesh, që u shtyp me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij, u botua nën kujdesin e Patër Benediktit. Megjithëse në librin e V. Balës kjo vepër përbën kolonën vertebrale të citimeve, hartuesi i saj mbetet në hije. Madje edhe kur citohet njeri nga shkrimet e Benediktit, në faqen 73, citohet pa autor, gjë që nuk bëhet për të tjerët. Me dhjetra e dhjetra herë kam pirë kafe me të ndjerin Profesor Bala dhe asnjëherë nuk i kam thënë se e dija që të nesërmen se ai kishte qenë te Patër Benedikti. Veçanërisht pasi çështja e Fishtës heshti përsëri, ajo vizitë e Profesor Balës në qelën e Kishës së Brigjes duhej harruar. Jam i bindur se edhe Patër Benedikti e ka marrë me vete në varr, pa ia thënë askujt tjetër.
Vepra e V. Balës është një vepër me vlerë. Ai e paraqet Fishtën me të mirat e të metat e tij. Kjo gjë e bën më realiste se shumë libra të tjerë të shkruar me njëanshmëri për poetin tonë të madh. Por në konkluzionet e veprës, profesori i nderuar, që askund nuk e kalon masën e lëvdatave, dhe për këtë ka meritë, çuditërisht kalon masën e kritikave. Pasi e ka ngritur Fishtën në panteonin ku i takon, i heq arkën si ekzekutuesi të varurit. Të duket sikur e ngre në majat e larta që në fund të fundit ta asgjësojë me tre rreshta të vetëm: “Figura e “Bedelit” e krijuar nga artisti Fishtë e tejkaloi njeriun Fishtë, por fatkeqësisht njeriu Fishtë nuk ia doli të ngadhënjente gjithnjë mbi figurën e vet të “bedelit”. )
Bedel i kujt? I Europës? Po një bedel i Europës a mund të shkruante kështu për Europën e kohës së tij::

“Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i re mohit besës e Zotit,
Po a ky asht sheji i gjytetnisë:
Me da tokën e Shqypnisë
Për me mbajtë klysht e Rusisë?
Po ti a kështu sod na i përligje
Njata burra që m’kto brigje
Për ty veten bane flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije?”. )

Një poet, që e ngre Shqipërinë sferat madhështore të vendit mburojë të Evurpës ndaj Perandorisë Osmane, gjithçka mund ta quash, por bedel të Europës kurrsesi jo.
Me eposin e tij Fishta zgjon, trondit, rrëmben, trajton e ndërton. Ai është i fuqishëm, madje i jashtëzakonshëm në rikrijimin e skenave madhështore të luftës. Zëri i tij nuk kalon nepër hapësira bosh, po përshkon horizonte të gjëra ideshë të mëdha patriotike. Ushtari shqiptar, së bashku me armën, është e nevojshme të ketë edhe Lahutën e Mëlcisë. Ajo është e zoja të bëjë mrekullinë e kthimit të çdo ushtari të thjeshtë në hero.
Nëqoftëse për Eposin e Kreshnikëve kërkohet të dihet akoma shumëçka, për Eposin e Fishtës dihet gjithçka. Dihet se qe një rastësi ajo që inicioi epopenë më të plotë të kombit tonë. Sigurisht qe një fatbardhësi kombëtare që në vitin 1902 hotjanët i kërkuan Provincës Françeskane të largonte nga Famullia e Rapshës At Leonard Gojanin. Caktimi i Fishtës si zevendësfamullitar ishte një veprim krejt i zakonshëm. Por pikërisht ky veprim i zakonshëm do të bëhej shkaku i momentit më të madh epik të kombit tonë. Troja ishte aty, Homeri po vinte krejt rastësisht.
Kisha e Brigjes ku u shkruan këngët e para të Eposit të dytë të shqiptarëve është rrenuar në vitin 1967. Nuk di se kush tjetër e ka pasur fatin të kalojë një natë në atë tempull kombëtar ku Fishta shkroi poemat e famshme Marash Uci, Te kisha e Shnjonit, Te Ura e Rrzhanicës etj. Por unë e kam pasur këtë shans dhe e quaj një nga shanset më të mëdha të jetës time. Sipas Patër Benediktit qela ishte reformuar në vitin 1907, por megjithatë dhoma e poetit ishte po ajo. Tek ajo dhomë fjeta. Në mëngjes frati dhe sherbyesja e tij plakë më pyetën se si kisha fjetur dhe unë u thash se nuk kisha fjetur asnjë sekondë, por kisha kaluar një natë të madhe plot ëndërrime dhe përfytyrime.
Dielli qe ngritur lart mbi male kur mora rrugën drejt Rapshës. Shumë kohë, së bashku me Patër Benediktin u sollëm nepër oborrin e bleruar të kishës. Ai më spjegonte: “Këtu Patër Gjergji ka biseduar me Marash Ucin, këtu është bërë kuvendi që i këndon aq bukur ai” .. Dhe mua më ushtonin në vesh fjalët e Çun Mulës:

“Fol tash, Masho, ç’po na thue?
Un qe Krenët t’i kam bashkue,
T’cillve mundesh me u besue,
Pse armët kryq I kemi vu”
. Si na e lanë të parët kanu. . )

Korifeu i letrave shqipe, Faik Konica, i entuziazmuar nga këngët e para të “Lahutës së Malcisë”, i dërgoi At Pashko Bardhit në Zarë 200 frang që të botohej bleni i parë i këngëve nën titullin “Te Ura e Rrzhanicës”.
…Malësia e Madhe është ajo tokë e përgjakur që lindi Eposin e Fishtës. Ashtu siç kishte lindur, ndoshta, dikur Eposin e famshëm të Kreshnikëve. Shoku dhe miku më i ngushtë i poetit, At Pashko Bardhi, këtë të vërtetë të madhe e shpreh me thjeshtësinë që e karakterizon: “…Ndonse gjithë lavdi e ndera i përket A. Fishtës, nji grimë për nderë do t’ia dijmë edhe Marash Ucit, pse, mos t’ishte përpjekë me të, ndoshta A. Fishtës nuk i ishte mbushë mendja me shkrue “Lahutën e Malcisë”. )
Në fillim të shekullit njëzet krejt rastësisht u takuan dy madhështi, Malësia e Madhe dhe Fishta. Një shesh epik me Një gen epik. Malësia e bëri Fishtën gjigand, por edhe Fishta e bëri Malësinë vendin e dy eposeve.

 

Nga: Nikolla Spathari
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s