Poezi nga Sabit Rrustemi

Poezi nga Sabit Rrustemi

 

NXORA NJË SHTRESË ZEMRE

Shprusha kaçubë më kaçubë
shtigjeve të Çepurit

Si shpend i vetmuar shprusha

Një flatër mëllenje gjeta
një flatër të braktisur

Nga thellësia e qenies
nxora një shtresë zemre
n’ shuplakë e shtriva
dhe shkrova:

“dhe kurrë në mos më kujtofsh
ti mirë e më mirë qofsh
loçka ime”

Përmes frymës sime
andej kah je ti
këtë uratë e nisa.

 

SIPËRFAQJA E ZEMRËS

Ajo shetit rrëzë detit
tek pret atë Zemërzjarr që s’ shuhet
sa herë lind e zhytet tutje hapsërisës së pakufi

Ai
nga rrëza e malit niset drejt Majës
për ta përjetuar një aurorë buzëqeshjesh
për çdo mëngjes
e nuk ngryset
as kur e dashura pasbjeshkëve i fshihet

Dita vjen e shkon me të pritura e të papritura

Detin e djeg me diell
zjarrëmalin e flladit me një rigë shi
dhe ngapak mërzi e vetmi
për çdo natë…

Ajo
larg tremb ëndrrat
gjurmët e vjetra

Të përkohshmet ia fshin dallga

Ai then e largon krande
rrembat që e vrasin syve
tek numron mungesat

Vështrimin hedh pasbjeshkës
rrjetën e kujtimeve shprush përnatë

Të dashurën e shpirtit e sheh tek i qullen flokët
lëkura dhe krejt ajo që shihet së jashtmi

Përmes duarsh në prehër e merr
si një shpend të lagur shiu
me afsh e ngroh

Pastaj
pastaj e lë të lire të fluturojë

Kahdo që të shkojë nuk do ta harrojë
se është një hapësirë mes detit e malit
që i mban të lidhur edhe kur dehen çastesh

Sipërfaqja e zemrës është
ama e kësaj bote

I ruan kudoqofshin cepave të kësaj toke

________________
Nga libri: HYJNORJA IME JE TI

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s