Poezi nga Suzana Malaj

Poezi nga Suzana Malaj

 

Postmortem

Mos më vajto
dorën, krahun, gjuhën!
Mos më vajto syrin!
Mos më vajto në atë shteg balli
që arriti pikën e ngrirjes!
E di…e di
I është kënduar dorës…
i është kënduar krahut me tërë lavdinë e krahut
madje krahu i humbur ka mbyllur gjirin e anarkisë
me lavdinë e madhe të krahut të mbetur
Oh , gjuhës i është kënduar
asaj që humb e asaj që hup
madje gjuhës së zgjatur në botën e dëshmisë
i këndohet akoma duke kafshuar gjuhën
Syri është akomoduar si sy
është bërë agjenci
madje syri ka evoluar syrin
aq sa bota është mbytur në sy…
E di… e di
por unë isha perandor i tyre
e ata ushtarët e mi…
Fillimisht isha toger
pastaj kapiten, major, gjeneral
sfidoja rendin e përmbysja rendin
pastaj e lancoja imazhit mental.
Isha Napoleon me strategji napoleoni
prija vetë në betejat e mia
dorën time, krahun, syrin tim
i bëja e ribëja…pastaj i lëvizja.
Në neuronet e mia e mërgova zemrën
e burgosa brenda kurmit tim
si në ishullin e Shën Helenës
Qortoja syrin
që më kqyrte si Napoleonin – anglezët
arratisjet e mia
clirimi im
nuk shkrepi asnjë nga fishekët
E di…e di
në dimrin e egër rus
më ka mbetur peng një sy
syri i mbetur
më qan për atë sy
Gjithë ushtria rrezikon të kthehet në arka
duke kërkuar një gjeneral e një prift
për lavdinë dhe përshpirtjen në një betejë neuronesh
ku pata të vrarët e mi
E di? C’ka sheh në arkëmortin tim
ishin ushtarët e mi
kurse arkëmorti është Vaterloja
humbja ime e mbytur në shi…

 

Në ajrin e sipërm

E vrava dhe e rivrava egon tri herë
e disa qeliza trunore që nuk bien në gjumë
e cuan në këmbë
U tërhoqa kur drita – e papeshë – si drita
e tërhoqi bishtin e vet
burimi ku kthehej e do të rikthehej
kish’ vdekur e rivdekur tri herë
Tri forma të egos nga ajri i poshtëm
u ngjitën në ajrin e sipërm
horizontit të trurit me tipare lokale
gjer në pikën më të lartë të zenitit
T’i vras e t’i rivras nuk vihet re
në këtë rajon hapësire
tri qelizat pijnë si verën me kupa
vargun në formë rubaire
Tri qeliza e në të trija
e urrej relativitetin
vonesën kohore, zhvendosjen e dritës
rrezatimin e zi që nis të hajë veten
Sot që po flas akoma s’i kam vrarë
kam shkatërruar vec gravitetin
bëjnë si bëjnë me hendeqet e ndarjes
e më kthehen gjithnjë në thjerrëzat e lentes
E unë vajtoj gjysmën johyjnore
me zemërimin e Akilit i marr – i heq zvarrë
e zbuloj se unë paskam vdekur
e ato qenkëshin akoma gjallë…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s