Poetja Valbona Kaini Pullazi kërkon nga jeta dhe njëkohësisht i jep jetës harmonizimin e mendimit, ndjenjës dhe ëndrrës/ Nga: Safet Hyseni

Poetja Valbona Kaini Pullazi kërkon nga jeta dhe njëkohësisht i jep jetës. Për të marr nga jeta duhet përgatitur veten, se jeta të shkel pa mëshirë, andaj ajo kërkon harmonizimin e mendimit, ndjenjës dhe ëndrrës.

Poezia është hyjnore, madje është mbretëresha e fjalës së shkruar, ka lindur qw kur filloj qytetërimi. Fjala që thuhet përveç peshës ka bukurin me të cilën të bënë përveti dhe depërton duke krijuar një gjendje sikur ndihesh se ke veshur diçka tjetër në brendësin tënde. Kur ajo është krijuar në mënyrë që të rrezatoj në disa drejtime si në zbutjen e zemërimit, në bardhësinë e shpirtit apo në zënien e dritës së mendimit, krijuesi-ja ia ka arrit qëllimit dhe ka hapur një shteg përplot drite. Një gjendje të tillë emocionale pas disa leximesh me krijoj poezia pa titull e poetes Valbona Pullazi Kaimi që unë për moment do e titulloj; /Kam frikë/, jo se kështu duhet por përse kështu nis vargu i parë. Kjo poezi më shtyri që të shfletoj më thellë profilin e autores, nga ku gjeta një thesar tepër të çmuar të një harmonie të fjalës mes artit dhe mendimit ku autorja me lehtësi na bënë që ta duam veten tonë të veshur me liri, dritë e mirësi duke ndërtuar një karakter njerëzor e human me themele dashurie.  Mendimi i saj i thurur me shumë simbolikë, metafora e figura arti (poetike) ku janë të harmonizuara japin efekte po aq të harmonizuara mes shpirtit, zemrës dhe trurit. Ajo në një mënyrë tejet të përsosur i jep vulën kohës në cilën jetojmë, ndërsa mjeshtëria e saj është se lexuesi mund ta zbërthej ashtu si të dojë pa ndërhyrje autoriale, ndërsa këtë mënyrë të të shkruarit e bëjnë krijuesit-et e sprovuar-a që mesazhin (porosinë) e përcjellin lehtë, ndjeshëm  dhe magjishëm në shpirtin e lexuesit. Çdo kush sot duhet të ketë frikë, por nga kush? Këtë sikur nuk duam ta themi, por edhe nëse duam si mund ta shprehim më lehtë dhe vrullshëm duke përçuar dritë e dashuri tek tjetri (lexuesi). /Kam frikë,/ Se guximi trembet,/… Çka mbetet tek njeriu nëse guximi i është trembur siç shprehet autorja, si ndjehet njeriu nëse hedh hapa të kotë gjatë jetës, pa qëllim, pa ide gjithmonë i varur pas urdhrave. /Ia fshik flatrat,/ Dhimbja e kotësisë,/Se liria vesh/Petkun e mërzisë,/Se mendimet nuk rebelohen,/nga burgu i plogështisë…/ Këtu ndodhë vetëburgosja, e kanë përjetuar popuj me dekada, kjo u ka kushtuar shtrenjtë. Nga këto vargje që e përkufizojnë jo vetëm kohën në të cilën jetojmë por, janë të përjetshme, se atje ku guximi është trembur vlerat janë nëpërkëmbur, ndjenjat janë lënduar liria është përgjakur. Autorja me një mjeshtëri të rrallë zgjon fantazinë krijuese e cila nuk ka muzë apo siç shprehet me shumë respekt se tek dikush ajo muzë është lodhur, diku është humbur, diku tjetër është qorruar e diku për hir të hiçit është lidhur. Se fantazia sillet “pa ëndrra e gjurmë risie”, dhe tek shumë krijues “belbëzon vaje pa fjalë”, do të thosha se muzën duhet shtrydhur që të nxjerrësh mjaltin e saj. Valbona në fund të kësaj perle vetëm me tre vargje na jep një definicion për kohën jetë dhe jetën kohë. Unë mendoj se koha jeton duke i lënë si vulë gjurmët ndërsa jeta ka vlerën kur kohës ia merr dritën. Por koha nuk është për të gjithë e njëjtë, koha që nuk bënë ndryshime të gjithë i bënë fajtor dhe Valbona ka guxim nga ku i buron mendimi tejet i lart, i thellë dhe filozofik dhe me shumë elegancë e poetik e thotë: “I trembem,/ Jetës së vdekur/ Dhe vdekjes me jetë! Jetë e vdekur, jeta që nuk prodhon nuk ka risi e buzëqeshje, nuk ndryshon, nuk krijon harmoni mes natyrës dhe qenies, dhe duke jetuar ajo i trembet dhe “Vdekjes me jetë”. Mendoj se lartësia e mendimit është në dritën e trurit ndërsa thellësia është në bardhësinë e shpirtit ndërsa filozofia është tek ndërtimi i karakterit të krijuesit. Autorja në tre vargje zbërthen vetveten ashtu siç e bënë çdo krijues i mirëfilltë. Për ta ilustruar këtë që thash edhe pse ka shumë e më shumë për të thënë ja vargjet e autores.

***

Kam frikë,
Se guximi trembet,
Ia fshik flatrat,
Dhimbja e kotësisë,
Se liria vesh 
Petkun e mërzisë,
Se mendimet nuk rebelohen,
nga burgu i plogështisë…

Druhem,
Se fantazia mbetet,
një zonjë e vjetër,
pa ëndrra e gjurmë risie,
Se muza ngrohet qosheve,
Lodhur, humbur, verbër,
Se shpirti s’i këndon më horizonteve
Po belbëzon vaje pa fjalë…

I trembem,
Jetës së vdekur
Dhe vdekjes me jetë!

“Në pllajën e qetësisë” është një poezi tjetër ku autorja bënë një monolog që ka të bëjë mes lirikës dhe filozofisë së kohës e derdhur në varg. A thua ka qetësi ndonjëherë krijuesi-ja që ndjenja t’ia ngatërroj mendimet, është një lojë metaforash me figurat poetike për të vënë në harmoni dilemat. Dhe ajo këtë e bënë më së miri, duke futur në sy bukurinë e qiellit ku i ndihmojnë avujt, retë e trembura të ngjyrosë ndjeshmërinë. Në një jetë kaq të zhurmshme e të nxituar tek çdo njëri është krijuar një trysni mendimesh ku na janë mpleks si bimë kacavjerrëse. Gjithë këto ardhje në lindje dhe ikje në perëndim padyshim që kërkojnë një frymë të re jete në kërkim të kthjellimit siç shprehet Valbona. Njeriu pa ëndrra vështirë se do kishte bërë dallimet e duhura, vështirë se do merrte guximin për sakrifica të reja por shtysë e një mendimi dhe jete pa mjegull është fjala e qëndisur nga poetët që janë paraprijës të zhvillimeve dhe ndryshimeve, andaj dhe poezinë autorja e përfundon ; “Unë, e ëndërrt/ Mbaj ndezur një këngë zgjimi!”

***

Në pllajën e qetësisë,
të një toke të zhurmshme,
Erdhe ti,
Si fllad, që m’i ngatërroi mendimet,
Që u mpleksen si bimë kacavjerrëse,
në harmoni dilemash…

Sytë e mi të qielltë,
Ngarkuar me avuj,
Vizatuan re të trembura,
Në thellësi ujërash,
Ngjyrosën në blu ndjeshmërinë…

Ecejake trysnish,
Ardhjesh në lindje,
Ikjesh në perëndime,
Frymë jete,
Në kërkimit të kthjellimit…

Frymon mendimi,
Për ditë,
Pa mjergull…

Unë, e ëndërrt
Mbaj ndezur një këngë zgjimi!

Kur e lexova poezinë e parë desha të shpreh mendimin tim se si u ndjeva. Nuk bëjë dot kritika dhe as që kam provuar ndonjëherë, por duke vazhduar së lexuari tek profili i autores u ndjeva një botë krejt tjetër, ku çdo poezi mbushte një boshësi, apo trazonte mjegullat për të më bindur se guximi duhet ushqyer, por si? Dhe po të lexosh më kujdes ajo kërkon nga jeta dhe njëkohësisht i jep jetës. Për të marr nga jeta duhet përgatitur veten, se jeta të shkel pa mëshirë, andaj ajo kërkon harmonizimin e mendimit, ndjenjës dhe ëndrrës. Nëse të gjitha këto e kuvendojnë bashkë një dëshirë por duke mos prekur ndërgjegjen apo lënduar ndjenjën duhet guximi për t’i dhënë “jetës së vdekur”, që të mos ndodh “vdekja pa jetë”, duhet mbajtur “ndezur një këngë zgjimi”. Nuk desha të flas më shumë por mu rebeluan mendimet dhe thash, se mos me prek krijime tjera do i mbetem borxh brendisë sime e me këte mund dhe të bëjë ndonjë krim jo ndaj të tjerëve por ndaj harmonizimit të faktorëve që perceptojnë qenien tonë të brendshme, me këtë rast mua vet. Autoren nuk e njoh dhe kjo më jep më shumë të drejtë që të jem pa korniza në mendimin tim. Këtë mbase e zgjedhë çdo herë kur kam nevojë të flas me vargun, kur dua tw them mendimin tim. Poezia është një krijim që zgjon emocione të ndryshme tek lexuesi. Ndërsa mjeshtëria e krijuesit-ses është që tek çdo njëri të flas ndryshe. Poezia “Të ndjej” është një perlë e një çasti që çdo kush e ka përjetuar, apo do e përjetojë me rëndësi është krijimi të ketë lartësinë që të jetoj, kjo është edhe vetë jeta e kuptuar nga autorja. “Dielli lind agimit të brishtë,/ rrezet ndriçojnë ëndrrën e fjetur,/ sytë përpiqen të rrokin memorien e fundit,/ të çastit pa frymë… Njeriu rrallë takohet me ëndrrën, por autorja na jep shpresë, përderisa rrezet ia ndriçojnë ëndrrën e fjetur. Sytë gjithmonë të parët e përcjellin bukurinë përderisa ato janë burimi i pasqyrës që ia përcjell ndjenjës, pulsit, trurit për të dhënë mendimin. Çdo kush kur ka parë një bukuri të rrallë ka një qastë pa frymë dhe këtë çast ne e gjejmë tek sytë dhe duam të na përsëritet memoria. Nga këtu lind poezia “Të ndjej”.

“Të ndjej,/ Me drithërimë emocioni/ në pritje pakohë,/ në tinguj muzike humbem,/ në vargje të pathëna mbyllem…” Në këto raste lindin vargje, vargje që s’do thuhen kurrë janë aq shumë sa koha nuk premton dhe emocionet përcjellin drithërimë e shpirti jeton dhe vetë krijon tinguj muzike. Këte kaq bukur na e thotë në pakë vargje poetja. Në nënkresën e bardh ajo belbëzon lutje, se ndjenja është e bardhë si dashuria, ndërsa lutjet janë edhe kur arrimë ta realizojmë një ëndërr edhe kur jemi larg, por gjithmonë me bardhësi. Qenia njerëzore është e mbushur me dilema, por për të jetuar ëndrra e palënduar ajo duhet fshehur në thellësi të padukshmes. “Mbuluar në nënkresën e bardhë,/belbëzoj lutje,/ praninë e dilemës e fsheh thellë,/të padukshmes… Autorja ka krijuar stilin e vet dhe ruan harmonin mes vargut në çdo krijim të sajin. Vargjet e saja kanë muzikalitet dhe porosi të thellë dhe kur ato janë lirike kanë emocion dhe ndjeshmëri. Këtë më së miri na e dëshmon me vargjet: “Liruar nga vargonjtë e ndrojtjes,/ e lirë si ajri, të kam pranë,/ lindjes së diellit, si të vërtetën e zgjuar,/që mbetet e përkorë…

Vargjet lirike nuk mund të mos kenë mall, dhimbje, prekje, përkëdhelje se dashuria bashkëjeton me këto ndjenja në një çerdhe. Andaj e përfundon për mrekulli poezinë me vargjet: “Të ndjej në çdo qelizë,/ me dhimbje të kripëzuara malli dhe gëzimi,/ të ndjej,
rrethuar me ngrohtësi përkëdheljesh,/shkrirë në përqafim shpirti!”  Ajo ka ndërtuar një karakter për lakmi, ku din të përcjell emocion, ndjenjë e porosi, andaj dhe thotë: “Të jesh i madh nuk mjafton rëndësia që një person mund të ketë në jetë… Por thjeshtësia që e karakterizon e i zbukuron qenien. Të jesh i madh do të thotë të kesh një zemër të përulur, një shpirt si pafundësia dhe dashurinë….
Mbi të gjitha dashurinë! Të shikosh botën me sytë e dashurisë!” Ajo shkruan bukur!

Të ndjej

Dielli lind agimit të brishtë,
rrezet ndriçojnë ëndrrën e fjetur,
sytë përpiqen të rrokin memorien e fundit,
të çastit pa frymë…

Të ndjej,
Me drithërimë emocioni
në pritje pakohë,
në tinguj muzike humbem,
në vargje të pathëna mbyllem…

Mbuluar në nënkresën e bardhë,
belbëzoj lutje,
praninë e dilemës e fsheh thellë,
të padukshmes…

Liruar nga vargonjtë e ndrojtjes,
e lirë si ajri, të kam pranë,
lindjes së diellit, si të vërtetën e zgjuar,
që mbetet e përkorë…

Të ndjej në çdo qelizë,
me dhimbje të kripëzuara malli dhe gëzimi,
të ndjej,
rrethuar me ngrohtësi përkëdheljesh,
shkrirë në përqafim shpirti! (Valbona)

 

Nga: Safet Hyseni

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s