Poezi nga Sahit F. Osmani

Poezi nga Sahit F. Osmani

 

FJALËT QË T’I KAM THËNË SA E SA HERË

Nga fytyra jote bora merr bardhësinë
Dhe shkëlqen mbi majat e larta të bjeshkëve
Nga bukuria jote deti nuk hesht ngritet tallaz
Me shkulmë dallgësh shkumëzon përplaset
për shkëmb
Nga qerpikët e tu bari bleron dhe fëshfërit
Kopshtet lulëzojnë kur shfaqesh ti
Nga syri yt çel agimi me vesë vezullon
Dielli sheh nga sytë e tu dhe e ndez shpirtin
Nga goja jote buzëqeshja mrekullon jetën
Këto fjalë t’i kam thënë sa e sa herë kur isha
i etur
Afër teje te kroi yt që gurgullonte pa u ndalur…

 

PA URREJTJE

Arrite ta shembësh urrejtjen
Përtej perëndimit të diellit
Tash qëndron mbi degën
Ku zogu këndon këngën
e shpirtit
Dhe je e plotpushtetshme
Mbi të pambërritshmen
Ate që s’mundën të tjerët
Ti e para lartësitë i arrite

Harrove dhimbjet e zemrës
Që xhelozia e shpoi tejpërtej
Urrejtjen një herë e mirë e munde
Që kurrë më mos të kthejë

Me një fije rreze shprese
E krijove çerdhen e re
Në zemër të troket dashuria
Pa urrejtje të lindësh krijesën e re.

 

I TREGOI RRUGËN E NJERIUT

I veshur me mund vuajtje e dhimbje
Në jetë hyri me dashurinë e ëndërruar
Përkëdheli mjerimin me zemër të ligështuar
Ferrit i ndezi dritë terrin për ta shuar

Buzëqeshjet i mbetën peng në gji të nënës
Syve të saj që me lotë drite e lau
Ku t’i dinte ai vuajtjet e dhimbjet e zemrës
Në varfërinë e jetës që koha e vrau

I këndonte këngë djepi mos të ndihej kënga
e qyqes
Fati t’i printe bukë të kishte në sofër
Nektar të pinte e spërkaste me aromë lulesh
I mirë të ishte me dashuri zemre e ushqente

Mos të humbte shpresën i tregoi rrugën e
njeriut
Të takonte krijesën që e çon tek e nesërmja
Ta shpëtojë veten të ngritet bashkë me të tjerët
Me kohë të ecin t’i prekin lartësitë e universet…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s